Mbretëresha Rania e Jordanisë ka ndarë me botën emocionet e saj pasi është bërë gjyshe për herë të dytë. Vajza e saj, Princesha Iman, ka sjellë në jetë fëmijën e saj të parë, një vogëlushë të quajtur Amina.
Lindja e princeshës u bë e ditur nëpërmes një postimi të ngrohtë nga Mbretëresha Rania në Instagram, ku ndau disa foto prekëse të nënës së re me foshnjën e saj. Me fjalë të mbushura me dashuri, ajo shkroi:
“E dashura ime Iman tani është nënë. Jemi të lumtur dhe mirënjohës që kemi takuar Aminën, bekimin më të ri të familjes sonë. Urime Jameel dhe Iman: Zoti ju bekoftë ju dhe vajzën tuaj të çmuar.”
Ky mesazh jo vetëm që ndau gëzimin e familjes mbretërore, por gjithashtu zbuloi emrin e princeshës së vogël, Amina.
Për Princeshën Iman dhe bashkëshortin e saj, Alexander “Jimmy” Thermiotis, kjo shënon nisjen e një rruge të re si prindër. Çifti u martua në mars të vitit 2023 në Aman, dhe pothuajse dy vjet më vonë, ata u bekuan me fëmijën e tyre të parë. Alexander, i cili është bashkëthemelues i një kompanie investimesh në Nju Jork, pas konvertimit në Islam mori emrin Jameel.
Pak orë pas lindjes së Aminës, Princi i Kurorës Hussein dhe Princesha Rajwa vizituan spitalin në Akaba, ku u prezantuan vajzat e tyre. Princesha Iman e vogël pati mundësinë të takonte kushërirën e saj të sapolindur. Në imazhet e publikuara, dy baballarët krenarë shfaqen duke mbajtur vajzat e tyre në krah, të rrethuar nga dashuria dhe lumturia e familjes.