Muaji i shenjtë i ramazanit sapo ka nisur, dhe një prej figurave më të dashura të muzikës shqiptare mungon më shumë se kurrë. Në një postim thellësisht prekës, Selvie Jao ka ndarë me ndjekësit dhimbjen e saj për mungesën e bashkëshortit, këngëtarit të ndjerë Shpat Kasapi, duke e kthyer një moment personal në një reflektim mbi humbjen dhe kujtesën.
Përmes dy fotografive bardh e zi, ku shfaqen të përqafuar, ajo shkruan: “Ramazani po vjen… një vend në tavolinën tonë do të jetë bosh, ashtu siç është jeta jonë pa Shpatin”, një fjali që përmbledh boshllëkun e thellë që lë pas një dashuri e ndërprerë. Më tej, në një thirrje që tejkalon kufijtë e familjes, Selvia lutet:
“Në lutjet tuaja këtë muaj, ju lutem mos e harroni edhe Shpatin. Një lutje për shpirtin e tij. Allahu e mëshiroftë.”
Mesazhi i saj, i mbyllur me urimin “E juve Inshallah Allahu ua lehtësoftë dhe ua pranoftë këtë muaj të bekuar!”, nuk është vetëm një dedikim për njeriun e zemrës, por një akt publik kujtese, një kujtesë se dhimbja nuk shuhet me kohën, por mësohet të jetohet me të. Selvie Jao zgjodhi autenticitetin, duke e kthyer “tavolinën bosh” në simbol të dashurisë që vazhdon përtej mungesës.








