Kjo është një listë e atyre që na bëjnë të ndihemi krenarë, pasi arritjet personale i kanë vendosur në shërbim të komuntetit.
Reperi Noizy, është shumë i dashur për publikun jo vetëm për këngët e tij, por edhe për iniciativat e shumta humanitare që ndërmerr për të ndihmuar njerëzit në nevojë. Noizy siguroi transportin me një avion special të vogëlushes Reanta që kishte nevojë për ndërhyrje jashtë shtetit. Gjithashtu ai dhuroi një karrocë për invalidë për një zonjë që kishte 34 vite si invalide. Por ajo që pati më shumë bujë mediatike ishte ndihma që këngëtari dha gjatë emisionit “Opinion”, ku u shpreh se do të ndërtonte të gjithë shtëpinë e një familjeje në nevojë. Ka edhe plot raste të tjera bamirësie nga Noizy, të cilat ai ka preferuar t’i bëjë në heshtje si kujdesi për shtëpitë e fëmijëve në Durrës e Tiranë.
Ish-kapiteni i Kombëtares Lorik Cana, njihet për veprat e tij të herpasherëshme të bamirësise. Këtë vit ai krijoi edhe fondacionin “Lorik Cana 5 Foundation” që shërben për nevojat e artit, sportit dhe kulturës. Ai do t’u mundësojë gjithashtu të rinjve të talentuar, me pamundësi ekonomike, ushtrimin e pasioneve të tyre.
Fubollisti Mërgim Mavraj, këtë vit u bë personazh kryesor edhe në mediat gjermane, sepse u kishte bërë përshtypje se si ai nuk kishte shkuar me pushime si gjithë shokët e tij, por kishte ndenjur në Shqipëri për të ndihmuar njerëzit në nevojë. I pyetur se përse e bën këtë gjë ai u shpreh: “Unë mund të blej një orë ‘Rolex’ në Gjermani ose të ndërtoj një shtëpi në Shqipëri për një familje me shtatë persona. Tani kam privilegjin që të fitoj shumë para duke luajtur futboll. Përveç kësaj, kisha mundësinë të njihja shumë njerëz të rëndësishëm dhe me influencë. Unë dua të shfrytëzoj këtë rrjet, ta përdor siç duhet dhe të bëj gjëra të mira”.
Këngëtarja shqiptare me famë botërore Rita Ora, këtë vit hodhi në ankand privat një portret të sajin i cili kushtonte 20.000 paund. Të ardhurat nga shitja e portretit shkuan në ndihmë të grave të prekura nga kanceri i gjirit, sepse dhe vetë nëna e Rita Orës përpara shumë vitesh luftoi me këtë lloj kanceri dhe arriti ta mposhtë.
Këngëtari Shpat Deda zhvilloi disa koncerte bamirësie në Prishtinë, Londër dhe Tiranë. Të gjitha të ardhurat e mbledhura shkuan për fondacionin ‘Kujdesi për Fëmijët e Kosovës’, i cili kujdeset që të gjithë fëmijët të kenë ilaçet e nevojshme dhe të domosdoshme për t’u trajtuar nga kanceri.
Fushata e ndërmarrë nga moderatorja Albana Osmani, “Ti je një Luledielli”, pati si qëllim shitjen e bluzave me logon e lulediellit dhe të gjitha të ardhurat e grumbulluara nga shitja e tyre shkuan për fëmijët e prekur nga sëmundjet e gjakut që trajtohen pranë spitalit të pediatrisë në shërbimin e onko-hematologjisë. Albana ka ndërmarrë edhe dy fushata të tjera, njërën në Kosovë dhe tjetrën sërish në Shqipëri.
Këngëtarja Leonora Jakupi njihet për nismat e shpeshta në ndihmë të njerëzve që e rrethojnë. Në muajin e shenjtë të Ramazanit këngëtarja vendosi që të qëndronte pranë njerëzve në nevojë me ndihma në ushqime.
Çifti i dashuri i artistëve Xhensila Myrtezaj dhe Bes Kallaku në nëntor të këtij viti vizituan Famullinë e Kishës në Rragamë të Shkodrës. Ata dhanë kontributin e tyre për familjet në nevojë dhe gjesti i tyre preku të gjithë fansat pa dallim feje. Edhe më herët Xhensila dhe Besi janë bërë pjesë e fushatave të ndryshme të bamirësisë. Besi merr pjesë prej vitesh ne festat për fëmijët e policëve të rënë në detyrë, në festat e fëmijëve jetimë, etj.
Moderatorja Floriana Garo njihet prej vitesh për fushatat e bamirësisë që ndërmerr… Si organizatore e një serie aktivitetesh, Floriana këtë vit u bashkua me nismën e “Fundjavës Ndryshe” për të ndihmuar disa familje.
Modelja e njohur Emina Çunmulaj u bashkua këtë vit me “Fundjavën Ndryshe” për të ndihmuar disa familje në gjendje shumë të vështirë ekonomike në Shkodër. Gjithashtu së fundmi Emina dha dhe lajmin se tashmë është anëtare e bordit të kësaj organizate dhe u bëri thirrje të gjithë atyre që kanë mundësi të ndihmojnë sa më shumë.
Pjesë e “Fundjavës Ndryshe” të drejtuar nga Arbër Hajdari, janë bërë me dhjetëra personazhe publike, duke dhënë shembullin e tyre të mirë se si të gjithë bashkë mund të ndihmojmë më shumë. Nën moton “Bamirësia nuk të varfëron” kanë kontribuar për familjet në nevojë emra si: Blendi Fevziu, Eni Çobani, Alban Skënderaj, Julian Deda, Klea Huta, Riselda Sejdia, etj.
Princ Leka dhe Elia Zaharia , përmes fondacionit “Mbretëresha Geraldinë” ndihmuan në Burrel disa familje në varfëri ekstreme.
Fatmir Hysenbelliu, së bashku me fondacionin “Fab Foundation” përpara pak ditësh bëri një vizitë në qendrën e zhvillimit të fëmijëve “Pëllumbat” dhe dha ndihma për fëmijët me aftësi të kufizuara.
Janë edhe emra si aktori Gaz Paja, deputeti dhe biznesmeni Agron Shehaj, tenori Saimir Pirgu, moderatorja Xhemi Shehu, etj, që kanë zgjedhur të bëhen donatorë pranë fondacionit “Down Syndrome Albania”.
Ndërkohë, ka edhe shumë personazhe të tjerë që zgjedhin t’i bëjnë në heshtje bamirësitë e tyre. Personazhe si Aurela Gaçe, Arbana Osmani, Florian Binaj, Armina Mevlani, etj, që nuk kanë zgjedhur të mos i bëjnë publike rastet e familjeve që ndihmojnë.
Kjo ishte një listë e shkurtër të njerëzve të mirë të 2017-tës. Urojmë që rastet dhe iniciativat e tilla të shtohen në numër gjatë 2018-tës.