Në një familje ku marka është trashëgimi dhe ambicia vjen me ADN-në, North West po bën hapin e saj më të madh deri tani. Vetëm 12 vjeçe, vajza e Kim Kardashian dhe Kanye West po hyn zyrtarisht në botën e biznesit me një markë që mban emrin “NOR11”, një kombinim i shkronjave të para të emrit të saj dhe moshës kur lindi ideja.
Dokumentet e depozituara për marka tregtare zbulojnë një plan të qartë. Veshje, aksesorë, bizhuteri, produkte bukurie dhe madje edhe çanta e portofola, një univers i plotë lifestyle që shkon përtej një koleksioni të thjeshtë.
Sipas aplikimeve të paraqitura, Kim është regjistruar si drejtuese e vetme e sipërmarrjes, duke mbikëqyrur çdo detaj të zhvillimit, ndërsa adresa e zyrës përkon me menaxherin e saj të biznesit, Lou Taylor, një emër i njohur në industrinë e menaxhimit të yjeve. Një lëvizje që sugjeron se “NOR11” nuk është thjesht një eksperiment adoleshent, por një projekt i menduar për t’u shndërruar në brand global.
Në universin Kardashian, ku çdo brez rishpik veten në mënyrë më të madhe se i mëparshmi, North West po hyn në skenë jo vetëm si trashëgimtare, por si CEO e së ardhmes së saj. Dhe nëse historia e kësaj familjeje na ka mësuar diçka, është se emrat që lindin në këtë shtëpi rrallë mbeten thjesht emra, bëhen marka.








