Prej vitesh, moderatori i njohur Eno Popi ndan jetën e tij mes Shqipërisë dhe Kanadasë. Familja e tij, bashkëshortja dhe vajza 6-vjeçare, jetojnë në Kanada, ndërsa ai udhëton shpesh për shkak të angazhimeve profesionale. Kjo ndarje gjeografike e ka bërë lidhjen me të bijën edhe më të veçantë, duke shtuar përpjekjet e tij për të qenë sa më i pranishëm në jetën e saj.
I ftuar në emisionin “S’e luan Topi” të moderuar nga Erjona Rusi, Eno ndau disa momente nga përvoja e tij si baba. Edhe pse e përshkruan veten si një prind të përkushtuar, ai pranon se shpesh e vë në dyshim aftësinë e tij për të qenë një baba i mirë.
Duke u kthyer pas në kohë, Eno rrëfen emocionet e përziera që ndjeu kur mësoi për herë të parë se do të bëhej baba. Ai kujton momentin si një periudhë transformuese, plot sfida dhe ndryshime.
“Në fillim unë jam trembur nga kjo. Ka qenë një stad jete, të cilin ne e kërkonim, ende edhe pa qenë gati, dhe kur ndodhi, m’u duk sikur çdo gjë duhet ta timonoja ndryshe, me mënyrën se si duhet të përshtateshim me një fëmijë që rritej dhe kërkonte vëmendjen,”– shpjegon ai.
Kur pyetet për stilin e tij prindëror, Eno tregohet i sinqertë dhe i hapur. “Nuk e di a jam baba i mirë. Kur të rritet Liv, do të ketë një konkluzion nëse kam qenë baba i mirë mjaftueshëm…” .
Prej vitesh Eno jeton mes Shqipërisë dhe Kanadasë, aty ku jeton familja e tij, partnerja Atena dhe e bija.
Për këtë raport i cili është komentuar kohët e fundit, ai tha se nuk i ka larguar aspak, por e ka bërë dashurinë dhe lidhjen mes tyre edhe më të fortë.