Nëse jeni ende në mëdyshje se ç’libër të lexoni këtë javë, ju japim një sugjerim. “Kafshët” nga Miguel Torga, një univers i skicuar në 14 tregime, ku njerëz e kafshë bashkëndajnë karakteristikat, si edhe peripecitë e jetës, duke ngritur pyetje thelbësore mbi shoqërinë dhe vetë ekzistencën.
Titulli: Kafshët
Titulli në origjinal: Os Bichos
Autor: Miguel Torga
Përktheu: Suadela Balliu
Zhanri: Tregime
Data e botimit: korrik, 2021
Numri i faqeve: 132
Çmimi: 700 lekë
Koleksioni: Skandal
Ky botim realizohet falë ndihmës financiare të programit
Europa Krijuese.
Mbi koleksionin “Skandal”
Vëllimi me tregime “Kafshët” është i pari që çel siparin e një koleksioni të ri
për Botimet Pegi, mbështetur nga Europa Krijuese.
Koleksioni me emrin “Skandal” do të mbledhë tetë autorë të ndryshëm
europianë, të cilët përmes veprave të tyre, skandaloze për kohën e botimit,
kanë sjellë një revolucion në mënyrën e të menduarit.
Po në këtë projekt, në bashkëpunim me shtëpinë botuese gjermane Schenk
Verlag GmbH, do të botohen në Gjermani edhe dy autorë shqiptarë: Tom
Kuka me “Gurët e vetmisë” dhe Ndriçim Ademaj me “Pa heronj, pa bujë”.
Veprat e shkrimtarëve shqiptarë që do të botohen në Gjermani pritet të cekin
disa taste të ndjeshme dhe të shkaktojnë njëfarë zhurme, për shkak të
tematikës së tyre dhe plagëve që nxjerrin në pah.
Të gjitha veprat trajtojnë tema delikate, shfaqin subjekte të ndjeshme, e kanë
një stil dhe gjuhë shpeshherë provokues. Veprat që do të botohen në gjuhën
shqipe, në shumicën e rasteve janë futur në listat e zeza të vendeve përkatëse,
janë censuruar ose kanë shkaktuar trazira në vendin e origjinës, në kohën që
janë botuar ose dhe më vonë.
Autorë si: Camilo J. Cela, Barbey d’Aurevilly, Alberto Moravia, Edna O’Brien,
Frank O’Conner, M. Caragatsis dhe Christiane F. kanë shkruar vepra, që kanë
rrëzuar barrierat e perceptimit publik mbi të mirën dhe të keqen. Ato kanë
shërbyer si katalizatorë të frikës dhe zemërimit të njerëzit dhe e kanë përballur
shoqërinë me vetveten.
Libri me një fjali
Toka, Kafshët dhe Njeriu të vëllazëruar në të njëjtën luftë: Jeta.
Informacion i përgjithshëm rreth librit
“Kafshët” e Miguel Torga-s është një univers i skicuar në 14 tregime, ku njerëz
e kafshë bashkëndajnë karakteristikat, si edhe peripecitë e jetës, duke ngritur
pyetje thelbësore mbi shoqërinë dhe vetë ekzistencën.
Ky klasik i letërsisë portugeze, u botua për herë të parë më 1940-n. Secili nga
14 tregimet ka një personazh: një kafshë të humanizuar apo një njeri që është
thuajse kafshë dhe të gjithë jetojnë në luftë me natyrën, Zotin apo me veten.
Të ndryshëm mes veti në veçantitë e tyre, këto “bishëza”, kafshë e njerëz, janë
të gjithë në të njëjtën “Barkë të Noes”, toka amë, të vëllazëruar në një luftë të
njëllojtë për jetën e për lirinë. Historitë e tyre përfaqësojnë dilema shumë
njerëzore. Në këtë libër, njeriu është një kafshëz më shumë mes të tjerëve e
nuk zë një vend të privilegjuar në krijim.
Për Miguel Torga-n, evolucioni e largoi Njeriun nga natyra, duke e dënuar me
humbje dhe udhëton me “kafshëzat” në kërkim të thelbit të tij të pazbutur, të
pastërtisë së instinktit, duke vendosur në pikëpyetje Zotin, lirinë, shoqërinë
dhe marrëdhënien e individit me to.
“Barka e Noes” e Torga-s, në secilën histori, sjell si personazh kryesor, një
kafshë në luftë me elementet e natyrës, Zotit apo Njeriut. 14 tregimet e librit
janë: Neroni, një qen i vjetër gjuetie; Magoja, macja e dënuar me dashurinë e
Dona Saneias; Madalena, kushtet e rezistencës së një gruaje; Morgadoja,
mushka të cilit i bën padrejtësi i zoti; Bamboja, bretk që njihte shkencën e
jetës; Tenorio, një gjel i torturuar nga dilemat; Jezui, i Biri i Zotit në çdo
mrekulli jete; Çiçikallja, një gjinkallë në formimin e vetes; Ladino, harabeli
tinëzar; Ramiro, natyrshmëria e dhunës; Zioshi (Farrusko), mëllenja gazmore;
Miura, demi me madhështi morale; zoti Nikolau, njeriu-insekt mes insekteve
dhe Visente, korbi në përballje me Krijuesin.
I shënjuar thellë nga mjedisi i fëmijërisë dhe adoleshencës, autori shkon të
kërkojnë personazhet dhe veprimet e veprës së tij narrative në gjirin e natyrës,
duke pasur parasysh virtytet dhe veset e Njeriut.
Kritika
Fakti që është vetë kafsha, e cila pikas sjelljen frikacake të njeriut dhe habitet,
i jep një peshë të veçantë akuzës dhe tezës së mizorisë së qenies njerëzore.
Njerëzit, në fund, sado që i atribuojnë vetes krenarinë e “epërsisë” së
njerëzimit, shpesh sillen si kafshë, siç edhe janë: madje në shumicën e rasteve,
sillen në mënyrë shumë më pak “humane” sesa kafshët, aq sa edhe vetë këto
të fundit ndiejnë neveri.
Prof. Joao Camilo dos Santos, Universiteti i Kalifornisë
“Vështirë të thuhet se janë thjesht fabula: në fakt, prania e kafshëve është në
vetvete e pamjaftueshme, nga njëra anë, për të përkufizuar ekzistencën e
fabulës; nga ana tjetër, marrëdhëniet në fjalë përkufizohen më herët, nga
struktura dhe ekonomia e brendshme, si tregime.
C. Reis dhe Ana C. M. Lopes, 1996.
Ky humanizëm i Migel Torga-s, me themel logjik dhe emocional, nuk është
humanizëm i huazuar në teori. Racionalizmi i tij sui generis është racionalizëm
human, që ka bazat në arsyet e dhembshurisë, të butësisë, të njerëzimit, arsye
që shumë herë, njerëzisht, komandojnë më shumë sesa logjika.
Jose Melo, kritik portugez, në librin e tij “Miguel Torga, Vepra dhe Njeriu”, kapitulli
“Humanizmi i Miguel Torga”
Është domethënëse që, në 14 tregimet e librit “Kafshët”, nëntë përfundojnë
me vdekje: Neroni, Madalena, Morgado, Bambo, Tenorio, Çiçikallja, Ramiro,
Miura, Zoti Nikolau. Nga pesë të tjerat, katër janë himn për jetën: Visente,
Farrusko, Ladino, Jezui dhe Mago. Aty është historia tipike e një zvetënimi, e
një të dëbuari, që këmben lirinë me rehatinë.
Teresa Rita Lopes, shkrimtare portugeze
Bëhen njëzetepesë vjet që kur Miguel Torga botoi “Kafshët”. Kafshët u rritën,
arritën pjekurinë, veshën rasën priftërore të njerëzimit që vetëm koha është
në gjendje ta japë. Tregimet e kafshëve dhe tregimet e njerëzve përzihen, duke
u bërë njësh në të njëjtën kohë. Gërshetimi është aty, nën lëkurë, vishet
çuditshëm për t’iu shfaqur botës, në shëtitjet e Magos, në shëmbëlltyrën e
Tenorios. Kafshët janë njerëz dhe njerëzit janë kafshë. Përmbajtja e këtyre
tregimeve e dërrmon një vdekatar…
Ruben A. Diario Popular për 25 vjetorin e librit “Kafshët”.
Autori
Miguel Torga (1907-1995), pseudonim i Adolfo Correia da Rocha-s, është
shkrimtar dhe poet portugez. Në poezitë dhe romanet e tij ngre në kult
fisnikërinë e gjendjes njerëzore, pavarësisht nga fuqia e Zotit, të cilin e sheh
si një krijues shpërfillës, krejt të munguar në jetën e individit.
Ai është fitues i çmimit Camões, më 1989, çmimi më i rëndësishëm letrar në
Portugali. Gjithashtu, ka qenë disa herë kandidat për çmimin Nobel.
Fragmente nga libri
1) Kafshëza ishte njëmend e ngordhur. I futi dhëmbët. Iku pafajësia!
Ndjeu t’i gudulisej goja… Befas, një aromë e fortë, depërtuese dhe e
ëmbël i vërshoi në nofull, stomak, në të gjithë trupin. Ishte i pari çast i
madh i jetës së tij…
2) Dhembshuria e zonjës nuk iu nda kurrë. Në fillim madje u përpoq të
reagonte; por, në fund, trupi, trupi i mjerë, u mësua me kanapenë. E
marra, mendonte se dashuria ishte e ndërsjellë. Më mirë kështu! Nuk
është për macet miqësia e sinqertë. Kush kapet pas të mbyturit, mbytet
edhe vetë. Me kalimin e kohës e pushtoi plogështia… Kur e vuri re,
ishte i humbur. Ndonjëherë ia kishte ënda për jetën jashtë shtëpie.
Mjerisht, punët i shkonin keq.
3) Deri atëkohë, e dinin vetëm ajo dhe Zoti. As zuzarit që ia kish bërë
këtë nuk i shkonte mendja… Gjithnjë kish qenë e zonja e vetes. Kishte
gabuar, ç’është e vërteta, por ia kishte dalë ta fshihte njollën në sytë e
botës – njollën më të madhe që mund të ndotë një grua.