Në një bisedë me ndjekësit në “Instagram”, Alketa Vejsiu tregoi se e sheh veten lehtësisht në drejtimin e një edicioni të Big Brother VIP Kosova, qoftë pas kamerave, qoftë në rolin e gazetares. Ajo u shpreh me siguri se një projekt i tillë “do të ishte bast i fituar”, duke shtuar:
“Hah, duhet ta bëja një edicion unë. Në rolin e producentes dhe gazetares së një reality show s’më keni imagjinuar, por do të ishte bast i fituar.”
Moderatorja komentoi edhe përmbajtjen që ka qarkulluar këtë vit nga formati, duke e konsideruar tejet të tepruar në disa momente. Ajo u shpreh se niveli është ulur dhe se disa situata që ka parë në rrjet nuk i duken aspak të përshtatshme:
“Do ta prezantoja mirë, do ta ngrija nivelin, sepse te Big-u i Kosovës, me ç’shoh në rrjetet sociale, është tejkaluar çdo limit etik. Nuk jam për porno në mes të ditës, kurrsesi. Shoh skena që të krijojnë bezdi, diskomfort. Shtysa kryesore është ‘seksi shet’.”
Vejsiu theksoi se televizioni nuk duhet të bëhet pre e çdo forme vulgariteti dhe se suksesi i një formati nuk duhet të mbështetet vetëm te provokimi:
“S’do shisja gjithçka për suksesin e një formati televiziv. TV ka një mision, është hapësirë shumë e privilegjuar.”
Ajo kritikoi edhe disa prej personazheve të përzgjedhur këtë sezon, duke vënë në dyshim rolin dhe përfaqësimin e tyre publik:
“Pse duhet të bëhen model ca modele që s’përfaqësojnë asgjë, veç tundin të pasmet dhe na japin leksione erotizmi.”
Megjithatë, Alketa nuk la jashtë vlerësimin për disa konkurrentë që i kanë pëlqyer, duke theksuar se formati në vetvete ka potencial për të sjellë sukses pa rënë në vulgaritet:
“Formati, ama, është eksperiment social televiziv i provuar për numrat dhe suksesin. Nuk e kontestoj. Mendoj që, edhe duke rritur nivelin e personazheve dhe narrativën, sukses dhe lajm mund të prodhohet njësoj.”
“I shpall luftë vulgaritetit dhe ata që futen do të doja shumë të kishin ç’të tregonin dhe sillnin. Ka personazhe interesantë që më kanë pëlqyer, ndaj s’dua ta përgjithësoj këtë qëndrim.”








