Këngëtarja e njohur shqiptare Parashqevi Simaku ka reaguar publikisht për herë të parë pas shpërndarjes së disa mesazheve të pavërteta që, sipas saj, janë prodhuar me ndihmën e inteligjencës artificiale. E lënduar nga përmbajtja e tyre dhe ndikimi që po kanë në publik, artistja ka vendosur të mos qëndrojë më në heshtje.
Në një reagim të ndjerë në rrjete sociale, Simaku ka theksuar se është përballur me një sasi të madhe mesazhesh që synojnë ta dëmtojnë imazhin e saj përmes lajmeve të rreme.
“Kam marrë mijëra mesazhe ku më dërgohen disa mesazhe të krijuara me programe, që janë plotësisht gënjeshtra dhe nuk kanë asnjë lidhje me mua. Dua t’ju siguroj se asgjë prej tyre nuk është e vërtetë,” shkruan ajo.
Këngëtarja thekson se, pavarësisht se jeta e saj ka qenë shpesh në qendër të vëmendjes, ajo vijon të mbajë disa gjëra të shenjta për veten.
“Historia ime është bërë publike, por ka gjëra personale që nuk do t’i zbuloj kurrë. Jam besimtare dhe besoj me gjithë zemër se Zoti do të bëjë drejtësinë e tij në kohën e duhur,” shprehet Simaku.
Ajo shton se ky është dhe reagimi i saj i vetëm në lidhje me këtë situatë, duke u drejtuar ndjekësve me një mesazh të qartë:
“Të dashur miq, nuk kam dashur kurrë të reagoj ndaj gënjeshtrave dhe sulmeve të padrejta që disa persona përpiqen t’i hedhin mbi imazhin tim. Por tashmë situata ka kaluar çdo kufi dhe nuk mund të hesht më…Është e rëndësishme që ju, ndjekësit e mi të dashur, të dini të vërtetën dhe të mos ndikoheni nga fjalët e rreme që po qarkullojnë. Dua vetëm që të dini se unë nuk jam ajo që këta njerëz përpiqen të paraqesin dhe do të vazhdoj të qëndroj krenare dhe e fortë pavarësisht sfidave.”
Ky reagim i prerë i Parashqevi Simakut vjen në një kohë kur përdorimi i teknologjisë për të shpërndarë informacione të rreme po bëhet gjithnjë e më shqetësues në botën e figurave publike.








