Një moment i papritur tensioni ka tronditur ambientin e shtëpisë së Big Brother VIP Albania, ku një debat verbal mes Ilir Vrenozit dhe Juxhin Plovishtit ka degraduar në një situatë që për pak sa nuk u kthye në përplasje fizike.
Sipas pamjeve që po qarkullojnë, gjithçka duket se nisi nga një koment i Juxhinit, i cili nuk u prit aspak mirë nga Iliri. Reagimi i këtij të fundit ishte i menjëhershëm dhe i ashpër, duke u ngritur drejt bashkëbanorit, ndërsa ndërhyrja e shpejtë e banorëve të tjerë shmangu çdo përballje direkte.
Zërat u ngritën dhe nervat shpërthyen, teksa në video dëgjohet qartë Ilir Vrenozi duke bërtitur: “Nuk tallet dot kush me mua, ik zhduku!”. Fjala e fortë e tha gjithçka për nivelin e tensionit që kishte arritur situata.
Ironia qëndron në faktin se vetëm pak orë më parë, gjatë hyrjes së Juxhinit në shtëpi, marrëdhënia mes tyre ishte krejt ndryshe. Vrenozi e kishte përqafuar dhe mirëpritur publikisht, ndërsa askush nuk do ta imagjinonte se në më pak se 24 orë raporti mes dy banorëve do të përmbysej totalisht.
Përplasja ka marrë edhe më shumë vëmendje për shkak se të dy janë nga Korça, çka e ka bërë ngjarjen edhe më të komentuar në rrjet. Mbetet për t’u parë nëse kjo përballje do të ketë pasoja në lojë apo do të shënojë vetëm fillimin e tensioneve të reja brenda shtëpisë më të famshme në Shqipëri.








