Brooklyn Beckham ka bërë publike një deklaratë të gjatë dhe të drejtpërdrejtë, ku flet hapur për marrëdhënien e tij me familjen, presionin e vazhdueshëm mediatik dhe arsyet që e kanë shtyrë të distancohet prej tyre.
“Kam qëndruar në heshtje për vite me radhë dhe kam bërë çdo përpjekje që këto çështje të mbeteshin private. Fatkeqësisht, prindërit e mi dhe ekipi i tyre kanë vazhduar të shkojnë në media, duke mos më lënë asnjë zgjidhje tjetër veçse të flas vetë dhe të tregoj të vërtetën për vetëm një pjesë të gënjeshtrave që janë botuar. Nuk dua të pajtohem me familjen time. Nuk jam i kontrolluar nga askush, përkundrazi, për herë të parë në jetën time po mbroj veten.
Gjatë gjithë jetës sime, prindërit e mi kanë kontrolluar narrativat në media për familjen tonë. Postimet formale në rrjetet sociale, eventet familjare dhe marrëdhëniet jo të sinqerta kanë qenë pjesë e pandashme e jetës në të cilën kam lindur. Së fundmi, i kam parë me sytë e mi deri ku janë të gatshëm të shkojnë për të treguar pafund gënjeshtra në media, kryesisht në kurriz të njerëzve të pafajshëm, vetëm për të ruajtur fasadën e tyre. Por unë besoj se e vërteta gjithmonë del në dritë.
Prindërit e mi janë përpjekur pa pushim të shkatërrojnë marrëdhënien time që përpara dasmës sime dhe kjo nuk ka ndalur asnjëherë. Mamaja ime anuloi në momentin e fundit realizimin e fustanit të Nicolës, pavarësisht sa e emocionuar ishte ajo për ta veshur dizajnin e saj, duke e detyruar të gjente me urgjencë një fustan tjetër. Javë para ditës sonë të madhe, prindërit e mi ushtruan vazhdimisht presion dhe u përpoqën të më joshin me para që të firmosja heqjen dorë nga të drejtat mbi emrin tim, gjë që do të ndikonte tek unë, bashkëshortja ime dhe fëmijët tanë të ardhshëm. Ata këmbëngulnin që ta nënshkruaja përpara dasmës, sepse atëherë do të hynin në fuqi kushtet e marrëveshjes. Refuzimi im ndikoi te pagesa që prisnin dhe që nga ajo kohë nuk më kanë trajtuar më njësoj.
Gjatë përgatitjeve të dasmës, mamaja ime shkoi deri aty sa më quajti “i keq”, sepse Nicola dhe unë vendosëm të përfshinim në tavolinën tonë gjyshen time Sandra dhe kumbarën e Nicolës, pasi të dyja nuk i kishin bashkëshortët. Të dy palët e prindërve kishin tavolinat e tyre, po aq pranë tonës. Natën para dasmës, disa anëtarë të familjes sime më thanë se Nicola “nuk është gjaku im” dhe “nuk është familje”.
Që nga momenti kur fillova të mbroj veten përballë familjes sime, kam marrë sulme të pandërprera nga prindërit e mi, si privatisht ashtu edhe publikisht, të dërguara në media me urdhrin e tyre. Edhe vëllezërit e mi u shtynë të më sulmonin në rrjetet sociale, përpara se të më bllokonin papritur verën e kaluar.
Mamaja ime e vodhi skenën e kërcimit tim të parë me bashkëshorten, i cili ishte planifikuar prej javësh me një këngë romantike. Përpara 500 të ftuarve të dasmës sonë, Marc Anthony më thirri në skenë, ku sipas programit duhej të ishte kërcimi im romantik me gruan time, por në vend të saj po më priste mamaja ime. Ajo kërceu në mënyrë shumë të papërshtatshme me mua, para të gjithëve. Nuk jam ndier kurrë më i parehatshëm apo më i poshtëruar në gjithë jetën time.
Ne donim të rinovonim betimet tona martesore për të krijuar kujtime të reja nga dita e dasmës që të na sillnin gëzim dhe lumturi, jo ankth dhe turp. Bashkëshortja ime është përçmuar vazhdimisht nga familja ime, pavarësisht përpjekjeve tona për të qenë të bashkuar. Mamaja ime ka ftuar vazhdimisht gra nga e kaluara ime në jetën tonë, në mënyra që ishin qartësisht të qëllimshme për të na bërë të dyve të ndihemi keq.
Megjithatë, ne udhëtuam në Londër për ditëlindjen e babait tim dhe u refuzuam për një javë të tërë, duke qëndruar në hotel dhe duke u përpjekur të planifikonim kohë cilësore me të. Ai refuzoi të gjitha përpjekjet tona. Kur më në fund pranoi të më takonte, kushti ishte që Nicola të mos ishte e ftuar. Ishte një shuplakë në fytyrë. Më pas, kur familja ime udhëtoi në Los Anxhelos, ata refuzuan të më takonin.
Familja ime vë mbi gjithçka promovimin publik dhe marrëveshjet komerciale. “Brand Beckham” vjen i pari. “Dashuria” familjare matet me sa poston në rrjetet sociale ose sa shpejt lë gjithçka për t’u shfaqur dhe për të pozuar për një foto familjare, edhe nëse kjo bie ndesh me angazhimet tona profesionale. Për vite me radhë kemi bërë gjithçka për të qenë prezentë dhe për të mbështetur çdo shfaqje mode, çdo festë dhe çdo aktivitet mediatik për të treguar “familjen tonë perfekte”. Por herën e vetme kur bashkëshortja ime kërkoi mbështetjen e mamasë sime për të shpëtuar qentë e zhvendosur gjatë zjarreve në Los Anxhelos, ajo refuzoi.
Narrativa se bashkëshortja ime më kontrollon është krejtësisht e pavërtetë, madje është e kundërta.
Unë jam kontrolluar nga prindërit e mi për pjesën më të madhe të jetës sime. Jam rritur me ankth të madh. Për herë të parë në jetën time, që kur jam distancuar nga familja ime, ai ankth është zhdukur. Zgjohem çdo mëngjes mirënjohës për jetën që kam zgjedhur dhe kam gjetur paqe e lehtësim.
Unë dhe bashkëshortja ime nuk duam një jetë të formësuar nga imazhi, media apo manipulimi. Gjithçka që duam është paqe, privatësi dhe lumturi për ne dhe familjen tonë të ardhshme” , shkruan Brooklyn Beckham.








