Aktori dhe moderatori i njohur, Agron Llakaj, ka ndarë një rrëfim prekës për humbjen e bashkëshortes së tij të ndjerë, Kostandina Llakaj, duke sjellë në vëmendje dhimbjen, forcën dhe dashurinë që e shoqëroi deri në momentet e fundit të jetës së saj.
“Nuk mora amanet nga Kostandina, nuk pranova. Kam mbajtur më shumë sesa duhet,” rrëfeu ai me emocion në podcastin e Grida Dumës, duke shtuar se nuk mund të pranonte idenë e largimit apo ndarjes, sepse ajo ishte zemra e familjes.
Agroni kujtoi edhe udhëtimin e fundit në Turqi, ku shpresa për shërim mori fund:
“U zhgënjyem… kur ikëm në Turqi herën e fundit, thikën e mora unë. Doktori më mori mënjanë dhe më tha se mbaroi. I thashë: “Po ti the 5-6 vjet? Çdo gjë do ta shisnim për të fituar jetën e Kostandinës.”
Megjithatë, për dy javë me radhë, ai e mbajti të vërtetën vetëm për vete:
“Duhej të gënjeja… për dy javë nuk e di si rrotullohesha. Ua thashë fëmijëve dhe vazhduam të silleshim sikur s’kishte ndodhur gjë, deri në fund.”
Edhe pse e dinte se ditët e bashkëshortes ishin të numëruara, Llakaj vazhdonte të shfaqej në ekran me buzëqeshje:
“Dilja në emision, qeshja me shpirt në ekran, që ajo të thoshte: ‘Ai qesh, unë jam mirë.’”
Një nga momentet më të ndjeshme, aktori e kujtoi me zë që i dridhej:
“Në momentet e para nuk e kupton ku je… I kërkova vajzës, i thashë: ‘Zemra e babit, mami e meriton të ikë si një nuse e bukur.’ I bëmë grim profesional. Qëndruam të dy aty, duke qarë, duke e përgatitur për udhëtimin e fundit.”
Pas ndarjes nga jeta e bashkëshortes, për Agronin nisi periudha më e vështirë:
“Për shumë ditë e netë nuk kam dashur të jetoj… Doja të ikja, t’i bashkohesha asaj. Por fëmijët m’u përgjëruan dhe më thanë: “Babi, jemi ne”.








