Në një mbrëmje që pritej të hynte në histori, ceremonia e 98-të e Çmimeve Oscar në Teatrin Dolby të Los Anxhelosit u dominua nga filmi “One Battle After Another” i regjisorit Paul Thomas Anderson, i cili u shpall Filmi më i Mirë dhe rrëmbeu gjithsej gjashtë statuja, duke u kthyer në fituesin absolut të edicionit 2026. Për Anderson, ky triumf shënon një moment historik në karrierë: pas dekadash nominimesh dhe vlerësimesh kritike, regjisori amerikan mori për herë të parë çmimin më të madh të Akademisë.
Në fjalimin e tij të pranimit, Anderson zbuloi motivimin personal pas projektit, duke thënë se e krijoi filmin për fëmijët e tij dhe për t’u kërkuar falje për realitetin që brezat e rinj po trashëgojnë. “E bëra këtë film për fëmijët e mi, për t’u kërkuar falje për rrëmujën që po lëmë në këtë botë,” u shpreh ai, duke shtuar se shpreson që gjenerata e re të rikthejë “arsyen dhe dinjitetin” në shoqëri. Një mesazh që u prit me duartrokitje të gjata në sallë dhe që i dha mbrëmjes një ton reflektues përtej festës së kinemasë.
Filmi, një dramë epike që ndërthur historinë personale me tensionet politike dhe shoqërore të kohës, fitoi gjithashtu çmime për Regjinë më të Mirë, Skenarin më të Mirë të Përshtatur, Montazhin dhe Kastin e aktorëve, duke konfirmuar statusin e tij si një nga veprat më të diskutuara të vitit. Në të njëjtën garë, rivali kryesor “Sinners” hyri në histori me 16 nominime, më shumë se çdo film tjetër në historinë e Oscar-eve, por nuk arriti të triumfojë në kategoritë kryesore.
Mbrëmja rezervoi edhe momente të tjera të rëndësishme. Sean Penn fitoi Oscar-in e tij të tretë, këtë herë si Aktori më i Mirë në Rol Dytësor, ndërsa Michael B. Jordan u vlerësua për performancën e tij në “Sinners”. Po ashtu, Autumn Durald Arkapaw bëri histori duke u bërë gruaja e parë dhe personi i parë me ngjyrë që fiton Oscar për Kinematografinë, një moment që u konsiderua një hap i rëndësishëm drejt përfaqësimit më të gjerë në industrinë e filmit.









