Nga revistawho.com / Fotot: Endrit Mërtiri / Hair & Make Up: Suela Cangu
“Nëse do të jem në politikë me kohë të plotë do të më duhet të heq dorë nga televizioni”, – thotë Ori Nebiaj. Pra, nëse pas 25 prillit, Ori do të jetë një nga të votuarit për t’u bërë pjesë e Parlamentit të ri shqiptar, ne do ta shohim nëpër edicione lajmesh, nëpër studio televizive, nëpër komisione ligjesh, nëpër ngjarje të rëndësishme politike; por nuk do kemi më rastin ta dëgjojmë që sa hapim sytë në studion e përditshme të “Wake Up” teksa drejton bashkë me Islin emisionin e mëngjesit dhe bisedon me të ftuarit për muzikë, letërsi, turizëm, sport, spektakët, shëndetësi, drejtësi e çdo gjë tjetër që na shqetëson, argëton e intereson. Dhe meqë jemi të interesi, mbase duke u nisur prej tij duhet ta perceptojmë edhe ne pozicionin e Ori Nebiajt, që për hir të së vërtetës kështu e kemi njohur, përherë të dyzuar mes politikës dhe ekranit. Ndaj tani që ajo po përgatit terrenin për t’u hedhur me të dyja këmbët tek politika, si kandidate për deputete e “Partisë Demokratike” në zgjedhjet e 25 prillit, duke u përgatitur që të lërë gjitha angazhimet e tjera në ekran, mbase as ne nuk do na vinte hiç keq ta shkëmbenim një moderatore me një deputete. Siç nuk do na vinte hiç keq as po të kishim një Parlament të mbushur me deputetë si Ori, e cila para se të garojë si e 18-a në radhë, ka rrëfyer për “Revistën Who” përvojën e saj të re, reagimet e para, perceptimin e saj politik, eksperiencën gjatë fushatës…por pa na bërë premtimet klasike politike. Sepse ajo është një politikane e re por mbi të gjitha është një vajzë e medias, të cilën ne nuk do na vinte aspak keq ta shkëmbenim me një vajzë të politikës.
Si erdhi vendimi për të kandiduar në zgjedhjet e prillit?
Surprizues, por jo i papritur. Them surprizues, pasi në fakt angazhimi dhe investimi im në PD nuk ka pasur për qëllim marrjen e pozicioneve apo posteve të caktuara. Kam zhvilluar disa takime me vajza dhe gra në funksion të fushatës me kreun e partisë, z.Basha, dhe në një nga këto takime më është kërkuar që të angazhohem me kohë të plotë në fushatë pasi do të jem pjesë e listës. Sigurisht që nuk thashë “JO”, pasi, siç e theksova, për mua PD është bindje dhe angazhim.
Si kanë qenë reagimet e para, çfarë të thanë njerëzit e tu të afërt? Njerëzit me siguri duan të dinë po Isli, Isli çfarë të tha?
Reagimet kanë qenë absolutisht pozitive. Unë në fakt kam zgjedhur gjithmonë një profil të ulët politik, kjo edhe për shkak të angazhimit tim profesional në televizion. Por bashkë me mbështetjen personale që kam marrë, kam kuptuar edhe sa shumë nevojë kanë njerëzit për ndryshim. Isli? Pse të mërzitet për shoqen që do bëhet deputete (Qesh). Marrëdhënin me Islin e kam shumë të veçantë, më ka uruar suksese dhe më ka mbështetur shumë këtë muaj, kur duhet që ditët t’i ndaj mes angazhimit të plotë në fushatë dhe mëngjeseve në emison.
A mendon se të rinjtë do ta ndryshojnë vërtet këtë vend, apo ne do vazhdojmë thjesht të shpresojmë që kjo do të ndodhë dhe të rinjtë do mbledhin vota për të çimentuar “të vjetërit”?
Unë kam qenë dhe jam gjithmonë optimiste. Ka qenë një vendimmarrje e menjëhershme kur më kanë komunikuar që do të jem pjesë e listës, që unë të angazhohem për të bindur sa më shumë të rinj që të shkojnë drejt kutive të votimit. Rastësia e solli që unë të jem numri 18, një numër simbol për këdo që ka mundësinë për herë të parë të ketë në dorë fuqinë e votës. Këto zgjedhje do t’i vendosin të rinjtë. Shumë nga ata që më parë refuzonin të flisnin dhe të merreshin me politikë, e kanë kuptuar se vetëm politika e ka në dorë të ardhmen e tyre. Por më shumë se politika, ata kanë në dorë përmes fuqisë së votës nivelin e përfaqësimit.
A nuk janë gazetarët “armiqtë” e politikanëve? Si mund të jesh njëkohësisht në të dyja anët e “barrikadës”?
Absolutisht gazetarët janë kritikë dhe opozitarë të përhershëm me çdo pushtet apo qeverisje. Nuk mund të jetë ndryshe në këtë profesion. Unë nuk bëj ndryshim. Në parti, por edhe në media kam thënë gjithnjë atë që mendoj, edhe atëherë kur gjërat i kam parë ndryshe, nuk kam heshtur. Kam hyrë në politikë jo për t’u nënshtruar, por për të dhënë gjithçka nga vetja për të përmirësuar gjërat që nuk shkojnë siç duhet.
Edhe ekran çdo mëngjes, edhe fushatë, dita jote duhet të jetë shumë e lodhshme?
E lodhshme?(Qesh). Unë nuk jam kurrë natyrë që ankohem. Sepse jam mësuar që çdo gjë në jetën time ta arrij përmes punës dhe angazhimit tim. Mund të them që nuk mbaj mend herën e fundit kur kam fjetur një cikël të plotë 8 orësh gjumi. Fushata ka angazhime të vazhdueshme ndaj edhe menjëherë pas mbarimit të emisionit duhet të jem në takime. Kam vendosur një ‘bast’ me veten që deri ditën e fundit të fushatës të takoj pafund qytetarë në të gjithë Tiranën, për t’i bindur që në 25 prill të shkojnë në zgjedhje. Është një mundësi që nuk duhet ta humb apo ta refuzojë askush.
Ndryshojnë komplimentet që të bëjnë kur je vajzë ekrani nga komplimentet që të bëjnë kur je vajzë politike?
Unë në thelb të politikës shoh angazhimin dhe se sa shumë individi i jep forcës ku aderon. Ekrani është tjetër gjë. Sigurisht që edhe politika kërkon performancën e saj në daljet publike, por unë prej kohësh e kam gjetur veten tek xhaketat. Pra, e kisha kostumin politik para se të bëhesha pjesë e listës (Qesh).
Njerëzit që të pëlqejnë sepse të shohin në ekran apo në ‘Instagram’, a përkthehet në njerëz që të votojnë?
Kjo sigurisht do të shihet në 25 prill. Por unë e them me bindje që komentet dhe mbështetja që kam marrë këtë muaj më ka motivuar shumë. Profili im në rrjetet sociale më shumë se foto personale, ka takime dhe pasqyrime të bukurive natyrore të pafundme të Shqipërisë.
A je ulur ndonjëherë të bësh llogari të tipit: në ekran më duan të gjithë, në politikë vetëm ata që janë me “PD”-në dhe një pjesë e zonës gri?
Unë në ekran nuk i kam përfshirë asnjëherë bindjet e mia si moderatore e emisionit “Wake Up”. Ndërsa kur ftohem nga emisione të tjera për të folur për politikë, natyrisht që shprehem mbi bindjet që kam. Nuk e kam bërë një kalkulim të tillë, pasi në këto zgjedhje më shumë sesa të majtë apo të djathtë është një betejë për veten. Secilit i kërkoj të shkojë të votojë për veten. Nëse vërtet beson se gjërat po shkojnë mirë në këtë vend të votojë për kundërshtarët tanë. Por mua nuk më rezulton kështu në asnjë komunikim që kam me qytetarët e Tiranës.
Tani që je në brendësi, a e ndjen që gratë politikane janë të paragjykuarat e mëdha apo është një përshtypje e vjetëruar?
Unë nuk kam ndjerë asnjë paragjykim. Përkundrazi kam ndjerë vlerësim dhe mbëshetje. Unë dua që në politikë vajzat dhe gratë të mos jenë thjesht kuota apo numra. Dua që gratë e angazhuara në politikë të jenë zëra të fuqishëm për kauza, apo çështje që na prekin dhe për të cilat duhet ngritur zëri.
A ke ti një model tëndin që të frymëzon?
Unë modelet i kam gjetur gjithnjë brenda familjes sime. Sepse falë atyre modeleve jam sot këtu ku jam. I jam falenderuese Zotit për çdo mësim jete që im atë më ka dhënë. Ai ka qenë padyshim, modeli që më ka frymëzuar dhe më frymëzon edhe sot. Ndaj edhe angazhimi im në politikë në këtë moment është edhe për të. Ishte ai që dikur më nxiti drejt familjes politike, “Partisë Demokratike”.
Ku ndryshon fushata nga foltorja e “PD”-së si zëdhënëse, nga fushata si kandidate për deputete?
Në foltoren e “PD” flet me gjuhën e qëndrimeve partiake, me gjuhë të pastër politike. Ndërsa fushata është komplet tjetër gjë. Nëse do të ulesh të pish një kafe, nëse do të drekosh me dikë në zonën tënde, e bën pa asnjë lloj droje. Janë biseda pa filtra dhe shumë të sinqerta.
Tani që fushata është drejt fundit, sa ke ndryshuar ti dhe perceptimi yt nga ditët e para?
Po. Në fillim hyra vetëm me bindjen time se gjërat nuk po shkonin mirë në Shqipëri dhe duhej ndryshim. Por në terren është tjetër gjë. Takohesh me të rinj që të japin besim, duke të kujtuar se nuk duan një tjetër zhgënjim nga politika. Takon prindër që urojnë që fëmijët të mos u largohen. Është ai moment që edhe vetë reflekton dhe thua sa shumë shpresë ka dhe sa shumë punë duhet bërë që gjërat të ndryshojnë.
Nëse do jesh nga të zgjedhurit, kjo do të thotë “lamtumirë” ekranit përgjithmonë?
Sigurisht do të jetë një zgjedhje e ekuilibruar. Në ekran kam zgjedhur të mos mbaj qëndrime politike, sepse kam respektuar profesionin tim dhe televizionin ku punoj. Nëse do të jem në politikë me kohë të plotë do të më duhet të heq dorë nga televizioni. Por nuk do të ndërpres marrëdhënien time me median, pasi angazhimin në politik e shoh në funksion të lobimit dhe mbrojtjes së disa kauzave që lidhen me të rinjtë, natyrën dhe turizmin në Shqipëri.
Ne do na vijë shumë keq të mos kemi në ekran një vajzë me pamjen dhe stilin tënd, por a do të na premtosh që nuk do vishesh me kostume në Parlament?
Mos t’ju vijë keq aspak, por voto numrin 18 në listën e “PD” (Qesh). Për kostumet e thashë edhe më herët që janë pjesë e stilit tim të veshjes ndaj edhe nuk do të ndryshoj shumë.
Veç familjes dhe miqve, a ke pranç një njeri special që të jep forcë e të mbështet (ose bëhet xheloz)?
Kam shumë njerëz specialë që këto kohë po më mbështesin dhe janë kudo ku unë nuk mund të jem përgjatë gjithë ditës. S’kam pasur kohë të mendoj për xhelozi këto ditë, se kam marrë vetëm dashuri.