
Në një kohë kur estetika po pushtohet nga trendet e shpejta dhe ndërhyrjet, Ortjola Bregu mbetet besnike e një filozofie që sfidon rrymën, bukurisë natyrale. Prej 16 vitesh, me pasion, disiplinë dhe përkushtim, ajo ka ndërtuar një standard ndryshe në kujdesin për fytyrën, duke dëshmuar se rinia nuk injektohet, por kultivohet. Mes rolit të profesionistes së përkushtuar dhe nënës së dy djemve, Ortjola rrëfen për rrugëtimin e saj, sfidat, filozofinë e punës dhe arsyen pse nuk bën kurrë kompromis me atë që beson.
Intervista: Manjola Markola/Hair and make up: Global Woman Beauty/ Photoshooting: Orsola Mema/ Styling: Joni Peçi
Si ka qenë viti 2025 për ty?
Viti 2025 për mua ka qenë një vit me shumë angazhime, me thënë të drejtën. Nuk e kam kuptuar kur ka nisur dhe kur ka mbaruar dita. Kjo sepse më duhet të ndaj oraret në punë dhe sigurisht kjo vlen për çdo vit (qesh). Por gjithashtu kam dhe rolin më të bukur në botë, atë të mamit. Kam dy fëmijë, kanë një diferencë moshe, çka do të thotë se janë në etapa të ndryshme, njëri do suport për shkollën dhe çdo gjë që përfshin atë, tjetri është bebe dhe do gjithë kujdesin tim. Por mendoj që ia kam dalë me sukses. Me vullnet dhe shumë dashuri, arrihet çdo gjë.
U realizuan të gjitha qëllimet që i kishe vënë vetes si profesioniste dhe si grua?
-Siç e theksova, nuk është e lehtë të realizosh qëllimet kur ti e ke kohën shumë të kufizuar dhe e ndan, por e rëndësishme është të gjesh një balancë. Dhe për sa i përket orareve të mia, sigurisht që ka edhe ditë që nuk mundem dot të marr orare të reja për shkak të kohës që unë kam, ose më saktë të kohës që nuk kam. Por duhet thënë që kam gjetur mirëkuptim edhe nga klientet e mia, krijojmë një të mesme të artë për të dyja palët. Në këto 16 vjet punë kam arritur të krijoj një urë të përkryer komunikimi me to dhe arrijmë të koordinohemi shumë mirë.
Prej shumë vitesh je një nga emrat më të spikatur në fushën e estetikës, si ka nisur rrugëtimi yt?
-Gjithë rrugëtimi im ka nisur me pasionin për estetikën. Në kohën kur kam nisur shkollën, sigurisht që prindërit e mi, si shumica e prindërve, kishin qejf vetëm një degë, atë të mjekësisë. A ua prisha qejfin? Jo. Bëra 5 vite të mira infermieri. Dëshira ishte më shumë e tyre sesa e imja, si një profesion me perspektivë për të ardhmen. Dhe në fakt, më ka ndihmuar shumë pjesa e anatomisë dhe dermatologjisë për pjesën e estetikës. Pavarësisht asaj që zgjodha asokohe, shpirti më flinte tek estetika dhe me shumë punë arrita ta “përqafoj”. Sot jemi përqafuar prej 16 vjetësh dhe jam shumë e lumtur për këtë. Prindërit më pas më mbështetën në zgjedhjen time. Gjithë vëmendja ime u vu tek estetika dhe u nisa drejt Romës, Itali, ku edhe bëra një shkollë të mirëfilltë për estetikë. Më pas bashkëpunova me një SPA në Greqi për 3 vjet dhe ata sillnin herë pas here profesionistë, me të cilët u trajnova me teknikat më të reja nga të gjitha vendet e Evropës.

Në një kohë kur botoksi dhe filleri janë kryefjalë kudo, ti ke zgjedhur një rrugë tjetër, që e vazhdon prej ditës 1 e deri më sot: atë të masazheve faciale. A është e vështirë të ecësh kundër rrymës?
Unë e them gjithmonë që nuk është e vështirë ta nisësh diçka, e vështirë është ta mbash, ta rrisësh, ta ushqesh, ta shpërndash, ta ruash. Ajo që nisa unë thuajse 2 dekada më parë ishte një biznes bukurie dhe duhet thënë që ekonomia nuk ishte në këto nivele që është sot, apo në nivele evropiane. Duke shtuar këtu edhe kulturën që nuk ka qenë e lidhur me kujdesin estetik dhe pamjen. Pra ka qenë relativisht e vështirë që të krijoje një klientelë në ato kushte. Por kur ka punë, vullnet dhe pasion, çdo gjë arrihet. Një kliente vjen, merr shërbimin, ndien diferencën dhe nuk ikën më prej teje. Klientët besnikë tanimë tek unë janë të shumtë. Kam arritur që përmes atyre tri shtyllave që përmenda më lart, të fitoj besimin e tyre dhe të mikeshave të tyre, të familjareve të tyre. Është ai marketingu pasaporta që nuk del kurrë nga moda. Ah, se harrova, te ato tri shtyllat bashkangjisim edhe korrektësinë, që është në mënyrë fundamentale e rëndësishme. Nga korrektësia lind besueshmëria.
Unë kam zgjedhur të bëj këtë që kam pasion. Çdo gjë reklamohet sot, përfshirë këtu edhe fillerin dhe botoksin, por unë nuk bëj kompromis me atë që besoj. Ka pasur edhe nga ato që më kanë thënë t’i nis si shërbime, si fillerin, si botoksin, duke më thënë se besojnë tek unë, por jo, nuk kam pranuar kurrë. Është një gjë që bëhet kollaj fare, por bie ndesh me atë që jam unë, me formimin tim, me filozofinë time të punës, me pasionin tim, me çdo gjë që më përfaqëson. Sigurisht që kam kliente që janë larguar, e kanë provuar dhe janë rikthyer të vendosura për të mos e bërë kurrë më. Duhet thënë që krahasuar me 4-5 vjet më parë është trend në rënie, duke qenë se informacioni për rreziqet është shtuar dhe gocat janë më koshiente për pasojat. Mua as nuk më ka joshur dhe as nuk do më joshë kurrë si trend, në asnjë kohë.
Jam e sigurt që në vitet e ardhshme do të shtohet shumë pjesa e natyralitetit, sepse ku ka gjë më të bukur sesa të përmirësosh pamjen tënde dhe genetikën tënde. Nuk ka gjë më të bukur që të jesh ti, por e përmirësuar dhe e rinuar.
Të kujtohen sfidat e para tuat kur sapo kishe nisur, duhet të ndërtoje marrëdhëniet me klientët, a është një kështjellë që do shumë punë dhe durim?
Nuk është e lehtë të ndërtosh marrëdhënie me klientin në fushën e estetikës. Klienti te ne nuk vjen, ta themi kështu në mënyrë popullore, për hall. Nuk është se i dhemb dhëmbi apo barku dhe vjen të gjejë derman. Estetika ka tjetër dimension, ka në parim të bukurën dhe duke qenë ashtu siç është, pra relative, edhe puna me të është po aq relative. Të duhet më shumë punë të ndërtosh besueshmëri, duhet të japësh maksimumin nga vetja. Ka pasur netë që kam qenë pa gjumë sepse djemtë e mi kanë qenë me temperaturë, kam shkuar të nesërmen në punë dhe klientja nuk ka kuptuar asgjë, sepse fundja ajo do të marrë shërbimin, të mos ndiejë energjinë negative. Unë aty para klientes lulëzoj, ulem dhe harroj çdo gjë. Dhe këtë e bëj prej 16 vjetësh. Sigurisht që ekziston edhe empatia në nivel të lartë nga ana e klienteve. Mund të përmend raste kur ora ka shkuar 7-8 e darkës, unë jam aty për të mos i prishur orarin dhe duke më parë të lodhur, janë tërhequr duke lënë një orar tjetër të nesërmen. Një lloj përzemërsie që mua ma mbush shpirtin. Pra, kemi arritur të komunikojmë me sy.

Çfarë benefitesh ka fytyra jonë nga masazhi facial?
Masazhi facial ka 1001 benefite, por do ta nis me të parin: stimulon qarkullimin e gjakut. Pra, ti ndien menjëherë një lloj relaksi. Ndërsa për sa i përket teknikave të masazhit facial, unë kam sjellë teknikat më të fundit të tonifikimit të mollëzave, të rrudhave, të double-chin-it, që është goxha problematike te gocat. Masazhi facial rimodelon të gjithë pjesën e fytyrës, ka efekt mbushës (në kuptimin e mirë të fjalës). Pas masazhit facial, ti çohesh dhe e ndien veten të relaksuar, të rinuar, të freskët.
Sa seanca duhet të bëjmë që të quhet se cikli është bërë i plotë?
Unë kam nxjerrë një paketë me 8 seanca. Ideja është që këto seanca të bëhen të paktën 1 herë në javë, sepse tonifikohet muskuli dhe stimulohet mirë pjesa e kolagjenit dhe elastinës. Kjo kohë mua më ndihmon që, bashkë me produktet përkatëse, sigurisht në bazë të tipologjisë së lëkurës, të realizoj një rezultat maksimal. Pra, gjatë këtyre 8 seancave, përmes masazhit facial stimulohen muskujt si në palestër. Te ne realizohet në muskujt e fytyrës. Në seancën e parë unë analizoj tipologjinë e fytyrës, pasi ka të bëjë shumë pjesa sipërfaqësore. Bie poshtë ai miti që një 20-vjeçare ka lëkurë më të fortë se një 40-vjeçare, për shembull. Jo, gjithçka varet nga genetika, nga muskuli genetik. Muskuli genetik i një 20-vjeçareje mund të jetë i dobët dhe më duhet të punoj më shumë aty. Dhe e kundërta me një 40-vjeçare, që mund të ketë një muskul genetik më të fortë, më të mirë. Pra, nëse me të parën më duhen 4 seanca për rezultat, me të dytën më duhen vetëm 2. Pra ka të bëjë shumë pjesa e fortësisë së muskulit, e cila duhet theksuar se është genetike. Në të dyja rastet rezultati arrihet, por sigurisht me një muskul më të dobët duhen më tepër seanca për të arritur maksimumin e tij.

Nëse dikush që ka bërë botoks dhe filler vjen dhe të “dorëzohet” ty, çfarë bën?
-Sigurisht që mund të vijnë kliente që më parë kanë bërë botoks dhe filler. Unë e them gjithmonë që jam botë e ndarë nga botoksi. Nëse ky i fundit të ngrin dhe të mbush pjesët e nevojshme, unë të pastroj lëkurën nga poret dhe papastërtitë. Pra, edhe nëse ti ke bërë filler dhe botoks, mund të vazhdosh trajtimet e fytyrës. Por ka kohën e vet. Nëse ke bërë botoks, duhet të presësh 2 deri në 3 javë pa bërë presione të forta në fytyrë, siç janë masazhet dhe pastrimet, më pas patjetër që mund ta bëjmë rutinë. Ka pasur edhe raste që nuk i kam trajtuar dot për shkak të masave të mëdha të botoksit, për shkak të presionit që më duhet të ushtroj përmes masazheve.
Vitet kalojnë dhe trendet e bukurisë ndryshojnë, çfarë e dallon “Beauty Zone Center”, që ruan në çdo kohë standardin e asaj që përfaqëson?
-E kam thënë dhe vazhdoj ta theksoj dhe ritheksoj që më diferencon pasioni që kam. Kjo bën që të sjell teknika të reja, që duhet thënë janë të gjitha natyrale. Që në kohën e Kleopatrës, këto metoda kanë qenë të suksesshme, vazhdojnë të jenë dhe ne jemi dëshmitarët e kësaj. Nuk ka gjë më të mirë se gjëja natyrale. Shpesh më pyesin, sepse janë skeptikë: “Po hë, çfarë të bën masazhi?” Masazhi të bën shumë, të rimodelon, të tonifikon. Por ama, duhet shumë durim. Trajtimet e fytyrës neglizhohen dhe gocat e gratë e gjejnë veten para pasqyrës me fytyrën pa jetë. Ku e gjejnë zgjidhjen më të lehtë? Te filleri dhe botoksi, ose edhe te kirurgjia plastike. Pra, këtë ka masazhi facial: të ndihmon të jesh korrekte dhe të krijosh rutinën tënde. Çdo ditë mund ta ndihmosh lëkurën e fytyrës tënde nga shtëpia.
Mban mend ndonjë situatë “funny” në gjithë këto vite karrierë, që e kujton duke qeshur apo e ndan me mikeshat e tua?
-Situata kam plot, nga më të ndryshmet. Klientet përgjatë viteve krijojnë natyrisht njëfarë konfidence dhe vijnë me fytyrën e lënë pas dore dhe që ditën e parë e duan xixë. Situatat më “funny” lidhen me faktin se vijnë dhe më drejtohen menjëherë: “Ortjola, duam fytyrën si tënden.” Qesh dhe rikthehem në retrospektivë, kur isha 20 vjeçe që nisa të kujdesesha për fytyrën, e deri më sot kur për pak bëj 41 vjeçe. Pra, lëkura do disiplinë, kujdes, do një lloj dashurie të veçantë. Nuk mund të krijohet disiplina dhe as freskia e fytyrës me një masazh të vetëm. Ka punë puna (qesh). Në trajnimet e mia shpesh më theksonin se sa rëndësi ka ta duam veten, të ndihemi mirë dhe të sigurta kur hapim sytë në mëngjes, kur shohim veten në pasqyrë, kur na sheh partneri, fëmijët, kolegët, etj. Është shumë e rëndësishme që ti të ndihesh mirë me veten, pastaj bukuria është relative. Rëndësi ka që ti të përmirësosh natyralen tënde dhe rininë tënde.

Përveçse një profesioniste e shkëlqyer, ti je edhe një nënë e përkushtuar dhe për këtë jam vetë dëshmitare. Si i bën të gjitha? Grua, profesioniste, nënë?
-A është e lehtë? Jo aspak. Shpesh emocionohem kur më pyesin për këtë ndarjen e “artë” që bëj mes kohës për punën dhe fëmijët, sepse këta të fundit janë bekim dhe duan gjithë kohën e botës. Ata duan vetëm dashuri dhe përkushtim, nuk duan ta dinë nëse kam punë, përgjegjësi apo se duhen paguar qindra fatura. Sa herë dal nga shtëpia, më beso që ndihem shumë keq.
Kur unë kam nisur punën, kam qenë beqare dhe isha nga ato që punoje nga e hëna deri të dielën dhe kishte raste që mund të anulonin apo vonoheshin, unë prapë nuk lëvizja nga puna. Më pas, kur erdhi në jetë Edjani, djali im i parë, koha ndaloi. Aty sigurisht që mendon që nuk do e lësh kurrë vetëm, asgjë tjetër nuk ka rëndësi. Por fëmija dalëngadalë rritet dhe ti nis të shkëputesh prej tij për t’u rikthyer në punë. Kjo pjesë ka qenë shumë e vështirë për mua. Më pas erdhi në jetë drita e diellit, Joni dhe sigurisht që përgjegjësitë u shtuan, lodhja, puna po ashtu. Kam fat që shtëpinë dhe punën i kam afër dhe, nëse njerëzit bëjnë vrap nga liqeni, unë e kam bërë çdo ditë rrugën nga shtëpia te puna dhe anasjelltas dhjetëra herë, sepse djalin e kam pasur me gji 2 vjet. Vrap e vrap çdo ditë, moj motër. Vazhdoj e bëj dhe ndiej një kënaqësi të veçantë kur di që vrapoj për te fëmijët dhe më pas te pasioni im.

Në të trija, cilën mban të parën: Ortjolën si grua, si profesioniste apo si nënë?
-E kam nisur profesionin vajzë, me ato ëndrrat dhe vrapin pas punës, sepse siç e thashë dhe më sipër, punoja çdo ditë, pa asnjë ditë pushimi. Pra, puna është jo vetëm punë, është pasion, është gjithë jeta ime.
Më pas u bëra nënë dhe koha u ndal aty. Detyra më e bukur në botë. Përkushtimi ndaj punës dhe dashuria ndaj fëmijëve më bënë të krijoj balancën perfekte. Sigurisht që edhe të privon mëmësia. Kush thotë jo, gënjen. Pa e provuar mëmësinë dhe marrosjen që kam ndaj fëmijëve, unë bëja vetëm plane për të zgjeruar biznesin. Pa u bërë nënë, do hapja një qendër atje, një qendër atje, por pastaj: op, prit pak, ka prioritete. Pra, është krijuar balanca, por natyrisht disa gjëra duhen menduar dhe kopsitur mirë. Së fundmi më kërkojnë për bashkëpunim në Kosovë dhe, me shpresën e Zotit, tani që fëmijët po rriten, kam disa plane të bukura.
Je nënë e dy djemve, është e vështirë të rrisësh djem në botën që jetojmë?
-Kur më pyesin për fëmijët dhe a është e vështirë në botën që jetojmë, është një dilemë shumë e madhe dhe mund ta them që preket çdo ditë në familjen tonë. Kjo lidhet pikërisht me kohën në të cilën jetojmë. Varësia nga teknologjia është një prej tyre, është sfidë më vete. Është shumë i rëndësishëm komunikimi, prandaj atë vrapin e bëj që të mund të flas me ta, tani me të madhin. Dua të flas me të, ta kuptoj, të di çfarë ndodh me të, si integrohet në shoqëri, çfarë ndien, çfarë ha, çfarë pi. Dua të di çdo gjë për të, që të mund të ndihmoj në procesin e rritjes së tij. Komunikimi është çelësi. Sigurisht dhe shumë dashuri, dhe unë për ta e kam me bollëk.

Të mungon një vajzë, apo e ke parë veten vetëm si mami çunash?
-Unë e them me shaka që Zoti nuk më dha një vajzë, por më dha djem shumë të bukur. Djalit të madh ia kam mbajtur flokët e gjata deri 6 vjeç, ia kapja, ia stiloja. Nuk di nëse e bëja nga dëshira e madhe që kisha për të pasur një vajzë apo ngaqë kishte flokë të bukur. Jam lumturisht nënë djemsh, dy yje. Do doja një vajzë? Sigurisht. Por Zoti pati këto plane për ne dhe unë i jam falënderuese. Pastaj çunat lënë kokën për mamat (qesh). Çfarë dua më shumë?
Sa e rëndësishme është mbështetja e partnerit në punën që bën ti?
-Partneri është mbështetje morale, por jo fizike. Jo që nuk ka dëshirë, por nuk ka mundësi në shumicën e kohës. Ai ka bizneset e tij, në të cilat është shumë i angazhuar dhe shpesh bëhet e pamundur që të ketë maksimalisht kohën fizike. Kemi një komunikim perfekt, shumë dashuri për fëmijët dhe njëri-tjetrin dhe kjo i bën gjërat më të thjeshta, më të lehta.
Por një person që vërtet dua ta falënderoj është mami im. Ajo është heroina ime. Më ka ndihmuar kur kam qenë e përkushtuar vetëm në karrierë, më pas kur u bëra nënë, ka qenë gjithmonë për mua aty, është tani për djemtë e mi. Unë e kam një dado, së cilës gjithashtu i jam mirënjohëse, sepse është bërë pjesë e familjes, por nëna është nëna. Ajo është aty gjithmonë, pa kushte, me një dashuri të pafundme. Kur më është dashur të iki në trajnime, kam ikur pa e kthyer kokën pas, sepse e kam ditur se me çunat kam mamin. Uroj të ketë shëndet e jetë të gjatë, sepse unë pa të nuk do të isha këtu ku jam sot. Mam të dua!








