Pas disa javësh thashethemesh dhe pamjesh të dyshimta në rrjet, Fedez ka vendosur ta bëjë publike lidhjen e tij të re me stilisten milaneze Giulia Honegger. Ai publikoi në Instagram një selfie intime ku Giulia mbështet kokën në shpatullën e tij, ndërsa të dy shikojnë drejt kamerës. Rreth fotos, një kornizë me duar që formojnë një zemër, ndërsa përshkrimi ironik nuk kaloi pa u vënë re:
“Bro, you just posted cringe”.
Çifti ndodhet aktualisht në Sardenjë, pikërisht në vilën ku Fedez kaloi verën e kaluar mes tensioneve të ndarjes nga Chiara Ferragni. Por këtë verë duket se ka ardhur me një tjetër energji: më i lirë, më i qartë dhe më i afeksionuar në publik. Në një tjetër postim, Giulia shfaqet përkrah tij, e veshur me bikini dhe duke luajtur PlayStation – një pamje spontane që konfirmon marrëdhënien e re.
Kohët e fundit, Fedez dhe Giulia janë parë bashkë në disa vende, përfshirë Marina di Pietrasanta dhe Milano, fillimisht në mënyrë të fshehtë, më pas në skena më të afërta që paparacët nuk i lanë pa kapur: përqafime, puthje dhe shikime që flisnin më shumë se çdo postim në rrjet.
Nga ana tjetër, edhe Chiara Ferragni nuk është më e vetme. Ajo është fotografuar sërish në shoqërinë e Giovanni Tronchetti Provera, me të cilin ishte lidhur për një kohë të shkurtër më parë. Dyshja u kap në aeroportin e Malpensës dhe më pas kaluan një fundjavë së bashku në Sankt Moritz, duke ndezur zërat se lidhja mes tyre nuk kishte përfunduar kurrë – thjesht ishte zhvendosur larg syve të publikut.
Ndërkohë, më 23 korrik 2025, është bërë zyrtare ndarja mes Fedez dhe Chiara Ferragni. Marrëveshja përfshin kujdestari të përbashkët për dy fëmijët, Leone dhe Vittoria, pa ndonjë detyrim për pagesa, as për fëmijët dhe as për Ferragnin.
Tani që gjithçka është e zyrtarizuar, duket se të dy po shijojnë një jetë të re, më të qetë dhe më të sinqertë, larg presionit të një martese publike që kishte kohë që ishte në rënie.









