Sëmundjet seksualisht të transmetueshme janë frika më e madhe për çdo person seksualisht aktiv. Një prej këtyre sëmundjeve është edhe “Papiloma Virus” ose siç i quajmë në gjuhën e thjeshtë lythat që shfaqen në zonat gjenitale. Ato merren vetëm në rrugë seksuale dhe janë një ndër shkaktarët kryesor të kancerit të qafës së mitrës. Dermatologia Migena Gega, ka shpeguar për “revistawho.com” prejardhjen e këtij virusi, mënyrën e kurimit, risqet që mbart, si dhe a mund të kurohet një sëmundje e tillë.
Çfarë është papiloma virus (HPV)?
Human Papiloma Virus (HPV) është një papovavirus që shumëzohet në bërthamën e qelizave epiteliale, i cili kohët e fundit është shumë i përhapur edhe në vendin tonë. Ka më shumë se 20 lloje të cilat mund të infektojnë traktin genital. Në individët me shumë partner seksual, infeksioni subklinik nga HPV, është i zakonshëm. Ky virus mund të prekë gati 30%-50% të personave të rritur seksualisht aktiv, si meshkujt edhe femrat.
Çfarë i shkakton?
Faktorë rreziku për transmetimin e virusit tek femrat, lidhet me numrin e partnerëve seksual, frekuencën e marrëdhënieve seksuale si dhe prezencën e condylomave (lythave) tek partneri. Meshkujt janë të predispozuar të marrin virusin më lehtë, nëse nuk përdorin prezervativë, pasi prezervativi ul transmetimin e HPV, por gjithsesi nuk e eleminon atë. Gjithashtu transmetimi i HPV gjatë lindjes, tek gratë, mund të ndodhi por pak më rrallë.
Shfaqen vetëm tek femrat apo edhe tek meshkujt? Çfarë pasojash kanë tek të dyja gjinitë?
HPV lidhet ngushtë me kancerin në zonat genitale, kryesisht nëntipi HPV-16 dhe HPV-18. Tek femrat karcinomat cervikale (kanceri i qafës së mitrës), lidhen me lythat genitale të partnerëve meshkuj të tyre. Sjelljet homoseksuale tek meshkujt, përbëjnë një risk të lartë për shfaqjen e kancerit të zonës anale, kryesisht karcinoma skuamoqelizore e këtij regjioni. Meshkujt të cilët bëhen synet, kanë një reduktim të rrezikut për shfaqjen e lythave. Lythat genitale tek fëmijët në 50% të rasteve mendohet të jenë pasojë e abuzimit seksual, por mund të përhapen edhe në mënyra të tjera, psh nga transmetimi i lythave të dorës, në gojë e zonat genitale. Lojërat seksuale ndërmjet fëmijëve mund të jenë një tjetër shkak i përhapjes. Meqënëse periudha e inkubacionit (nga infektimi deri tek shfaqja në lëkurë) është përgjithësisht disa muaj, mund të jetë e vështirë gjetja e shkakut kryesor.
Një vajzë me papiloma mund të ngeli shtatzënë pa e trajtuar paraprakisht atë?
Gjatë shtatëzanisë disa ekspertë rekomandojnë heqjen e lythave të dukshëm, pasi në tipat 16 dhe 18 mund të shkaktojnë lezione të laringut tek fëmijët e porsalindur. Mënyra e transmetimit mbetet e panjohur, pasi lythat laringeale janë gjetur tek fëmijët edhe pas lindjes çezariane(me operacion). Rekomandohet që femrat të cilat do të bëhen nëna, ta mjekojnë këtë infeksion viral përpara se të nisin shtatzëninë. Nëse infeksioni shfaqet gjatë shtatzënisë, duhet bërë mjekimi i lythave të dukshëm.
A është gjithmonë e sigurt se në qoftë se shfaqen lythat partneri e ka tradhëtuar partneren e tij?
Të kesh HPV nuk do të thotë që njëri nga partnerët nuk i ka qëndruar besnik lidhjes, pasi ky virus mund të qëndrojë i heshtur për një kohë të gjatë. Një person seksualisht aktiv ka 50% shanse të ketë marrë infeksionin gjatë jetës së vet, dhe virusi të shfaqet në një moment të caktuar, pa qenë nevoja të akuzohet dikush prej partnerëve, pasi të dy mund të kenë qenë të infektuar, por me një infeksion subklinik për një kohë të gjatë.
Në qoftë se pas trajtimit lythat zhduken, egziston mundësia që të rishfaqen?
Virusi i HPV nuk mund të eleminohet plotësisht, për shkak të infeksionit subklinik që persiston (infeksion pa shfaqje të lythave në lëkurë). Heqja e lezioneve të dukshme ul së tepërmi transmetimin viral. Të gjitha metodat e trajtimit lidhen me një rekurrencë (rikthim) të lartë të infeksionit, e lidhur kjo me infeksionin subklinik. Infeksioni nga HPV mund të persistojë gjatë gjithë jetës në fazë latente(të përgjumur) dhe të riaktiviziohet në periudha të caktuara.
A trajtohet? Cila është proçedura e trajtimit? Është e dhimbshme?
Metodat kryesore të trajtimit janë medikamentet që pacienti mund t’i përdori vetë, apo procedurat e kryera nga mjeku. Në medikamentet që pacienti mund të përdorë në shtëpi, gjithnjë sipas udhezimit të mjekut, janë Imiquimodi dhe Podofilotoksina, për një periudhë të gjatë. Është i rëndësishëm konsultimi me mjekun gjatë përdorimit të terapisë vetjake, pasi këto preparate mund të irritojnë zonën përreth, skuqje, rrjepje, gjakosje, e herë herë dhe reaksione alergjike. Terapitë e kryera nga mjeku janë djegia me azot, e cila mund të kërkojë disa seanca, duke u varur nga numri i lythave, madhësia e tyre dhe vendi ku ndodhen. Procedura është pak e dhimbshme, tek personat që nuk e tolerojnë dot mund të aplikohet edhe krem anestezik përpara djegies. Heqja kirurgjikale, elektrokirurgjia dhe lazeri CO2 janë një metodë tjetër e trajtimit të kondylomave, ashtu si aplikimi i acidit tricloracetik. Në rastet shumë rezistente mund të përdoret 5 Fluoruracili si dhe interferoni ALFA 2B të cilat janë preparate tepër të kushtueshme.
Një femër që preket nga ky virus, çfarë rutine duhet të ndjek më vonë?
Në momentin e leziove të dukshme duhet të ndërpriten marrëdhëniet seksuale, deri në shërimin e tyre e më pas të përdoren mjetet mbrojtëse gjatë aktit seksual./revistawho.com