Kjo javë në përgjithësi është javë me mundësi dhe shanse në të gjitha drejtimet, sidomos nga e marta deri të premten. Dielli kalon në shenjën e Binjakëve duke bërë jetën tonë të përditshme më të këndshme dhe ne më komunikues. Data 23/5 është një ditë gjatë së cilës do të ndihemi shumë optimistë dhe do të na jepet mundësia të realizojmë synimet tona në të gjitha drejtimet, por duhet patur kujdes të veçantë përsa i përket financave, kontratave financiare apo investimeve, pasi gjërat nuk janë ashtu siç duken dhe ekziston mundësia të jemi viktimë. Prandaj përpara se të vendosim duhet të hetojmë mirë situatën dhe të lexojmë akoma dhe ato që janë të shkruara me gërma të vogla në kontratë. Në datën 25 mund të bëni bisedime intime të cilat do të kenë rezultate pozitive, ndërsa 26 maji është ditë me vështirësi në sferën financiare dhe sentimentale, madje disa nga ju mund të merrni vendime lidhur me marrëdhëniet tuaja. Njëkohësisht java është e përshtatshme për fillime të reja veçanërisht deri të premten.
DASHI
Keni hyrë në një periudhë të paqëndrueshme në sferën financiare, prandaj është e domosdoshme të jeni parashikues dhe t’u shmangeni shpenzimeve të tepërta. Shfrytëzoni shanset që ju jep 23/5 duke mos u nxituar dhe duke ju shmangur ekzagjerimeve. Kjo javë është shumë pozitive për të arritur qëllimet lidhur me biznesin apo punën tuaj dhe njëkohësisht për fillime të reja, veçanërisht për ju të lindurit në ditët e para të shenjës. Në 26/5 mund të hasni probleme në mjedisin familjar ose në marrëdhëniet tuaja ,do të jetë mirë të mos merrni vendime për të cilat mund të pendoheni më vonë. Në sferën sentimentale, shumë erotik do të jeni ju të lindurit në ditët e para të shenjës.
DEMI
Keni hyrë tashmë në orbitën e ndryshimeve të pashmangshme, ju të lindurit në ditët e para të shenjës. Si rezultat shumë nga ju do të bëni ndryshime në fushën profesionale si dhe në atë personale. Mundohuni të ruani gjakftohtësinë dhe të përshtateni në kushtet e reja. Ndryshimet në sferën profesionale apo në biznesin tuaj lidhur me përmirësimin e financave do të japin rezultate, madje mund të bëni dhe një marrëveshje që të jetë frytdhënëse në të ardhmen, por duhet të jeni të kujdesshëm rreth datës 23/5, pasi entuziasmi i tepërt mund t’ju udhëheq në gabime ose mund të bini viktimë i njerëzve që duan të përfitojnë prej jush. Në sferën sentimentale ju të lindurit në ditët e para mund të takoni dashurinë me shikimin e parë me pak fjalë një dashuri të zjarrtë dhe të papritur, ndërsa ju të dhjetëditëshit të dytë të shenjës do të përjetoni një situatë pasionante por më romantike .
BINJAKËT
Një periudhë mjaft pozitive fillon për ju në sferën profesionale si dhe në atë financiare dhe fillimisht për këtë javë do të jeni të favorizuar ju të lindurit në ditët e para të shenjës. Do t’ju jepet mundësia të realizoni synimet tuaja lidhur me biznesin duke harmonizuar dëshirën me veprimtarinë dhe njëkohësisht mund të filloni diçka të re që do të ketë rezultate pozitive. Të jeni të kujdesshëm gjatë marrëveshjeve apo bisedimeve ndoshta dhe të fshehta, ju të lindurit në dhjetëditëshin e dytë të shenjës, duke u siguruar për të gjitha parametrat para se të merrni vendime, sidomos rreth datës 23/5. Në sferën sentimentale ju të lindurit në ditët e para të shenjës mund të hyni me lehtësi në një lidhje të re pasi magnetizoni vështrimin e të tjerëve, ndërsa ju të lindurit rreth 6-7 qershorit jetoni momentet romantike duke mbajtur shportë të vogël për premtimet që mund të dëgjoni.
GAFORRJA
Kjo është një javë në përgjithësi e favorshme për ju. Ata që do të merren me çështje financiare apo shitje dhe blerje do të dalin të fituar mjaft që t’i jepni rëndësi dhe hollësirave, të besoni intuitën tuaj dhe të lexoni dhe gërmat më të vogla të kontratës që duhet të firmosni, veçanërisht ju të lindurit në dhjetëditëshin e dytë të shenjës. Përsa i përket sferës sentimentale periudha është mjaft e favorshme për të gjithë përfaqësuesit e shenjës, me pak probleme rreth datës 26/5 kryesisht për ju të lindurit në dhjetëditëshin e parë. Besoni intuitën dhe merrni vendimet që janë në favorin tuaj. Shfrytëzoni të dielën të gjithë ju duke dalë dhe duke kaluar momente të këndshme.
LUANI
Detyrimet profesionale apo ndaj biznesit tuaj janë shtuar dhe ju mund të ndiheni të tensionuar në lidhje me ato, por kjo nuk do t’ju ndaloj të keni sukseset që doni. Ju do të arrini, përmes kontakteve sociale, të krijoni marrëdhënie të reja që do t’ju ndihmojnë në realizimin e synimeve që keni vendosur. Vendimet, diskutimet apo marrëveshjet për përmirësimin e financave do t’ju preokupojnë gjatë javës dhe natyrisht do të dilni të fituar vetëm në qoftë se do të lini mënjanë entuziazmin, ekzagjerimet dhe të shikoni dhe hollësinë më të vogël. Të njëjtën gjë do të thosha dhe për ata që janë në një proces shitje-blerje apo në çështje lidhur me pronat. Kujdesuni për shëndetin dhe bëni një kontroll të tij, ju të lindurit në ditët e para të shenjës, të cilët gjendeni dhe përpara ndryshimesh të papritura.
VIRGJËRESHA
Periudha vazhdon të jetë pozitive për ju, me karrierën dhe çështjet profesionale të gjenden në qendër të interesit tuaj. Megjithëse ju mund të ndiheni pak të tensionuar, biznesi apo karriera juaj profesionale do të vazhdojnë të rriten duke pasur mundësitë të kapërceni vështirësitë dhe të bëni ndryshimet e duhura, veçanërisht ju të lindurit në ditët e para të shenjës. Në sferën sentimentale periudha është mjaft premtuese, dhe disa prej jush mund të bëni një udhëtim për arsye profesionale, të cilin do ta kombinoni dhe me jetën tuaj personale duke kaluar momente romantike dhe të këndshme. Tregohuni të kujdesshëm, veçanërisht ju të lindurit në dhjetëditëshin e dytë të shenjës, gjatë negociatave dhe marrëveshjeve financiare rreth datës 23/5, pasi gjërat do të duken mjaft pozitive, por mund të zhgënjeheni. Vendime serioze mund të merrni rreth datës 26/5 lidhur me çështjet tuaja sentimentale dhe financiare.
PESHORJA
Më në fund keni gjetur qetësinë, por kjo nuk do të thotë se vështirësitë mbaruan. Shumë të aktivizuar do të jeni ju të lindurit në ditët e para të shenjës dhe si rezultat do të keni suksese apo do të arrini synimet tuaja lidhur me biznesin apo çështjet profesionale. Nuk do të mungojnë edhe pengesat pasi probleme familjare mund t’ju preokupojnë por shumë shpejt do t’i kapërceni. Në sferën sentimentale mjaft erotik do të jeni ju të lindurit në dhjetëditëshin e parë të shenjës, por kujdes në datën 26/5 pasi marrëdhëniet mund të ftohen dhe të lëkunden duke ju zhytur në mendime për të marrë vendime. Përsa u përket financave jeni të favorizuar, por do të keni tendenca për shpenzime të tepruara të cilave duhet t’u shmangeni rreth datës 23/5.
AKREPI
Ngjarje dhe ndryshime të papritura në marrëdhëniet dhe në ambientin familjar do të përjetoni ju të lindurit në ditët e para të shenjës. Ruani gjakftohtësinë, shmanguni konflikteve dhe kujdesuni për shëndetin apo ndaj aksidenteve. Përsa u përket juve të lindurit në dhjetëditëshin e dytë të shenjës kaloni një periudhë të favorshme në sferën profesionale, financiare por edhe sentimentale mjaft që ju t’u shmangeni sigurisë dhe entuziazmit të tepruar si dhe ekzagjerimeve, sidomos rreth datës 23/5. Nga e marta deri të premten është një periudhë e favorshme për organizimin e çështjeve familjare apo zgjidhjen e problemeve që ju shqetësojnë dhe si rezultat do të ndiheni dhe më mirë nga ana psikologjike. Të shtunën 26/5 mund të bëni diskutime serioze për çështje profesionale, por do të keni njëkohësisht dhe një interes sentimental.
SHIGJETARI
Kjo periudhë është mjaft pozitive për ju, pasi përmes organizimit dhe bashkëpunimeve të reja do të arrini rezultatet e duhura në biznes apo në sferën profesionale në përgjithësi. Gjithashtu, ju që jeni të interesuar të ndërroni punë apo të gjeni një punë të re, do t’ju jepet mundësia. Përsa i përket sferës ekonomike problemet nuk do të mungojnë sidomos rreth datës 26/5, por njëkohësisht do të keni edhe ndihmë gjatë kësaj periudhe. Tregohuni të kujdesshëm gjatë bisedimeve apo marrëveshjeve, ndoshta dhe të fshehta, ju të lindurit në dhjetëditëshin e dytë të shenjës. Njëkohësisht shmanguni thashethemeve apo prapaskenave në ambientin e punës. Do të jeni shumë të komunikueshëm gjatë kësaj periudhe dhe dëshira juaj për flirt dhe dashuri do të jetë e madhe, prandaj dilni dhe përgjigjuni pozitivisht ftesave që ju bëjnë.
BRICJAPI
Kohët e fundit jeta personale dhe marrëdhëniet tuaja janë në qendër të interesit. Të favorizuar do të jeni në përgjithësi në këtë drejtim të gjithë përfaqësuesit e shenjës. Ju të lindurit në ditët e para mund të takoni dashurinë papritur, ndërsa ju të lindurit në dhjetëditëshin e dytë do të kaloni momente romantike rreth datës 23/5. Në datën 26/5 nuk përjashtohet mundësia, për ju të lindurit në fund të dhjetëditëshit të parë, të kaloni disa vështirësi dhe të ndjeni një ftohje ose largim në marrëdhëniet tuaja. Gjithsesi gjërat rregullohen pasi ambienti nga fundi i muajit bëhet mjaft erotik. Deri atëherë të jeni të përqendruar dhe t’i përkushtoheni punës, nëpërmjet së cilës do të keni perspektiva të shkëlqyera të përmirësoni financat tuaja këtë periudhë. Në sferën ekonomike shmanguni riskut në 23/5.
UJORI
Shfrytëzoni pozitivisht gjithë energjinë që keni gjatë kësaj periudhe duke ju futur punës për realizimin e synimeve tuaja lidhur me biznesin. Pranoni ndryshimet, përshtatuni kushteve të reja dhe përpiquni të mos merrni vendime të nxituara lidhur me familjen tuaj, veçanërisht ju të lindurit në ditët e para të shenjës. Periudha është e favorshme si në sferën sentimentale ashtu dhe në atë personale dhe për ju të lindurit në dhjetëditëshin e dytë të shenjës, mjaft që ju të mos verboheni nga egoizmi dhe nga optimizmi i tepruar sidomos rreth datës 23/5.Nga e marta deri të premten ju jepet mundësia të gjithëve të përmirësoni marrëdhëniet sentimentale apo të krijoni një lidhje të re ju të interesuarit e shenjës.
PESHQIT
Kjo javë është e favorshme për ju dhe në përgjithësi qetësinë dhe sigurinë do ta gjeni në familjen tuaj pothuajse gjatë gjithë javës. Njëkohësisht do t’ju jepet mundësia të organizoni akoma më mirë jetën tuaj të përditshme dhe të çliroheni nga stresi në këtë drejtim. Disa nga ju mund të organizojnë një udhëtim të bukur rreth datës 23/5. Në këtë datë duhet të jeni shumë të kujdesshëm në qoftë se ju preokupojnë çështje financiare apo ligjore, do të dilni të fituar vetëm në rast se hetoni gjithë hollësitë dhe merrni gjithë masat në favorin tuaj. Në datën 25/5 fati është me ju, bëni një urim dhe ku i dihet ndoshta zëri juaj dëgjohet.