Në përgjithësi ky muaj duket i vështirë,në fakt kjo vështirësi ka të bëjë me përgjegjësinë dhe korrektësinë që duhet të tregojmë ndaj situatave që na preokupojnë. Ekziston një tendencë për mendime negative dhe për një psikologji të rënë, është e domosdoshme të lëmë mënjanë dyshimet dhe të aktivizohemi në drejtime që na japin gëzim. Java fillon me lajme dhe vendime të rëndësishme dhe në vazhdim, veçanërisht prej 16/1 bëhet shumë erotike. Shumë prej jush do të krijoni një lidhje të re dashurie, ndërsa për ju që keni probleme në marrëdhëniet tuaja është momenti të afroheni me njëri tjetrin dhe të ripërtërini dashurinë tuaj. Gjithsesi në fund të javës do të kemi mundësinë të marrim vendime lidhur me zhvillimin e marrëdhënieve. Ngjarje, takime të papritura, anulime apo ndryshime situatash karakterizojnë 19/1. Njëkohësisht gjendemi përpara eklipsit të Hënës në 21 janar, prandaj mirë është të shmangim riskun dhe ekzagjerimet.
DASHI
Kjo është një javë interesante dhe me ngjarje për ju, kryesisht pozitive, si në sferën profesionale ashtu dhe në jetën tuaj personale. Lajme dhe vendime të rëndësishme si dhe shanse apo ndihmë nga persona me potencë, por pa munguar pengesat dhe vështirësitë karakterizojnë sferën profesionale. Përsa i përket jetës suaj sentimentale java premton momente shumë të bukura prej 19/ 1. Shumë prej jush do të takoni dashurinë, ndërsa mundësinë për të jetuar momente erotike dhe pasionante do të kenë të gjithë përfaqësuesit e shenjës. Ndryshime, takime apo ngjarje të papritura do të keni ju të lindurit në ditët e fundit të shenjës. Përmirësim, fitime dhe bashkëpunime fitimprurëse do të keni në sferën financiare. Shmangni dyshimet dhe mos u jepni gjërave përmasa të ekzagjeruara.
DEMI
Lajme dhe zhvillime të rëndësishme do të keni në lidhje me financat tuaja, kryesisht pozitive, mjaft që dhe ju t’i trajtoni me korrektësi, thellësi dhe me strategji situatat që paraqiten. Njëkohësisht shumë të preokupuar do të jeni dhe në sferën profesionale, për të cilën do të bëni takime dhe bisedime. Ndoshta jo të gjitha ato që do t’ju premtojnë janë të realizueshme, është e rëndësishme të vlerësoni saktë të dhënat që do të keni dhe të mos ekzagjeroni në vendimet që do të merrni, gjithsesi jeni në zhvillim. Një hap përpara ndryshimeve gjendeni ju të lindurit në ditën e parë të shenjës, diçka që do ta ndjeni me eklipsin e Hënës në 21/1. Në jetën tuaj sentimentale disa prej jush do të marrin vendime serioze për formalizimin e marrëdhënieve, ndërsa lidhje të reja dashurie, ndoshta të fshehta, do të kenë shumë prej jush.
BINJAKËT
Një javë mjaft interesante njëkohësisht pozitive është për ju dhe kryesisht për marrëdhëniet tuaja. Një njohje apo dashuri e re mund të fillojë ndoshta edhe nga ambienti shoqëror. Financat kërkojnë kujdesin dhe menaxhimin tuaj. Do të merrni vendime dhe do të bëni bisedime konspirative lidhur me to. Mendohuni mirë se çfarë doni dhe si mund ta mbështesni biznesin tuaj pa u bazuar në premtimet e të tjerëve. Miqtë, bashkëpunëtorët, por dhe të dashurit do të jenë pranë jush dhe do të keni mbështetjen e tyre, megjithatë duhet të jeni më realistë dhe të mos e teproni me optimizmin tuaj në propozimet apo sugjerimet e reja që do t’ju bëhen.
GAFORRJA
Gjatë kësaj jave do të jeni të preokupuar me bisedime të rëndësishme përmes të cilave duhet të merrni dhe vendime lidhur me jetën tuaj personale dhe profesionale. Bisedime serioze me bashkëpunëtorët apo njeriun tuaj të jetës kanë si qëllim zgjidhjen e problemeve dhe çlirimin nga stresi që ju shkaktojnë ato. Përsa i përket biznesit, punës apo karrierës suaj rezultatet janë mjaft pozitive dhe do të shpërbleheni për ato. Për ju që kërkoni një punë të re apo një punë të dytë është momenti të veproni. Në sferën financiare mund të keni disa ndryshime, por në qoftë se këto ndryshime ju lënë të pakënaqur përpiquni të zgjidhni çështjen me diplomaci. Ngjarje apo takime të papritura do të keni në fund të javës, ju të lindurit në ditët e fundit të shenjës. Të jeni të kujdesshëm në fund të javës gjatë ngasjes së makinës dhe mos lejoni të tjerët të fusin hundën në punën dhe jetën tuaj.
LUANI
Problemi kryesor gjatë javës do të jetë puna dhe organizimi i saj. Bisedime lidhur me të dhe të ardhurat tuaja do t’ju preokupojnë dhe do të merrni vendime serioze duke diskutuar problemin me njerëz kompetent. Megjithatë është një javë mjaft e bukur për ju dhe për jetën tuaj personale. Do të jeni optimistë, krijues, do të bëni ëndrra, do të dashuroheni dhe do të udhëtoni. Tregohuni të kujdesshëm në fund të javës ndaj aksidenteve të vogla dhe shmangni konfliktet me të dashurit apo personat në ambientin e punës, veçanërisht me ata që janë më lartë se ju.
VIRGJËRESHA
Gjatë kësaj periudhe jeni duke marrë vendime që kanë të bëjnë me jetën tuaj personale dhe profesionale. Do të doni të jepni rrugëzgjidhje çështjeve që ju preokupojnë kohët e fundit, por rezultatet varen nga situata ku gjendet secili prej jush. Gjithsesi vendimet që do të merrni favorizojnë zhvillimin tuaj të mëtejshëm. Studioni situatën në thellësi duke shmangur pesimizmin dhe mendimet negative. Momente të bukura dhe lajme të gëzuara ju presin në ambientin familjar. Për ju që keni probleme është momenti t’i zgjidhni. Fëmijët mund të kenë nevojën e ndihmës suaj ekonomike por nuk e di në qoftë se ju jeni gati të përballoni këto detyrime. Pranoni ftesat që do t’ju bëhen duke lënë mënjanë rutinën dhe jetoni momentet.
PESHORJA
Gjatë kësaj jave do të jeni kryesisht të përqëndruar në problemet që kanë të bëjnë me shtëpinë dhe familjen tuaj dhe do të merrni vendime lidhur me to. Disa prej jush jeni në fazën që doni të bëni ndryshime në ambientin e shtëpisë apo të ndryshoni dhe vendbanim, të shkoni në një shtëpi tjetër apo në një vend tjetër. Mjaft pozitive do të jenë gjërat për ju në fushën sentimentale, një lidhje të re erotike do të krijoni ju të interesuarit e shenjës me perspektiva shumë të mira për momentin. Ndërsa për ju të tjerët është momenti të ripërtërini jetën tuaj erotike. Të njëjtin favorizim do të kenë dhe bashkëpunimet profesionale dhe ekonomike. Kujdesuni për anën tuaj psikologjike, duke shmangur mendimet negative dhe pesimiste dhe jepini rëndësi më të madhe shëndetit.
AKREPI
Mjaft pozitive dhe premtuese është kjo javë për financat tuaja. Jeni shumë aktiv në jetën tuaj të përditshme dhe në punë dhe për këtë do të shpërbleheni. Nuk përjashtohet mundësia të bëni dhe udhëtime, që kanë si qëllim bashkëpunimin financiar dhe shtimin e klientelës. Do të ndihmoni, por dhe do të ndihmoheni nga miqtë në zgjidhjen e çështjeve që ju preokupojnë dhe në marrjen e vendimeve lidhur me to. Jeta sentimentale gjithashtu do të jetë mjaft interesante dhe ju shumë erotikë do të jetoni momente të bukura me të dashurit tuaj paralelisht me detyrimet dhe preokupimet e punës. Të jeni të kujdesshëm gjatë lëvizjeve me automjet dhe jepini më shumë rëndësi shëndetit. Shmangni konfliktet në ambientin e punës.
SHIGJETARI
Është një periudhë shumë pozitive për ju dhe marrëdhëniet tuaja por edhe për zhvillimin tuaj profesional, prandaj shfrytëzoni në maksimum shanset dhe rastet që paraqiten. Optimistë, simpatikë dhe joshës magnetizoni të gjithë me kalimin tuaj. Fati është me ju dhe dashuria ju troket në derë, mjaft që dhe ju të jeni më realistë dhe të shmangni optimizmin e tepërt. Brenda gjithë kësaj atmosfere pozitive të javës, vëmendja juaj duhet të përqëndrohet në financat dhe në menaxhimin më të mirë të tyre. Do të duhet të merrni vendime serioze pas një programimi të mirë me mendim të thellë të gjërave dhe të shmangni riskun apo shpenzimet e tepërta, veçanërisht në fund të javës.
BRICJAPI
Vazhdoni të jeni shumë të preokupuar pothuajse në të gjitha sferat dhe drejtimet e jetës suaj. Do të merrni vendime serioze për karrierën apo biznesin dhe do të keni bisedime lidhur me financat dhe investimet. Lëvizjet dhe veprimet që bëni gjatë kësaj periudhe japin perspektiva për të ardhmen. Në përgjithësi gjatë gjithë javës do të jeni të preokupuar të arrini qëllimet dhe të realizoni ato që keni programuar, por paralelisht duhet të kujdeseni për shëndetin, sepse ka mundësi që në fund të javës imuniteti juaj të ketë rënë. Në jetën sentimentale disa prej jush mund të krijojnë një lidhje erotike të fshehtë. Nuk do të mungojnë problemet dhe në ambientin familjar, të cilat do t’ju nxjerrin pak jashtë programit.
UJORI
Gjatë kësaj jave do të jeni mjaft të komunikueshëm, kryesisht nga e mërkura dhe më pas. Përmes jetës suaj sociale do të keni mundësinë të krijoni një lidhje të re erotike dhe njëkohësisht të bëni njohje të tilla që do t’ju ndihmojnë në arritjen e synimeve apo projekteve tuaja, duke ndikuar pozitivisht në fushën financiare. Një takim i fshehtë sentimental apo bisedime me karakter ekonomik do t’ju preokupojnë kryesisht në fillim dhe në fund të javës. Në qoftë se doni të bëni një investim studioni mirë të dhënat që keni përpara se të veproni. Shmangni prapaskenat dhe mos besoni të gjitha ato që do të dëgjoni. Kujdesuni për shëndetin.
PESHQIT
Takime me njerëz seriozë dhe me potencë me qëllim bashkëpunimin dhe zhvillimin tuaj profesional do të keni gjatë kësaj jave. Miq të vjetër dhe të besuar do t’ju ndihmojnë në zgjidhjen e çështjeve dhe në marrjen e vendimeve. Në sferën profesionale gjërat shkojnë mjaft mirë gjatë kësaj periudhe dhe si rezultat do të shpërbleheni apo do të shijoni frytet e punës suaj. Gjithsesi fitimet tuaja do të rriten dhe ndoshta disa nga ju mund të kenë të ardhura në formë dhurate. Në jetën sentimentale disa prej jush mund të merrni vendime serioze për zhvillimin e një marrëdhënieje, ndërsa të tjerë do të takoni dashurinë në ambientin e punës. Shmangni shpenzimet e tepërta në fund të javës. /revistawho.com