Gushti vazhdon të jetë pozitiv duke na shpërblyer dhe lehtësuar nga muajt e kaluar të verës. Kemi përpara një javë interesante, e cila do të na japë mundësinë të zgjidhim dhe të rregullojmë çështjet qe na preokupojnë. Është një periudhë mjaft e mirë për të bërë një programim apo projekte afatgjatë. Ditë mjaft favorizuese janë e marta dhe e mërkura, ndërkohë që kërkohet të jemi të kujdesshëm në fund të javës në trajtimin e çështjeve të përditshme. Prej kësaj jave dhe deri në 14 shtator logjika ndikon në jetën tonë sentimentale dhe ndjenjat tona janë mjaft të përmbajtura, megjithatë nuk do të mungojnë ditët erotike dhe pasioni, të cilat do të jenë të theksuara në fund të javës.
DASHI
Lajme të gëzuara do të merrni kryesisht në gjysmën e parë të javës. Jepni prioritet jetës personale dhe përfitoni nga shanset që do të keni deri të mërkurën. Prej kësaj jave çështjet e jetës së përditshme zgjidhen dhe rrjedhin më me lehtësi, ndërsa rutina bëhet më e ëmbël dhe më e bukur.
DEMI
Deri të mërkurën ju jepet mundësia të zgjidhni dhe të rregulloni çështje dhe probleme familjare që ju preokuponin deri tani. Ndihma dhe mbështetja e njerëzve tuaj të dashur nuk do të mungojë. Dëshira për krijimtari, argëtimi, flirti dhe dashuria janë pjesë e jetës suaj të përditshme prej kësaj jave dhe deri në 14 shtator. Flirt dhe dashuri, ndoshta dhe një njohje të re, do të keni në ambientin e punës. Fundi i javës është mjaft erotik kryesisht për ju të lindurit në dhjetëditëshin e parë të shenjës.
BINJAKËT
Vendosni theksin në marrëdhëniet dhe bashkëpunimet tuaja dhe mbyllni marrëveshjet apo firmosni kontratat që doni deri të mërkurën. Mos u mjaftoni në premtime, por kaloni në vepra duke i dhënë rëndësi detajeve. Pranoni ftesat që do t’ju bëhen pasi diku aty mund të takoni personin që ju intereson. Prej kësaj jave dhe deri në 14 shtator do të jeni të angazhuar me çështje të shtëpisë dhe të familjes suaj duke u preokupuar me zbukurimin e ambientit, por duke ardhur afër dhe me njerëzit e familjes. Fundi i javës është mjaft erotik edhe për ju, kryesisht të lindurit në dhjetëditëshin e parë të javës.
GAFORRJA
Fillimi i javës deri të mërkurën është mjaft favorizues për financat tuaja. Klientë të rinj apo punë mjaft fitimprurëse do të paraqiten gjatë këtyre ditëve. Jeta juaj sociale do të jetë mjaft interesante duke ju dhënë mundësinë të takoni njerëz, të cilët mbështesin planet tuaja. Fundi i javës, i cili është mjaft erotik, ju krijon mundësinë për kontakte me persona që nuk do t’ju lënë aspak indiferent. Jeta juaj e përditshme është më e këndshme.
LUANI
Fati vazhdon të jetë me ju, ndoshta jo në përmasat e periudhës që sapo kaloi. Përfitoni prej ditëve, kryesisht deri të mërkurën dhe promovoni çështjet që dëshironi. Flirt dhe takim do të keni me një person, i cili nuk është i panjohur për ju, ndërsa ju prindërit gëzime dhe lajme të mira do të keni nga fëmijët tuaj. Prej kësaj jave dhe deri në 14 shtator financat tuaja do të favorizohen. Fitime, por dhe shpenzime, do të keni në fund të javës. Bëni një programim të mirë të tyre duke vendosur baza të reja.
VIRGJËRESHA
Përfitoni nga favorizimi i ditëve deri të mërkurën për të zgjidhur çështje familjare apo çështje të pronës suaj. Prej kësaj jave dhe deri në 14 shtator fillon një periudhe e bukur për ju gjatë të cilës do të preokupoheni më tepër me veten dhe paraqitjen tuaj të jashtme. Do të joshni dhe do të tërhiqni vëmendjen e të tjerëve pa shumë përpjekje në kalimin tuaj. Do të ndiheni më harmonikë dhe do të dëshironi të shijoni dashurinë. Fundi i javës është shumë erotik kryesisht për ju të lindurit në dhjetëditëshin e parë të shenjës.
PESHORJA
Fillimi i javës deri të mërkurën është mjaft pozitiv për jetën tuaj sociale, pasi ju krijon mundësinë për njohje dhe takime me persona të rinj, të cilët do t’ju mbështesin fuqimisht. Gjithsesi do të keni mundësinë të krijoni marrëdhënie personale apo profesionale me perspektivë, të cilët do të ndihmojnë në realizimin e projekteve tuaja. Një histori dashurie e fshehtë mund të zhvillohet në fund të javës. Momente erotike intime, apo burime financiare të paligjshme, premton fundi i saj. Ruani mirë sekretet.
AKREPI
Fat dhe shanse në financat tuaja premton kjo javë deri të mërkurën. Përfitoni nga momenti dhe promovoni biznesin dhe karrierën tuaj, të cilat janë burimi kryesor i të ardhurave. Prej kësaj jave dhe deri në 14 shtator jeta juaj sociale do të jetë mjaft interesante duke ju dhënë mundësinë të krijoni marrëdhënie personale apo profesionale. Në fund të javës do të keni shanse të takoni dashurinë përmes rrjetit tuaj shoqëror. Programoni sferën financiare.
SHIGJETARI
Fillimi i javës deri të mërkurën është mjaft favorizues për marrëdhëniet personale, profesionale, por edhe për zhvillimin tuaj në përgjithësi, prandaj përfitoni prej ditëve duke promovuar ato që ju interesojnë. Është një javë e këndshme me lajme të gëzuara dhe informacione të nevojshme. Prej kësaj jave dhe deri në 14 shtator do të dalloni në ambientin profesional duke qenë rezultativ, diçka që do të jetë e dukshme te të tjerët, të cilët do të bëjnë komente mjaft pozitive për ju dhe punën tuaj. Fundi i javës është mjaft erotik edhe për ju dhe ndoshta disa prej jush do të deklaroni një lidhje apo një marrëdhënie.
BRICJAPI
Fillimi i javës dhe veçanërisht e mërkura ju favorizon në zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me jetën tuaj të përditshme dhe me punën. Kjo javë ju krijon mundësitë të bëni projekte në fushën profesionale, por dhe plane në jetën tuaj personale. Do të këshilloja të vendosni theksin në jetën personale dhe sentimentale, pasi kjo periudhë deri në 14 shtator, dhe veçanërisht fundi i kësaj jave, krijon kushte mjaft favorizuese për një zhvillim pozitiv në këtë drejtim. Dashuria dhe jeta erotike bëhen mjaft interesante veçanërisht për ju të lindurit në dhjetëditëshin e parë të javës.
UJORI
Deri të mërkurën promovoni marrëdhëniet dhe bashkëpunimet pasi aty keni një favorizim të veçantë. Përfitoni prej ditëve duke vepruar dhe mos u mjaftoni në fjalë dhe premtime. Prej kësaj jave dhe deri në 14 shtator psikologjia juaj dhe ju në përgjithësi do të ripërtëriheni, ndërkohë që dëshirat do të jenë të ndryshme dhe nevoja për t’i plotësuar ato mjaft e theksuar. Burimet financiare nuk do të mungojnë dhe njëkohësisht mund të dalin në sipërfaqe çështje që kanë të bëjnë me bankat, tatimet apo trashëgimitë. Në fund të javës libido do të jetë në nivele të larta dhe jeta juaj erotike do të marrë flakë.
PESHQIT
Fillimi i kësaj jave deri të mërkurën është një periudhë e shkëlqyer për biznesin, karrierën apo punën tuaj. Të njëjtin favorizim kanë dhe marrëdhëniet tuaja personale, profesionale, si dhe financat. Favorizimi në fushën e marrëdhënieve dhe të bashkëpunimeve do të vazhdojë deri në 14 shtator. Prandaj ju që keni probleme në marrëdhëniet tuaja është momenti t’i përmirësoni dhe t’i ekuilibroni ato. Fundi i javës është mjaft erotik për ju, veçanërisht të lindurit në dhjetëditëshin e parë të shenjës, por kujdes se ekziston mundësia që disa të përjetojnë ndoshta një ndarje. Java favorizon kryesisht programimin dhe organizimin e fushës profesionale. /revistawho.com