Fillon një periudhë mjaft pozitive dhe konstruktive, e cila do të zgjas dy javë dhe rezultatet e para do t’i shohim pas një muaji. Ndoshta do të ndjeni më shumë nevojën për siguri dhe qetësi, por mirë është t’i përvisheni punës për të arritur ato që doni, si në sferën ekonomike, e cila do të na preokupojë shumë, ashtu dhe në jetën tonë personale dhe sentimentale. Kjo javë është e pasur në aspekte astrologjike, të cilat do të na krijojnë mundësinë për të rritur financat, për të jetuar momente erotike pasionante dhe për të vendosur themelet apo realizuar planet tona profesionale. Të hënën, energjia jonë do të jetë në nivel të lartë, prandaj mirë është ta kanalizojmë në mënyrë pozitive duke shmangur ekzagjerimet, nxitimin dhe konfliktet.
E marta, një ditë e vështirë për bashkëpunime ekonomike dhe për jetën tonë sentimentale dhe erotike, klima është e ftohtë dhe shumë marrëdhënie do të testohen.
Të mërkurën, lajme dhe fitime të papritura, anulime, ndryshime në planet dhe marrëveshjet ekonomike janë disa nga karakteristikat e ditës.
Nga e enjtja deri të dielën, do jetë një periudhë mjaft pozitive për financat dhe jetën sentimentale, si dhe për konsolidimin apo realizimin e planeve profesionale. Në datat 9 dhe 10 maj duhet të shmangim tendencat për kontroll apo sundim në marrëdhëniet tona, pasi dita është mjaft pasionante dhe njëkohësisht duhet të jemi sa më të kujdesshëm në kontratat ekonomike.
DASHI
Gjatë kësaj periudhe ju duhet të jeni të përqëndruar kryesisht në financat tuaja, pasi aty do të keni rritje dhe zhvillim të mirë, mjafton t’i përvisheni punës dhe të bëni një organizim të mirë të tyre. Në sferën profesionale do të keni ndihmën dhe mbështetjen e duhur, por në përpjekjen për të kaluar idetë apo mendimet tuaja mund të hyni në konflikte me eprorët, gjë që mund t’ju kushtoj. Fillimi i javës shkakton probleme në jetën tuaj sentimentale duke vendosur marrëdhëniet tuaja në provë, ndërkohë që fundi i saj, prej të enjtes deri të dielën, krijon kushte që favorizojnë jo vetëm jetën erotike, por dhe financat apo biznesin. Një udhëtim në fund të javës do të ndihmojë në realizimin e atyre që përmendëm më lartë.
DEMI
Periudha është entuziaste dhe ju jeni plot qejf e dëshirë për t’i kushtuar kohë paraqitjes suaj. Gjatë gjithë javës do të jeni në lëvizje, me biseda dhe kontakte me rezultat për biznesin dhe financat tuaja. Probleme ligjore apo probleme të punës që ju preokupojnë do të gjejnë zgjidhe, ndërkohë që lajme dhe ide të reja do t’ju sjellin gëzim dhe perspektivë në punë. Fundi i javës është shumë premtues për jetën sentimentale dhe erotike, madje disa prej jush do të vendosin për formalizimin e marrëdhënies. Shfrytëzoni fundin e javës në çdo drejtim, mos mbivlerësoni mundësitë dhe potencialin tuaj dhe guxoni për ndryshime.
BINJAKËT
Periudha është e përshtatshme për një rishikim endoskopik, të shikoni ku gjendeni dhe sa keni arritur, ndërkohë që paralelisht mund të bëni projektet për periudhën në vijim, të cilat nuk duhet t’i bëni të njohura tek të tjerët. Megjithatë dyshimi dhe revolucioni janë ato që ju përcaktojnë gjatë javës, veçanërisht në gjysmën e parë të saj. Jeni plot energji, gati të ndryshoni gjithçka, mjafton të mos e teproni dhe të kanalizoni për qëllime produktive dinamizmin tuaj. Kujdes të veçantë kërkojnë marrëdhëniet dhe bashkëpunimet, kryesisht për ju të lindurit në dhjetëditëshin e tretë të shenjës. E enjtja, por dhe treditëshi në vijim janë shumë premtues për jetën tuaj erotike dhe sentimentale me persona të rinj apo nga e kaluara.
GAFORRJA
Është momenti të promovoni karrierën, biznesin dhe të bëni përparime në përgjithësi në jetën tuaj. Vlerësoni të dhënat apo të rejat që do të keni gjatë kësaj periudhe, bisedoni dhe kontaktoni miq, të njohur dhe persona kompetentë me qëllim zhvillimin dhe përparimin tuaj. Kujdes në marrëdhëniet dhe bashkëpunimet të martën dhe kryesisht në pjesën e parë të javës, veçanërisht ju të lindurit në dhjetëditëshin e tretë të shenjës. Në jetën sentimentale nuk do të mungojnë shanset, por të mërkurën dhe të enjten ju jepet mundësia të takoni dashurinë. Tregoni talentin tuaj në sferën profesionale dhe vendosni fokusin në rritjen e të ardhurave dhe konsolidimin e marrëdhënieve ekonomike në treditëshin e fundit të javës.
LUANI
Përqëndroni vëmendjen dhe kujdesin në financat, biznesin dhe karrierën tuaj, pasi ekzistojnë gjithë kushtet për t’u dalluar dhe për t’u shpërblyer. Ju që jeni në kërkim të një pune tani është momenti për ta gjetur, prandaj mos humbisni kohën dhe shanset që ju jepen. Në fillim të javës, kryesisht të martën, shmangni konfliktet apo kontradiktat dhe të jeni të kujdesshëm gjatë drejtimit të makinës si dhe në rregullat e qarkullimit. Jeta sentimentale dhe erotike merr interes të veçantë prej të martës dhe deri në fund të javës. Përfitoni nga treditëshi i fundit për stabilizimin dhe forcimin e pozitës dhe të marrëdhënieve në punë.
VIRGJËRESHA
Është koha të programoni të ardhmen për periudhën në vijim në të gjitha drejtimet, në jetën personale dhe në atë profesionale. Preokupimi juaj me biznesin dhe karrierën do të jetë më i theksuar dhe më intensiv deri në 21 qershor. Kjo javë është shumë favorizuese për jetën tuaj sentimentale dhe erotike, veçanërisht në pjesën e dytë të saj. Fundi i javës ju jep mundësinë të vendosni themelet në marrëdhëniet ekzistuese apo të krijoni të reja. Një udhëtim do t’ju japë mundësinë të ripërtërini apo të takoni dashurinë.
PESHORJA
Kjo javë është mjaft pozitive për rritjen e të ardhurave dhe rregullimin e çështjeve familjare apo personale që ju preokupojnë. Megjithatë vështirësitë dhe problemet në marrëdhëniet dhe bashkëpunimet nuk do të mungojnë, veçanërisht të martën. Lini mënjanë pasigurinë dhe përdorni diplomacinë, e cila është një nga talentet tuaja. Nga e enjtja jeta juaj erotike favorizohet duke ju dhënë mundësinë për një njohje apo takim, që shumë shpejt do të zhvillohet në një lidhje dashurie. Fundi i javës është i përshtatshëm për zgjidhjen e çështjeve familjare dhe për të vendosur synime të reja për periudhën në vijim duke ndikuar në këtë mënyrë dhe në psikologjinë tuaj.
AKREPI
Rëndësi të veçantë marrin për ju marrëdhëniet dhe bashkëpunimet gjatë kësaj periudhe. Biseda, kontakte me persona të rëndësishëm do të keni për promovimin e çështjeve financiare dhe profesionale, të cilat favorizohen akoma më shumë treditëshin e fundit të javës. Madje ju jepet mundësia të konsolidoni bashkëpunimet, për të cilat jeni më shumë të interesuar. Në jetën sentimentale do të keni shanse për takime dhe njohje të papritura, por veçanërisht e enjtja është një ditë e mrekullueshme dhe me fat ku do të kaloni bukur me të dashurit tuaj. Kjo ditë favorizon njëkohësisht dhe financat tuaja. Shmangni keqkuptimet veçanërisht në ambientin e punës dhe organizoni sa më mirë jetën e përditshme.
SHIGJETARI
Fillimi i javës ju gjen plot dinamizëm dhe me tendenca për konflikte dhe kontradikta në marrëdhëniet dhe bashkëpunimet. Mos ekzagjeroni dhe mos mbivlerësoni veten dhe mundësitë tuaja. Gjithsesi jeta juaj e përditshme është më intensive dhe detyrimet e punës më të rritura. Gjatë kësaj periudhe kërkohet prej jush t’i kushtoheni dhe t’i përvisheni punës, duke dhënë maksimumin e mundësive, pasi përmes asaj do të arrini të përmirësoni financat tuaja. E enjtja është një ditë mjaft erotike dhe me fat për ju dhe ju jep mundësinë të kaloni bukur me të dashurit apo të takoni dashurinë ju të interesuarit e shenjës. Ajo do t’ju shpërblejë për vështirësitë apo dëmet që kishit në fillim të javës.
BRICJAPI
Kjo javë është mjaft pozitive për ju duke ju ofruar perspektiva të shkëlqyera në të gjitha drejtimet. Mundësinë për investime, zhvillim në sferën profesionale, dashuri, krijimtari si dhe gëzime prej fëmijëve janë disa nga avantazhet e kësaj periudhe. Gjeni kohën për t’u çlodhur, për të kaluar bukur dhe për t’u ripërtërirë pasi keni kaluar shumë vështirësi kohët e fundit. Vështirësi do të keni në fillim të javës, veçanërisht të martën, ju të lindurit në dhjetëditëshin e tretë të shenjës. Ndërsa e enjtja është një ditë e cila do t’ju favorizojë në qoftë se do të tregoheni më elastikë.
UJORI
Fillimi i javës ju gjen mjaft dinamikë dhe optimistë duke ju dhënë mundësinë të jeni produktivë dhe rezultativë në punë dhe në biznesin tuaj. Familja dhe shtëpia do të jenë preokupimi juaj kryesor gjatë kësaj periudhe dhe disa prej jush do të keni mundësinë të zgjidhni probleme apo çështje lidhur me pasurinë. Ndërsa për ju të lindurit në 5 ditët e para të shenjës ndryshime apo ngjarje të papritura do t’ju prishin qetësinë. Një udhëtim do të jetë një eksperiencë unike ndërsa e enjtja një ditë me fat dhe mjaft favorizuese për komunikim dhe njohje të reja.
PESHQIT
Fillimi i javës ju gjen mjaft të ngarkuar dhe të stresuar, veçanërisht juve të lindurit në dhjetëditëshin e tretë të shenjës. Nuk ka arsye shqetësimi, me gjakftohtësi dhe pa ekzagjerime ruani ekuilibrin midis punës dhe shtëpisë dhe mos hyni në kontradikta me eprorët tuaj. Në vazhdim, në pjesën e dytë të saj, java do t’ju shpërblejë, mjafton që dhe ju të jeni në lëvizje dhe në komunikim të vazhdueshëm duke kontaktuar miqtë apo të afërmit, të cilët do të ndihmojnë në realizimin e planeve tuaja. E enjtja është një ditë e bukur, e cila jep krahë në shpresat tuaja dhe përmirëson marrëdhëniet me të afërmit dhe jetën tuaj të përditshme. /revistawho.com