Të dashur lexues ju uroj një muaj të mbarë dhe të bukur! Java e parë e muajit, e pasur në aspekte astrologjike, përcakton dhe zhvillimin e situatës apo të çështjeve gjatë gjithë muajit, prandaj përpiquni t’i trajtoni ato sa më mirë pasi rezultatet do t’i shikoni pas datës 20 të muajit. Kryesorja për javën është Hëna e re në shenjën e Dashit në datën 5, mjaft dinamike dhe premton fillime të reja, të cilat nuk do të arrihen pa përpjekje të mëdha dhe sakrifica. Disa do të duhet të mbyllin një kapitull për të hapur një të ri. Kjo Hënë ndikon kryesisht përfaqësuesit e shenjës së Dashit, Peshores, Bricjapit dhe Gaforres, si dhe të Luanit dhe Shigjetarit të lindur në dhjetëditëshin e dytë të shenjës. Rezultatet tona në realizimin e projekteve do të varen nga komunikimi jonë, domethënë sa të gatshëm,të shkathët do të jemi ne në këtë drejtim. Gjithsesi kjo javë ka një vështirësi të konsiderueshme, por njëkohësisht do të kemi dhe ndihmën apo favorizimin e fatit. Duke marrë përsipër përgjegjësitë që na takojnë, me dashuri dhe mirëkuptim çdo pengesë mund të kapërcehet. Pranoni ndryshimet edhe pse për momentin mund të mos jetë e lehtë dhe shikoni përpara.
DASHI
Hëna e re në shenjën tuaj e bën këtë periudhë mjaft të rëndësishme për ju. Është momenti për fillime të reja dinamike, të cilat nuk do të jenë shumë të lehta. Shumë prej jush do të ndjejnë se gjenden përpara pengesave të pakapërcyeshme, në fakt ato janë vetëm në mendjen dhe psikologjinë tuaj dhe jo realiste. Përpiquni të jeni sa më energjik, krijues dhe me përgjegjësi për realizimin e planeve që keni vendosur. Mos këmbëngulni në situata dhe marrëdhënie që kanë marrë fund dhe shikoni të ardhmen me optimizëm. Me ripërtëritjen e natyrës vjen dhe ripërtëritja dhe rinovimi juaj, prandaj fillojeni atë nga paraqitja juaj në radhë të parë. Fundi i javës është i përshtatshëm për të menduar.
DEMI
Është momenti të bëni një kontroll endoskopik të situatës, çfarë keni arritur dhe ku gjendeni me qëllim programimin e kësaj periudhës. Përpiquni t’ju jepni gjërave përmasat e sakta, pa i zmadhuar apo zvogëluar ato dhe ruani qetësinë. Hëna e re mund të zbulojë dhe të nxjerrë në sipërfaqe situata që nuk i prisnit dhe deri tani ishin të fshehta. Në sferën sentimentale disa nga ju mund të hyni në një lidhje, e cila do të ketë një zhvillim të paparashikueshëm. Ndihma dhe shanset nga miqtë apo nga njerëzit tuaj nuk do të mungojnë, ndërsa fundi i javës është mjaft i përshtatshëm për diskutime me mendje të kthjellët lidhur me çështje sentimentale apo ekonomike që ju preokupojnë.
BINJAKËT
Prej kësaj jave do të jeni mjaft dinamik, me iniciativa, por të tensionuar dhe të stresuar në të njëjtën kohë. Mos u nxitoni me qëllim që të shmangni aksidentet e vogla. Biznesi apo puna juaj do të jenë mjaft kërkues dhe ju rezultativ, mjafton të mos bëni lëvizje të gabuara . Pas të enjtes situata qartësohet dhe ju do t’i shihni ndryshe gjërat, prandaj deri atëherë mos merrni vendime të rëndësishme. Shmangni konfliktet në marrëdhëniet tuaja dhe mos jepni shkak për diskutime rreth jush. Problemi i javës qëndron në sferën ekonomike, pasi aty do të keni probleme më të mëdha në gjysmën e parë të muajit. Fundi i javës premton biseda frytdhënëse në lidhje me projektet tuaja.
GAFORRJA
Është një javë e vështirë për ju pasi do të stresoheni dhe do të hasni vështirësi, si në fushën profesionale, ashtu dhe në atë personale. Do të bëni fillime të reja përmes ndryshimeve dhe përfundimeve të situatave, që nuk mund të ecnin përpara. Shfrytëzoni këtë periudhë, pavarësisht nga pengesat, për arritje më të larta në fushën profesionale. Në jetën sentimentale do të jeni nën presionin e vendimeve që duhet të merrni lidhur me personin që ju intereson, ndërkohë që nuk do të mungojnë konfliktet apo kontradiktat në marrëdhëniet tuaja. Një udhëtim mund të lehtësojë psikologjinë tuaj, ndërsa fundi i javës premton diskutime me rezultate pozitive në lidhje me një bashkëpunim apo forcimin dhe formalizimin e lidhjes suaj.
LUANI
Kjo javë ju jep mundësinë të bëni plane dhe projekte për periudhën në vijim të bazuara në kushte të reja. Merrni këshilla nga persona të përshtatshëm dhe organizoni më mirë jetën dhe programin e përditshëm, pasi vetëm në këtë mënyrë do të gjeni dhe kohën për të qenë më të lirë dhe për t’i kushtuar kohë vetes. Sfera ekonomike do të ketë zhvillim pozitiv dhe fati është me ju duke ju dhuruar suksese dhe gëzime. Mos merrni vendime për investime apo lëvizje ekonomike deri të enjten, ndërsa fundi i javës është i përshtatshëm të bëni një programim më të hollësishëm dhe më të mirë të jetës dhe të financave tuaja.
VIRGJËRESHA
Vështirësia e kësaj jave nuk ka ndikim të madh tek ju. Hëna e re në 5 prill mund të ndikojë në financat tuaja duke ju sjellë detyrime të larta apo pengesa gjatë periudhës në vijim. Vëmendja juaj është e përqëndruar në problemet që keni në marrëdhëniet personale apo profesionale. Mos u nxitoni të merrni vendime dhe mos nënshkruani asnjë kontratë gjatë javës. Situata do të qartësohet nga e enjtja dhe në fund të javës mund të hyni në diskutime për çështjet që ju preokupojnë, të cilat do të jenë në favorin tuaj. Për këtë arsye mirë është që për çdo gjë të vendosni nga java që vjen. Në sferën sentimentale momente dashurie dhe romantizmi do të përjetoni ju të lindurit në dhjetëditëshin e dytë të shenjës.
PESHORJA
Hëna e re përballë jush sjell fillime apo situata të reja, përmes vështirësive që do të hasni në marrëdhëniet personale dhe profesionale si dhe në ambientin familjar. Në përgjithësi do të ndjeheni të tensionuar dhe mes vështirësive dhe pengesave të cilat do t’ju udhëheqin në një cikël apo një kapitull të ri pas një marrëveshjeje mjaft interesante që do të bëni. Pavarësisht nga pengesat ekzistuese perspektiva të reja hapen në fushën e marrëdhënieve personale dhe të bashkëpunimeve, të cilat do t’ju çojnë një hap më poshtë. Diskutimet që do të bëni në fund të javës do t’ju qetësojnë në lidhje me punën, shëndetin apo rutinën tuaj.
AKREPI
Kjo javë vendos theksin në rutinën e përditshme, si dhe në punën tuaj. Do të jeni të detyruar të bëni ndryshime dhe të përshtateni në kushtet e reja që do të krijohen dhe që do t’ju vështirësojnë pak. Ju që keni biznesin tuaj mund të keni probleme me personelin si dhe makineritë që përdorni. Përpiquni të jeni sa më të kujdesshëm në komunikim me qëllim që të arrini rezultatet e dëshiruara. Jeta juaj sentimentale është mjaft pozitive, ndërsa financat tuaja do të rriten pas gjithë vështirësive apo pengesave që do të hasni në këtë periudhë. Vendosni një masë në dëshirat dhe pretendimet që do të keni.
SHIGJETARI
Muaj i bukur dhe i gëzuar do të jetë në vija të përgjithshme prilli për ju. Hëna e re në datën 5 ka një ndikim me antiteza tek ju. Për sa i përket jetës sentimentale situata është mjaft favorizuese, ndërsa në pjesën e financave do të ndjeni vështirësi. Prandaj të jeni të matur në lojërat e fatit dhe të shfrytëzoni fundin e javës për të bërë një organizim të mirë të tyre. Problemet që keni lidhur me familjen, punën apo marrëdhëniet tuaja do të fillojnë të qartësohen dhe do të marrin rrugëzgjidhje nga fundi i javës, ose më mirë ju do të shikoni gjërat nga një këndvështrim tjetër.
BRICJAPI
Hëna e re në 5 prill ju sjellë përballë me vështirësi dhe pengesa pothuajse në të gjitha drejtimet. Është momenti të vendosni themelet në jetën dhe karrierën tuaj, kuptohet duke bërë ndryshimet e duhura apo të domosdoshme. Mos u frikësoni përpara ndryshimeve që mund të vijnë pasi janë domosdoshmëri. Disa prej jush mund të ndërroni vendbanim dhe disa të tjerë mund të bëni ndryshime në punën apo karrierën tuaj. Brenda gjithë vështirësive që do të hasni do të keni dhe ndihmën dhe mbështetjen e “fatit”. Shfrytëzoni fundin e javës duke menduar se çfarë doni të arrini dhe përpiquni për realizimin e tyre prej javës që vjen. Kujdesuni për shëndetin!
UJORI
Gjatë kësaj jave duhet të jeni shumë të kujdesshëm në komunikimin me kolegët apo të afërmit tuaj, pasi shumë kollaj mund t’ju çojnë në keqkuptime. Kryesorja në këto momente është të jeni në ndjekje dhe në zbatim të projekteve të biznesit dhe të karrierës suaj, prandaj kanë shumë rëndësi komunikimi, kontaktet dhe vendimet që do të merrni. Financat tuaja janë akoma problematike deri të enjten dhe mirë është të mos veproni gjatë kësaj jave. Fundi i javës është shumë pozitiv për bisedime me qëllim ndihmën apo mbështetjen ekonomike. Këtë javë do ta karakterizoja asnjanëse me nuanca pozitive.
PESHQIT
Hëna e re në datën 5 ndikon kryesisht në financat tuaja duke sjellë ndryshime në këtë sferë. Disa do të kenë një burim të ri të ardhurash, ndërkohë që disa të tjerë do të përballen me detyrime të larta apo me vështirësi duke krijuar një situatë të re në fushën ekonomike për gjysmën e parë të prillit. Gjithsesi periudha është pozitive për ju, pasi ju jepet mundësia të realizoni mjaft nga ato që dëshironi si në jetën personale ashtu dhe në fushën profesionale. Problemet që ju shqetësojnë në lidhje me marrëdhëniet dhe bashkëpunëtorët do të gjejnë zgjidhje në fund të javës, prandaj mos merrni vendime të nxituara deri atëherë. Një udhëtim do t’ju çliroj nga stresi dhe tensioni që mund të ndjeni. /revistawho.com