Miley Cyrus ka ndarë së fundmi një prej momenteve më të paharrueshme të jetës së saj, propozimin surprizë të Max Morado-s. Këngëtarja 33-vjeçare, e cila shkëlqeu në premierën e “Avatar: Fire and Ash” falë unazës së saj të re me diamant, ka treguar në “Good Morning America” se nuk e priste aspak këtë hap nga partneri i saj.
Sipas saj, propozimi ndodhi gjatë një udhëtimi të fundit në Azi, kur bateristi 27-vjeçar u ul në gjunjë për t’i kërkuar dorën.
“Nuk është e lehtë të më surprizosh, sepse më pëlqen të kem kontrollin e çdo situate dhe u dorëzova plotësisht”, tha ajo me emocione, duke theksuar edhe më tej: “Dhe po ju them, isha shumë, shumë, shumë e befasuar!”
Miley nuk i kurseu fjalët e mira për Morado-n, duke treguar se ai kishte zgjedhur me kujdes unazën e fejesës, një krijim i veçantë Jacquie Aiche me diamante të vendosura në ar 14 karatësh. Sipas saj, ai “e bëri vërtet mirë”.
Këngëtarja shtoi se katër vitet pranë Max-it e kanë ndryshuar në mënyrë të dukshme:
“Është shumë e qartë se sa drastikisht jam rritur në këto katër vjet me Max-in”, u shpreh ajo.
E për të përshkruar lidhjen e tyre, ajo shtoi edhe një tjetër detaj të ëmbël:
“Thjesht dëshiron të ëndërrosh sa më shumë që të jetë e mundur dhe dëshiron të kesh dikë pranë që të thotë gjithmonë: ‘Ti mund ta bësh!’”
Çifti, të cilët kanë mbajtur gjithmonë një profil të ulët publik, tani kanë konfirmuar një kapitull të ri që fansat mezi po e prisnin.








