Pas përfundimit të aventurës në shtëpinë e Big Brother VIP 5, Kristi Lamaj ka ndarë publikisht planet e tij për të ardhmen. I ftuar në emisionin “Ftesë në 5”, ai u shpreh se ndodhet në një fazë të jetës ku dëshira për t’u bërë baba është bërë shumë e fortë, duke theksuar se familja për të mbetet gjëja më e çmuar dhe më e paprekshme.
“Vjen një moment kur gjërat ndodhin natyrshëm, kështu funksionon jeta. Dua të bëhem baba, është një ndjenjë që vjen me kalimin e viteve. Fillon të kuptosh se familja është më e rëndësishmja dhe kufiri që nuk duhet shkelur kurrë. Edhe brenda shtëpisë e kam thënë: mos më prek familjen, sepse ajo është vija ime e kuqe. Profesioni dhe familja janë dy botë të ndryshme; puna ime kërkon largësi, investim dhe përkushtim të plotë”, u shpreh ai.
Kristi shtoi se gjatë qëndrimit në shtëpi ka reflektuar shpesh, duke zhvilluar biseda të brendshme me njerëzit më të afërt për të ruajtur lidhjen me ta.
“Kam folur vazhdimisht me veten. E vendosja përballë vetes një person nga i cili doja këshillë. Nuk jam ndjerë kurrë i vetëm, edhe pse banorët i shihja si kundërshtarë. Në mendje bisedoja me njerëzit e zemrës dhe kështu i mbaja marrëdhëniet gjallë. Nuk dua të dukem egoist, por disa gjëra që kam bërë, i kam bërë, kam sjellë një frymë të re në muzikën popullore”, tha ai.







