Pas muajsh spekulimesh dhe një distance që dukej se kishte mbyllur kapitullin e tyre, Bad Bunny dhe Gabriela Berlingeri janë fotografuar sërish bashkë në një darkë intime në Sao Paulo, duke rikthyer menjëherë vëmendjen globale te një nga lidhjet më diskrete të pop-kulturës. Pamjet, të publikuara nga mediat ndërkombëtare, tregojnë çiftin në një dalje të qetë, dhe mjaftueshëm të afërt për të ndezur sërish narrativën e ribashkimit.
I njohur për privatësinë ekstreme në jetën sentimentale, reperi portorikan ka qenë gjithmonë i rezervuar për marrëdhëniet e tij. Në një intervistë të mëparshme për Vanity Fair, ai kishte shpjeguar këtë zgjedhje me një deklaratë që sot tingëllon edhe më domethënëse:
“Ata nuk e dinë si ndihesh, nuk e dinë si jeton dhe nuk dua që ta dinë. Jam i qartë: vetëm miku im më i afërt dhe familja ime janë ata që duhet të dinë.” Një qëndrim që e ka mbajtur lidhjen me Berlingerin larg zhurmës, edhe kur fansat kërkonin përgjigje.
Sipas raportimeve, dyshja, që ka pasur një histori të ndërprerë mes viteve 2017 dhe 2022, është parë duke kaluar kohë bashkë me natyrshmëri, duke ushqyer idenë se romanca nuk është shuar kurrë plotësisht. Darka e fundit vjen pas muajsh thashethemesh për afrime të reja dhe pas një periudhe ku artisti ishte fokusuar te projektet muzikore dhe performancat madhore, përfshirë skenat globale.
Pa deklarata zyrtare dhe me një strategji komunikimi të kontrolluar, heshtja e tyre mbetet ndoshta konfirmimi më i fortë se disa histori nuk kanë nevojë për fjalë për të vazhduar.









