Pas ditësh të tëra lajmesh, komentesh dhe supozimesh për çështjen ligjore ku është përfshirë Belina Pupa në Australi, çifti i njohur ka zgjedhur t’i përgjigjet zhurmës mediatike… me ironi.
Belina, e cila u raportua se po përballej me drejtësinë australiane për një ambient ku u gjetën substanca narkotike dhe lidhje të paligjshme energjie, ka reaguar së bashku me bashkëshortin e saj, Elvis Pupën, duke e kthyer situatën në një skeç komedik që menjëherë tërhoqi vëmendjen e rrjeteve sociale.
Në postimin e publikuar në profilet e tyre, dyshja dialogon me batuta që i ngjajnë një skene të improvizuar humori:
Elvis Pupa: “Ne jemi grupi armiqësor Midhja. Unë kam hedhur në erë hidrocentralin e Peqinit.”
Belina Pupa: “Hidrocentralin e kam pasur unë pra!”
Elvis: “Po unë çfarë kam patur?”
Belina Pupa: “Ti ke patur serat!”
Elvis Pupa: “Po unë kam hedhur në erë serat e Sukthit. Kjo, hidrocentralin e Peqinit. Sa grup i rrezikshëm paskemi qenë more.”
Belina Pupa: “Po ça do thotë bota për ne?”
Elvis Pupa: “Bota? ‘E hodhën dobiçin në ferrë e tani dalin na hedhin hi syve ne.’”
Reagimi me humor vjen pas seancës gjyqësore të 23 majit, ku Belina Pupa u thirr përpara gjykatës australiane nën dyshimet për kultivim narkotikësh dhe ndërhyrje të paligjshme në rrjetin elektrik. Më vonë, ajo sqaroi se prona ku u gjetën shkeljet ishte në pronësinë e saj, por e dhënë me qira.
Çifti, i njohur për qasjen e tyre të drejtpërdrejtë dhe shpeshherë ironike, duket se ka vendosur t’i përgjigjet zhurmës me humor, ndërsa rrjetet sociale vijojnë të shpërndajnë videon e tyre me mijëra ndërveprime.








