Nga: Revista WHO Fotograf: Endrit Mertiri Makeup: Henri Gjata Hairstyle: Sezer Hair Style Graphic Desgin: Eri Kokalari Communication Campaing: Oval.al Manager: Isida Mollaymeri
Nga pasarelat ndërkombëtare, te studimet për biznes. Vajza e bukur e me këmbë në tokë ka plane për të fluturuar shumë lart.
Bukuria e saj nuk të lë kurrë indiferente: jo thjesht për shtratin e lartë, buzët e sytë e bukura, por edhe për atë veçantinë e look-ut që vjen nga shumë larg. Ishin pikërisht mediat e huaja që spikatën tiparet e veçanta aziatike të bukuroshes sone Paula Mehmetukaj, duke e diferencuar atë mes të tjerash.
Dhe pse Paula nuk i shpëtoi syrit të publikut përmes fotosesioneve të shumta në Shqipëri dhe jashtë saj, menjëherë pas kurorëzimit ajo vendosi të themelojë fondacionin e saj “Bashkë”, për të qenë pranë kujtdo që ka nevojë për ndihmë. Kjo tregon që kurora nuk është thjesht një titull bukurie, por më shumë se aq. Teksa rrugëtimi në “Miss Universe Albania” për Paulën ishte një përvojë shumë e mirë dhe pikënisja për një karrierë të suksesshme, projektet e saj tërhoqën vëmendjen e të gjithëve duke u bërë kështu pjesë e suksesit të saj.
Studente ekselente në ekonomi-biznes, Paula e ka gjetur veten në projekte të ndryshme të fushës që ka studiuar, si përfshirja në “Tirana Youth Capital 2022”. Paula na tregoi se të qenit një “Miss” nuk do të thote të jesh vetëm e bukur, por të jesh e guximshme, e pandalshme, triumfatore dhe mbi të gjitha mos të heqësh dorë asnjëherë nga qëllimet e tua, pasi nëse vërtet beson te vetja, ato do të realizohen!
Panairi i Bukurisë dhe Tirana Youth Capital 2022, kanë të njëjtën fytyrë, fytyrën tënde. Si erdhën këto propozime?
Prej disa kohësh unë jam pjesë e Tirana European Youth Capital, projektit europian që ka në fokus rininë, ku jam në rolin e koordinatores. Për mua kjo është një arritje shumë e madhe, që lidhet me background-in dhe studimet që unë kam kryer. Përsa i takon “Beauty Fair Albania” jam shumë e lumtur që këtë vit të jem unë fytyra e Panairit më të madh të bukurisë në Shqipëri dhe sigurisht që ky propozim lidhet me titullin tim si “Miss Universe Albania” dhe projektet e mia në fushën e modelingut brenda dhe jashte vendit.
Nëse vajzat nuk besojnë më tek konkurset e bukurisë, a mund t’i bëjë rasti yt të ndryshojnë mendim?
Me bindjen më të plotë PO. Vendosa të jem pjesë e “Miss Universe” për të ndryshuar atë stereotipin shqiptar, ku mendohet që te jesh “miss” do të thotë të jesh vetëm një shoë girl, një vajzë Instagrami apo vetëm një vajzë e bukur. Të jesh “miss” nuk do të thotë të jesh vetëm një vajzë e bukur, por një vajzë e zgjuar e me personalitet dhe që përpiqet të bëjë sa më shumë për kauzat e mëdha të vendit të saj. Bukuria është një plus por jo gjithçka. Qëllimi kryesor, siç e kam shprehur dhe më parë, ishte që të gjithë të kuptonin që edhe pse ne vijmë nga një vend i vogël, potenciali dhe talenti ynë është i madh. Doja që Shqipëria të përfaqësohej denjësisht dhe të bëja krenare popullin e vendit tim. Ne jemi vendi më i bukur në botë dhe këtë gjë duhet ta mësonin të gjithë! Prandaj dhe vërtet punova u angazhova dhe dhashë maksimumin tim, për të arritur atë që doja. Për të bërë Shqipërinë krenare. Mendoj që puna ime gjatë kësaj kohe, si themeluese e një fondacioni dhe koordinatore e një projekti si “Tirana Youth Capital”, janë përgjigje për të gjithë ata që mendojne ndryshe.
Si ishte pjesëmarrja jote në Miss?
Përfaqësimi i Shqiperisë në kompeticionin më të madh të bukurisë, siç është “Miss Universe”, ishte një eksperiencë shumë e bukur, përfaqësim me kokën lart, shumë punë dhe angazhim nga ana ime. Mendoj që në fund ia vlejti lodhja dhe gjithçka tjetër, pasi Feedback- u që mora ishte shumë pozitiv dhe mbi të gjitha arrita që me anë të videos time “Made in Albania” të bëja krenarë njerëzit e vendit tim. Videoja u përzgjodh ndër qindra video të tjera, për t’u shfaqur në “Fox Tv” me mbi 500 milionë shikues mbrëmjen finale të “Miss Universe”, me anë të së cilës i treguam botës vlerat tona artistike kulturore si dhe turistike.
Na trego pak më shumë për të…
Në fakt e gjithë eksperienca e “Miss”-it është diçka që vjen një herë në jetë dhe kam shijuar çdo moment të rrugëtimit tim në maksimum. Momenti më emocionues ka qenë sfilata me prezantimin e National Costume, pra me kostumin kombëtar. Albania është vendi i parë që hap sfilatën dhe sigurisht përgjegjësia për mua ishte e dyfishtë, pasi isha vajza e parë që parakaloja dhe si rrjedhojë vëmendja ishte e madhe. Një emocion i papërshkueshëm, në atë moment e ndjen që je shqiptar në çdo qelizë dhe që e vetmja gjë që do është të bësh Shqipërinë krenare. Të jem e sinqertë, as vetë nuk e mendova aq të bukur atë parakalim. E gjithë veshja ishte flamuri, ndërsa unë isha shqiponja. Kështu që duhet të isha po aq krenare sa ç’është vetë shqiponja. Në qoftë se ka diçka që është rrënjosur thellë në mendjen time është ajo sfilatë.
A ndjehen të paragjykuara “Miss”-et sot?
Unë nuk mund ta them këtë, sepse jam rritur në një familje artistësh dhe për më tepër mamaja ime ka qenë pjesëmarrëse në “Miss”-in e parë shqiptar në vitin 1991. Nuk e di çfare është paragjykimi për të bukurën, pasi jam edukuar me frymën e njerëzve të bukur që kanë besim te vetvetja, që janë pozitivë dhe që për ta bukuria nuk është vetëm diçka e jashtme, por shumë më shumë se aq. “Miss” -i për mua nuk ishte vetëm një konkurs bukurie, por një konkurs vlerash dhe hapi i duhur për të nisur mbarë sukseset e synuara nga çdo vajzë e bukur dhe me synime të qarta si unë. Pra ishte një trampolinë e mirë jo vetëm për pamjen time të jashtme por dhe për shkollimin, edukimim dhe vizionin tim në karrierrë jo vetëm në modeling por në atë që kam investuar më shumë, dijen: armën time më të fortë!
Por megjithatë ti nuk mbetesh në kufijtë e një kurore… Ndaj ke zgjedhur dhe të studiosh për biznes, apo jo?
Siç dhe e përmenda më sipër, kurora ka qenë thjesht një start që unë doja ta kisha, doja të isha “Miss Universe”, të përfaqësoja vendin tim me dinjitet në Miami, të tregoja që bukuria pa zgjuarsinë nuk vlen dhe të vazhdoja synimet e mia në anën profesionale.
Si po shkojnë studimet dhe ku do profilizohesh?
Unë jam në përfundim të masterit shkencor për “International Business” dhe di të them që është një fushë që e dua shumë dhe e shoh veten time shumë shpejt të angazhuar, pse jo.
Një pyetje që nuk mund të mos e bëjmë: Kujt i ngjan që je kaq e bukur?
Fatmirësisht, si mami dhe babi janë të dy të bukur e mendoj se kam marrë më të bukurat nga të dy, si në tipare ashtu dhe në karakter e ambicie.
Je imazhi i një panairi bukurie. Po cila është rutina jote e bukurisë? Çfarë përdor dhe çfarë jo?
Unë jam një ndër ato vajza që më pëlqen të kujdesem dhe ta mirëmbaj shumë lëkurën time, pasi është diçka që e kemi vetë në dorë. Përpiqem të jem korrekte me rutinën e skincare dhe sigurisht këshilla kryesore: kurrë mos dil pa spf, ushqehu mirë, pi shumë ujë dhe bëj palestër.
Deri një vit më parë imazh i “Beauty FAir Albania” ka qenë Adrola Dushi. Si është të zëvendësosh Adrolën?
Unë jam rritur me frymën e punës, që çdo ditë në jetë të kem synimin që të përmirësoj sado pak çdo vend ku jam pjesë dhe të jap gjithmone diçka të re. Fjala zëvendësim nuk shkon me bukurinë. Pavarësisht se ekziston shprehja asgjë dhe askush s’është i pazëvendësueshëm, unë mendoj se bukuritë janë relative dhe nuk zëvendësohen. Mund të thuash është më e bukur vera se dimri, apo pranvera se vjeshta? Ato nuk e zëvendësojnë njëra -tjetrën, ato thjesht i shtojnë bukurinë njëra-tjetrës.
A e sheh veten gjatë si modele? Apo ke plane të afërta të tjera?
Për momentin e shoh veten të fokusuar në rritjen time profesionale, mendoj që modelingut ia kam marrë të gjitha benefitet. Kam investuar shumë në shkollimin tim ndaj tani është momenti të fokusohem drejt objektivit tim./revistawho.com