Protagonistë të këtyre librave janë vetë vogëlushët me historitë e tyre
Përrallat janë kontakti ynë i parë me botën e letrave dhe kur ato kanë për protagonistë vetë vogëlushin që e ka në dorë, atëherë kjo kthehet në një magji të vërtetë. Ideja për të personalizuar përrallat për fëmijët është e Ana Maria Seferajt, një grua rumune që jeton prej më shumë se 10 vitesh në Shqipëri, së bashku me bashkëshortin (shqiptar) dhe djalin e saj Tomas. Çdo tekst i përrallave që ajo personalizon është unik dhe nëpërmjet faqeve të librit vogëlushët zbulojnë detaje nga jeta e tyre. Janë të shumtë fëmijët për të cilët Ana Maria ka personalizuar. Në këtë intervistë për “WHO”, ajo na tregon hapat që ndjek për të krijuar një libër të tillë dhe kënaqësinë që merr nga lexuesit më kritikë e të vështirë, fëmijët…
Çfarë janë përrallat e personalizuara?
Përrallat e personalizuara janë libra shumë të veçantë, ku fëmija bëhet personazh kryesor bashkë me prindërit ose persona të tjera të dashur për të. Gjatë gjithë tekstit emri i tij është në qendër të aventurës, në faqen e parë të librit vendoset fotografia e tij dhe personalizohet titulli.
Si të lindi ideja t’i personalizoje?
Me rastin e ditëlindjes së parë të djalit tim Tomas, një nga dhuratat më të veçanta ka qenë një libër me një lepurush i cili shpjegonte çfarë janë Pashkët. Personazhi të cilit i drejtohej lepurushi ishte pikërisht Tomasi. Ai ishte ende shumë i vogël për të kuptuar për çfarë bëhej fjalë, por ne jemi kënaqur. Më është dukur një dhuratë perfekte për çdo fëmijë dhe kështu lindi ideja e përrallave të personalizuara. Ishte vetëm hapi i parë, pasi në fillim kemi shkruar tekstet, pastaj kemi krijuar ilustrimet dhe mënyrën sesi ato mund të realizoheshin një nga një.
Kush ka qenë fëmija i parë të cilit i ke personalizuar një përrallë?
Libri i parë ka qenë “Të shpëtojmë botën e përrallave” dhe printimet e para janë bërë për vajzën e shokëve tanë, Eva. Pastaj porosia e parë u realizua për Maris, e cila kishte ditëlindjen dhe që u shpreh se ishte dhurata më e bukur.
Si është e ndërtuar një përrallë e personalizuar?
Çdo përrallë është shkruar në mënyrë të tillë, që të tërheqë interesin e fëmijës në mënyrë që ai të mos e ndajë librin nga dora. Unë kam përgatitur 5 lloj librash, dy për djem dhe tre për vajza, dhe jam përpjekur që çdo libër të ketë një mesazh. Për shembull, te “Të shpëtojmë botën e përrallave”, siç thotë edhe titulli, personazhi kryesor shpëton të gjitha përrallat nga një shtrigë, sepse bota pa përralla do ishte e zymtë. “Sirena e vogël” flet për një vajzë e cila nuk dëgjon prindërit e saj dhe përfundon në telashe, ndërsa “Princesha e vogël” përfundon me idenë se çdo vajzë është princesha e prindërve të saj. Ndërkaq, “Kampioni i vogël” tregon se, me vullnet mund të fitosh edhe një garë të rëndësishme, ndërsa “Kapiten Kabe” flet për një djalë guximtar, i cili ndihmon një ushtar të shpëtojë qytetin.
Si ndihet fëmija kur e ka atë libër në dorë?
Në momentin kur fëmija hap një libër të personalizuar, ai fillon një aventurë magjike. Imagjino sa i lumtur është në momentin kur zbulon se përralla flet për të dhe përfshin detaje të jetës së tij! Lumturohet shumë kur shikon fotografinë e tij në faqen e parë, emrin e tij të botuar dhe që do të ketë një libër vetëm për vete. Ky libër, jo vetëm që do t’i rrisë vetëbesimin, por do të jetë edhe një kujtim i çmuar ndër vite.
Për cilat mosha mund të personalizosh një përrallë?
Normalisht tekstet e përrallave janë për një moshë relativisht të vogël, 3-7 vjeç, por kam realizuar libra duke filluar për foshnja disaditëshe, deri tek libra për shefin e një kompanie, i porositur nga stafi i tij (qesh). Mendoj se më shumë janë kërkuar për vlerën e tyre si kujtim, ndaj nuk kemi pasur fare limit moshe.
Sa kohë të merr?
Librat realizohen me dorë, një nga një. Marr të dhënat, i vendos në tekst, bëhen gati fletët e brendshme e më pas kopertina, dhe lidhen të dyja së bashku. Të gjitha bëhen veç e veç me dorë, prerja, ngjitja, dhe kjo i bën akoma më të veçantë, janë vërtet unikë.
Vizatimet dhe ngjyrat brenda përrallës, janë bërë nga ti?
Vizatimet janë realizuar nga një vajzë shumë e talentuar, Fabiola Zoto. Ajo në atë kohë ishte 23 vjeçe dhe të gjitha i ka punuar vetë. Një punë e vështirë, por ia doli shumë bukur. Me libra të personalizuar leximi bëhet një kënaqësi. Një kënaqësi që nuk duhet t’i mungojë asnjë fëmije!