Lexova diku para disa kohësh se në momentin që një grua merr vendim për të lindur një fëmijë, ajo duhet ta dijë se që prej atij çasti do shoh zemrën e saj teksa i vjen rrotull këmbëve. Më pëlqeu shumë. Unë nuk kisha qënë kurrë gati për të lindur një fëmijë. As për ty nuk isha gati. E di që ka njerëz që shkallojnë nga lumturia. Shkallova edhe unë, nga frika! Çdo gjë që më kalonte para syve, para mëndjes më tmerronte. Sidomos frika nëse do të bëhesha një nënë e mirë, këtë se di akoma, por duke ju referuar doktorit tim dhe vizitës së fundit tek ai, në momentin që i thashë faleminderit mora përgjigjen, mos më falendero mua, falendero veten se ti je kujdesur shumë mirë deri tani. Të paktën një gjë e kam bërë mirë! Sipas doktorëve ti je krijuar diku nga fundi i tetorit. Ishte një tetor I ëmbël I shoqëruar me kinema të orëve të vona, filma të bukur, që ti duket sikur I pëlqen. Sepse reagon fort nga muzika e tyre sa herë shkojmë në kinema. Ishte një e dielë e ngrohtë nëntori dhe ne ishim në një fshat në Elbasan kur unë mendova për ty për herë të dytë. Më parë nuk kisha menduar kurrë për shtatzaninë. Një ditë më parë kisha qenë në Qafë-Shtambë dhe mu duk sikur kisha një bark të vockël që nuk e kisha pasur më parë, por kjo ide më kaloi shpejt. Aty në Elbasan po luaja futboll me Edonin, kur ti ta njohesh Edonin do ta duash shumë sepse ashtu është ai, një njeri që të merr me vete në vorbullën e tij të dashurisë. Edoni ama ka një zakon të keq, do të fitoj patjeter. Dhe duke luajtur kur ai nuk më merrte dot topin më dha pa dashje një shkelm në bark. Unë u tërhoqa mbrapsht e trembur dhe mbrojta barkun sikur ta dija që ti ishe aty, ndoshta më i vogël se 1 centimeter. Pastaj qesha me veten dhe thashe: Budallaqe u trembe sikur të kishe një fëmijë aty! Nga fundi I nëntorit fillova të mendoj seriozisht se ti ishe brënda meje. Dhe një ditë, zgjodha enkas datën 28 nëntor, vendosa të bëj një test shtatzanie. Pa e përfunduar testin babai yt më tha; Ti je shtatzanë jashtë çdo dyshimi, sepse ke gjithë simptomat e mundëshme. I bëra një foto testit të thjeshtë të farmacisë dhe e hodha në kosh. Vazhdoja të isha e trembur dhe e tronditur. Unë kisha jetuar si një njeri i lirë dhe më dukej sikur ti do ma merrje lirinë. Në datën 3 dhjetor Ada ime, që do jetë edhe e jotja ka datëlindjen. Atë ditë në mëngjes i nisa një foto të testit dhe i shkrova poshtë: Unë nuk e di akoma nëse jam vajzë apo djalë, por di që ti je një arsye e bukur për të ardhur në atë botë. Të përqafojmë. Ada ishte diku në udhëtim, nëpër Evropë. Unë kuptohem pa shumë shpjegime me të, por ja që ky mesazh I shkoi I çuditshëm derisa e mblodhi veten dhe kuptoi mes të qarave që bëhej fjalë për Ty. Më mori në telefon e tronditur dhe e lumtur. Dy ditë më pas shkova në klinikë tek Egla dhe ia thashë asaj, me kërkesën mos ta fliste me njeri sa të bëja analizat, Egla në fakt nuk është shumë e mirë në ruajtjen e sekreteve të bukura. I pëlqen ta ndaj lumturinë me të tjerët. Bera ekon e parë në 8 dhjetor. Doktori më tha që ti ishe 2.5 centimetra. Degjova për herë të parë të rrahurat e zemrës tënde. Ishin sa dyfishi I të miave. Doktori priti të qaja, ose të qeshja. Dhe ma tha që gratë në raste të tilla reagojnë kështu. I thashë e tronditur se do qaja kur të isha vetëm. Isha kaq e hutuar sa as lotët, as buzeqeshja nuk guxonin të dilnin në sipërfaqe. Pastaj çdo gjë shkoi shumë mirë, edhe pse muajt e parë nuk ishin aq të lehtë. Unë nuk jam sëmurur kurrë, përveç një alergjie që e kam bashkëudhëtare. Kam stomak të fortë, trup të fortë dhe nuk jam aspak delikate, por ti më mësove të kundërtën. Më mësove sesa I vështirë është procesi I ngjizjes. Këtë nuk do ta harroj për gjithë jetën, sepse ngjizja nuk është thjeshtë krijimi I një fëmije, por cdo gjë që do duam ta arrijmë, ta krijojmë nga zero. Ishte trupi im që reagonte çuditshëm dhe të luftonte fort, shoqëruar dhe me një dëshirë të tmerrshme për gjumë. Unë jam një njeri që I trembem orëve të gjata të gjumit, më duket sikur gjumi më vjedh jeten. Por në dhjetorin e 2018 unë doja aq shumë gjumë dhe më vinte aq I ëmbël sa nuk kam fjalë ta përshkruaj. I tmerrshëm ishte janari. Kisha shumë ftohtë. Edhe po të binte borë në Siberi, unë e ndieja në Tiranë. Pastaj çdo gjë ndryshoi. E ndjeva pranverën që në fillim të shkurtit dhe kështu e vazhdova deri vonë. U mbajta fort pas pranverës dhe në vapën e tmerrshme të fund-qershorit dhe fillim-korrikut. Kur të rritesh do mësosh se ne jemi produkt i asaj që dëshirojmë të jemi. Mu desh të lexoja shumë materiale shkencore për ty, për cfarë ndodhte brenda meje, për sjelljet e mia në të ardhmen dhe çdo kujdes që duhet të tregoja. Nuk u tregova shumë njerëzve që i kam miq për ty, sepse më dukej kaq personale dhe private sa do më dukej sikur do ta shkelja marrëdhënien tonë. Pastaj kur barku filloi të rrumbullakosej e bëra publike. Të bërit publike nuk është diçka pa pasoja, sepse për fat të keq shumë njerëz kur të këshillojnë I referohen vetëm gojëdhënave dhe jo artikujve shkencor sesi duhet të të trajtoj apo çfarë aktiviteti duhet të bëj.
Çfarë nuk duhet ti thuash një gruaje shtatzanë
Para se të mbetesha shtatzanë isha marrë shumë me stërvitje. Dilnim çdo natë nga liqeni dhe pas 10 kilometrash ktheheshim në shtëpi të rraskapitur dhe të kënaqur. Barku më ishte sheshuar fare dhe brinjët që dalloja me gishta poshtë gjoksit më jepnin një kënaqësi të veçantë. Si e tillë kur ti u ngjize dhe fillove të rriteshe unë nuk ndalova së jetuari në të njëjtën mënyrë. U ndenja larg ëmbëlsirave dhe u ushqeva shëndetshëm. Ajo fjalia që dëgjoj shpesh se gratë shtatzana kanë shumë neps, nuk me rezultoi e vertete. Nuk dua të paragjykoj askënd që sillet ndryshe, por besoj se është pak psikologjike më shumë sesa fizike. Si rrjedhim në muajt e parë t’i as dalloheshe fare. Kur isha 4 muajshe filluan fjalitë këshilluese të bezdishme sa nuk thuhen: Ha, ti nuk ha, nuk ke bark fare, me çfarë do rritet ai fëmijë. Thua sikur njerezit rrinin pas meje dhe e dinin me siguri nëse unë haja ose jo. Edhe pse lexoja ndërkohë dhe shihja në internet mjaft video për shtatzaninë, kur njerez të ndryshëm të përsërisin gjatë gjithë kohës që nuk ke bark dhe kushedi sa po vuan fëmija, ti merakosesh. Është në natyrën e njeriut që të ndikohet, për fat të keq më shpejt nga fjalët e keqija sesa të mirat. Në një nga vizitat e radhës i thashë doktorit gjithë lumin e këshillave që dëgjoja. Buzëqeshi dhe me tha: bebi tani është 200 gramë, sa shanse ka që barku të të zmadhohet aq sa ta vënë re njerëzit?
Pastaj filluan fjalitë e tipit; A shkelmon bebi? Imi ka shkelmuar që në javën e 16. Por ti nuk shkelmoje sepse sipas shkencës shkelmimi fillon pas javës 25. Megjithatë edhe kjo ndikoi tek unë. Shkarkova gjithë aplikacionet e botës për të matur të rrahurat e zemrës tënde, po maksimumi që ato rregjistronin ishte ndonjë frymëmarrje imja e thellë. Fjalitë që më kanë ngritur më shumë nervat ishin ato të tipit: është koha jote të përkedhelesh, përkedhelu sa më shumë, sepse tani ta varin të gjithë, se më pas nuk do ti bjerë njeriu në mend për ty. Më dukej shumë e padrejtë kjo gjë. Nuk më ka munguar ndonjëherë ndonjë gjë, që ta arrij në forma të tjera, por edhe për ty nuk do ishte e drejtë, të rrije brenda trupit të një gruaje që u bënte hile të afërmve të saj dhe u nxinte jetën me kërkesa idiote. Mesazhe të tjerë të tipit: Fli se kushedi kur ke për të fjetur përsëri, ishin shumë fyes. Njërës i thashë: po bëj gabim dmth që po bëj një fëmijë, meqë e konsideroni ardhjen në jetë të tij si një dënim, mos duhet ta heq sa jam në kohë? Jo, tha, e trëmbur, por ta them se fëmija do të të lodhi shumë. E vërtetë! Fjali aspak frymëzuese dhe shumë zhgënjyese kur e dëgjon nga femra që e kanë lindur vetë një fëmijë. Një ditë pija kafe me një shok, kur më vjen një mesazh: Si je, po feston? Festo edhe sivjet se kushedi kur ke per te festuar përsëri. (Ishte shën Valentin, një festë që nuk e kam festuar kurrë, sepse më pëlqejnë festat që zgjasin 365 ditë, jo këto festat që për fat të keq më duken shumë shpesh si një feste hipokrite.) Fola shumë orë më vonë me shoqen time dhe I thashë se arsyeja që nuk I ktheja përgjigje ishte se mesazhi më dukej shumë fyes, por nuk e kuptonte. Është e vështirë ti japësh sytë e tu për të parë dritën dikujt që sytë e saj I mban mbyllur. Këshillë tjetër ishte ajo për makinën. Mos e ngit makinën tani që je shtatzanë, se kushedi çfarë ndodh, ti je e kujdessshme, po kushedi tjetri. E zëmë sikur nuk do ta ngisja makinën dhe në timon do ishte babai yt, a nuk kishte po aq shanse që dikush tjetër të na përplaste. I fola doktorit për makinen dhe më tha së për sa kohë nuk kisha marrje mëndësh dhe humbje përqëndrimi nuk kishte arsye të mos e ngisja. Dhe e vërteta është që ne të dy shumë shpesh edhe pa praninë e babait tënd kemi udhëtuar shumë, përfshi këtu dhe muajin e nëntë duke dëgjuar muzikë moderne, por edhe klasike. Studimet tregonin se disa kompozime të Mozart dhe Bethoven ishin shumë të mira në krijimin dhe zhvillimin e trurit të një fetusi që është strukur në barkun e nënës. Meqë udhëtuam shumë gjatë muajit të tetë, filluan kritikat për të mos ndërmarrë rrugë të gjata. Doktori im qeshi kur ia thashë dhe më tha: Të dëgjova me kujdes, nuk u ankove asnjëherë për dhimbje barku, gjë që do të thotë se nuk ke kontraksione dhe as rrezik për lindje të parakohëshme. Këshilla e tij ishte të shkonim në det, në orare të reduktuara, 8 me 10 dhe 16 me sa të doja vetë. Orari ndërmjet 10-s dhe 16-s nuk ishte I këshillueshëm për shkak të rrezeve ultraviolet. Sa për këshillën që të mos shkoja në pishinë se do infektoja bebin, as kjo nuk është e vërtetë. Bebi është krejtësisht I mbrojtur nga çdo lloj infeksioni I mundshëm sepse mitra është e izoluar në mënyrë hermetike nga pjesa tjetër e trupit. Kur shkonim në det, ti filloje të shkelmoje fort sapo futesha në ujë dhe mua më pëlqente të besoja se po kënaqeshe nga freskia e ujit dhe liria që të jep ai. Më ka bezdisur gjithë jetën fjala”Barrë”, në vend të fjalës “Shtatzanë”. Më duket tepër fyese, sepse bebi konsiderohet si një peshë munduese, ndërsa gruaja si një Sizif që po ngre gurin e saj të rëndë. Ndonjëherë, kur dikush ma ka thënë I kam kthyer përgjigje këshilluese që të mos e përdori më. Më qesharake ishte fjalia: “Mos I lejo të të prekin barkun”. Unë vetë e kujtoj si sot, momentin e parë kur I preka barkun mamit tim, kur ishte shtazanë me Adën. Ajo nga brënda lëkurës shkelmonte me këmbët e vockla dhe unë që prekja siluetën e tyre. Ndjesia ishte sikur më dhanë një qiell lumturie vetëm për vete. Askujt nuk I thashë jo. Nuk di nëse kjo ka të bëjë me një bestytni, për energji negative apo jo, por unë kam energjinë time që është si një koracë mbrojtëse për çdo rast. Dhe nuk do ta harroj një moment në kinema kur Anseli mbante dorën mbi barkun tim ndërkohë që shijonin një film shumë të bukur dhe ti shkelmoje me ritmin e muzikës. Kam lënë madje edhe të më puthin dorën gra të moshuara që u dukesha shumë e bukur me barkun e rrumbullakët dhe që gëzonin pse ti ishe një djalë. Ua kam falur këtë lloj diskriminimi, sepse dashamirësia me të cilën më afroheshin ishte çarmatosëse.
Fjali që nuk do ti them kurrë
do këshilloj kurrë askënd se çfarë të bëj me jetën e saj apo tij. Është shumë fyese kur dëgjon këshilla absurde, të tipit, për ty e kam, duhet ta bësh patjetër një fëmijë. Aq shpesh ta thonë, dhe njerëz që nuk kanë ndoshta kurrsesi atë lloj afrimiteti me ty që ti lejojnë vetes të flasin pa doreza, sa ti detyrohesh të zgjedhësh një armë idiote për tu mbrojtur. Fillimisht e dëgjoja dhe I bija shkurt duke thënë: Faleminderit, do ta mendoj. Pastaj vjen një moment që kjo fjali të cingërit nervat, thua se personi që ke përballë të do më shumë ty, sesa ti do veten. Atëherë fillova tu them se nuk po arrija dot të bëja fëmijë dhe se doktori më kishte thënë që çdo gjë ishte në rregull, ndërkohë që as e tentoja të bëja fëmijë dhe nuk kisha takuar asnjëherë asnjë doktor për këtë çështje. Kjo gjë I kufizoi shumë njerëz që të më pyesnin për këtë temë dhe ndoshta edhe më kanë parë me keqardhje. Zoti e di! Pas mbetjes shtatzanë kam folur, kam parë dhe dëgjuar shumë raste kur shumë gra tentojnë shumë pë të pasur një fëmijë, por për fat të keq nuk e arrijnë. Për këtë arsye nuk do I drejtohem kurrë një gruaje me këshilla absurde të këtij tipi. Nuk vesha për asnjë ditë nga ato bluzat vanitoze ku shkruhet në anglisht: Në pritje për tu bërë mama e një princi etj, sepse më dukej shumë lënduese kur imagjinoja sa sy femrash të përvuajtura do ta shihnin atë. Njoha shumë gra me histori të dhimbshme që bridhnin doktor më doktor për të pasur një fëmijë dhe kur doktorët nuk ia arrinin gratë shkonin nëpër falloxhore për ti dhënë vetes një mundësi të dytë. Kur rritesh kupton se këshillat sado të mënçur qofshin, duhet ti jaësh kur të kërkojnë mendim, çdo rast tjetër është shkelje e të drejtës së personit përballë, qoftë edhe për të gabuar.
Grimca bisedash absurde
Më këshilluan që të mos dilja nga shtëpia para 40 ditësh dhe të ndërmerrja ndonjë udhëtim me beben e sapo lindur se disa shpirtra që vinin vërdallë kushedi për çfarë arsye do më trajtonin keq. Më treguan që mjekët e vendosën një çift në dilemën për të hequr fëmijën sepse në eko nuk I dallohej fytyra dhe mendonin që ishte e mbuluar me qime. Dhe sipas historisë babai mori vendim ta mbanin fëmijën dhe kur lindi bebja ishte një vajzë me kacurrela të gjata që I kishin mbuluar krejt fytyrën. Kjo histori mu tregua disa ditë pas ekos sime të parafundit ku në një vizitë që zgjati mbi një orë e gjysmë doktori më dha kohë të bëj çdo lloj pyetje që më vinte në mend. Dhe unë për fat e kisha pyetur pikërisht për flokët nëse mund ti dalloheshin. Atëherë ai mu përgjigj se ekot kishin një saktësi deri në 60 përqind dhe flokët, qerpikët dhe çdo lloj qime tjetër ishte e pamundur të shfaqej në ekografi. Sigurisht kur dëgjoja histori absurde të këtij tipi pavarsisht se çfarë dija I hyja studimit në internet dhe ngjarje të tilla është e vërtetë që “ndodhnin”. Ndodhnin vetëm si gojëdhëna që transmetoheshin nga njerëz të një niveli të ulët dhe ndonjëherë arrinin deri në veshët e miqve të mi, për tu tretur brënda meje dhe për të mos u transportuar më kurrë prej gojës sime si të vërteta absolute.
Doktorët
shkova tek një doktor I ri, profesionist dhe I këndshëm I cili nuk më sikletosi me këshilla absurd për shkak të moshës sime, por për ekon e radhës ai u zhduk. (E them këtë punën e sikletit, sepse një miken time regjisore doktoresha e masakroi me fjalinë: Tani bërë të parin, mendo edhe për të dytin se së shpejti do të të filloj menopauza. Kjo fjali i’u tha pas përgjigjes së fundit të analizave ku trupi I saj funksiononte si zemrek I një ore preçize zviceriane.) nejse të kthehemi tek doktori im I parë. Edhe pse ishte takuar me mua dy javë para ekos së radhës për të lexuar përgjigjen e analizave nuk më tha se po bëhej gati të ikte përgjithmon në Amerikë. Kështu mu “arratis doktori” I cili ma shkrumboi gjithë shijen e mirë që më la në vizitën e parë. Doktoresha e dytë, ajo që më lajmëroi për gjininë tënde, ndodhej në një spital privat ku shkova për të bërë NIPT (Non ivasive prenatal test). Ishte java e 12 dhe ajo me zërin e saj të ftohtë akull më tha se bebja ishte djalë jashtë çdo dyshimi. Kishim qëlluar thjeshtë me fat që po e bënin ekon në atë javë. Dreqin, mjeke shumë e mirë, po pa një gram buzëqeshje në fytyrë. Pastaj zbulova doktor Arjanin dhe gjithë vizitat e tjera i kryeva me të. Çdo analizë dhe gjithçka tjetër e bëra në privat. Mora shërbimin për të cilin pagova, mi dërguan përgjigjet me email, duke mos më detyruar të shkoj lartë e poshtë dhe pa më ngrënë shumë kohë. Analizat e fundit doktori mi këshilloi ti bëja në shtet. I bëra. Mu desh ti ribëja ne Itali sepse doktori italian nuk i mori parasysh pergjigjet e shkruara me dorë. Për fatin tim të mirë kjo, sepse nga gjithë analizat që m’u desh të përsëris, vetëm rezultatet e kësaj analize më rezultuan të gabuara.
Ti erdhe
Mjekët kishin parashikuar si datë lindje 25 korrikun, por ti nuk dukej se e kishe në plan të vije në këtë botë. Frikës time se mos më plasnin ujërat kur shëtisnim në Venecia dhe nëper kodra ti kushedi sa herë i ke qeshur. Të afërmit thoshin se djemtë janë dembel dhe lindin me vonesë, por unë më shume besoja që ti nuk doje t’më shkaktoje asnjë dhimbje. Nuk kisha kontraksione. Doktorët vendosën që në javën 41 e 4 dite t’mi stimulonin ato. Nuk shkoi aq mirë. Trupi im nuk reagoi mirë dhe mjekët ndërprenë stimulimin. Pas mesnatës së 5 gushtit vendosën të më futnin në sallën e operacionit. Ndodhi gjithçka në harkun e 20 minutave. Dridhesha e gjitha. Një tufë profesionistësh që më trajtonin gjithë kujdes. Ti qave sapo dole. Me një zë të vogël të drojtur. Qava dhe unë! Një infermiere të tregoi nga larg. Të pastroi dhe të solli tek unë, të mbështjellë si një kukull të vogël. Të vuri buzën mbi të timen dhe kështu u puthëm për herë të parë. Të fërkoi fytyrën me fytyrën time dhe ti hapje gojën si një zog i vogël në kërkim të ushqimit. Ajo u përkul mbi mua dhe më tha të mos harroj se ti linde ne oren 1.48 minuta. Më pas babai yt erdhi ne dhomën ku po pushoja dhe më tregoi fotot e tua te para duke u larë. Ti dhe unë u pamë përsëri të nesërmen. Ishe ashtu si të kisha imagjinuar, i ëmbël dhe kurioz. 9 muaj kishim jetuar në të njëjtin trup, tani ti kishe trupin tënd dhe bashkë me të, gjithë zemrën time.