Nga Ervin Kurti
Arti dhe feja janë të hershëm, janë zhvilluar krah njëri-tjetrit, por pa pasur gjithmonë atë harmoninë mes tyre. Herë dogmat fetare nuk e kanë lejuar artin të shtrijë tentakulat e tij, e herë muzika ka akuzuar fenë se nuk i ka dhënë lirshmërinë e duhur artit. Michael Jackson, Madonna, Lady Gaga kanë tentuar që të paktën një herë në karrierën e tyre muzikore, të realizojnë një klip ku sfondi ose përmbajtja të jetë fetare, si një manifestim i brendshëm i revolucionit që ata donin të sillnin në tregun muzikor. Nuk dihet nëse artistët e shfrytëzojnë artin për shkak të besimit apriori që njerëzit kanë ndaj fesë, apo ndjeshmëria e tyre kah riteve fetare është pa kurrfarë nënkuptimi për shkak të pushtetit që rrjedh prej saj. Sa është hapësira që feja i jep artit dhe si e kanë menaxhuar një pjesë të VIP-ave shqiptarë këtë simbiozë?
Orinda Huta
Këngëtarja Orinda Huta ka qenë në klasën e tretë kur ka frekuentuar për herë të parë Kishën Ungjillore Shqiptare. Fillimisht ndiqte pas të vëllain, por pas disa muajsh, në moshën 8-vjeçare, Orinda, në atë kohë myslimane (familje autoktone tiranase), u pagëzua, duke ndryshuar fe, por jo besimin tek Qenia supreme. Huta nuk i ndjek me rigorozitet ritet fetare, sidomos meshën e së dielës, pasi nuk e sheh të nevojshme praninë e saj në kishë për të qenë pranë Zotit. Atë mund ta bëjë kudo, madje dhe pa prezencën e pastorit. Bibla është libri ndaj të cilit ajo përkushtohet me devotshmëri dhe e ka si një udhërrëfyes për të dalluar të mirën dhe të keqen. Pranon se edhe gabon, sepse në fund të fundit është prej mishi dhe gjaku, por gabimet e saj s’kanë qenë ndryshe nga të njerëzve të tjerë të gabueshëm. Edhe pse e kemi parë të zhveshur në klipin e fundit “Te Amo”, bukuroshja me sy të qelqtë, pohon se lirshmëria që feja e re i jep asaj, nuk e kufizon në art, por ama kur bëhet fjalë për një art pa vulgaritet dhe pa joshje të tepruar. Hera-herës nxjerr në rrjetet sociale pasazhe nga Bibla, jo për t’i treguar botës në mënyrë deklamative atë që ajo beson, por si një ndjesi e brendshme për ta ndarë me fansat e saj. “Unë këtu s’shoh asnjë gjë të keqe, pasi nuk dëmtoj askënd”, – deklaron Huta, duke e shkrirë në mënyrë shumë harmonike fenë në artin që ajo bën.
Gold AG
Arian Agushi apo siç e njohim ndryshe reperi kontrovers Gold AG, para disa ditësh ka qenë në Mekë për Haxhin, një udhëtim që çdo mysliman duhet ta kryejë të paktën një herë në jetën e tij. Mirëpo muzika që reperi bën, nuk është në sinkron me vizitën në Qabe, e cila është një vend i shenjtë. Sipas dijetarëve islamë, kjo lloj muzike është e ndaluar, sidomos tekstet e këngëve të Gold AG-së që janë plot protestë dhe mllef. Besimi që ai ndjek dhe këngët që këndon, bien paksa në kontradiktë me njëri-tjetrin. Edhe pse këto vende të shenjta duhet të mbeten të tilla përgjatë gjithë vizitës, Gold AG poston foto të njëpasnjëshme, duke na njohur me të gjitha proceset e riteve dhe me komente të tilla si: “Lësho mëshirë o ZOT, pash at’ rahmet që e ki…”.
Ermal Mamaqi
Aktori, moderatori, këngëtari Ermal Mamaqi nuk harron t’i përmbyllë statuset e tij në “Facebook” apo daljet publike me “Zoti të bekoftë!” apo “Faleminderit Zot!”. Besimi i tij është forcuar edhe më shumë që kur priste ardhjen në jetë të Joelit, i cili mban emrin e njërit prej profetëve. Që në rininë e tij të hershme frekuentonte kishën, aq sa pati së bashku me grupin edhe disa diskutime të vogla me pastorin për llojin e muzikës që lëvronin, por që u sheshuan me kalimin e kohës, duke i mirëkuptuar rregullat e kishës dhe duke zbutur paksa tonet e muzikës hip-hop. Sot Ermali bën muzikë, humor, moderon spektakle, drejton një biznes të suksesshëm, pa u penguar aspak nga zgjedhja e tij fetare, përkundrazi, besimi në Zot e motivon atë drejt përfundimit me rigorozitet të punëve që nis.
Isida Mollaymeri
Balerina Isida Mollaymeri rrjedh nga një familje hoxhallarësh (gjyshi i saj ka qenë hoxhë). Vitet e mëpasshme, teksa Isida hidhte shtat, bënë që ajo të zgjidhte baletin, por jo të hiqte dorë nga respektimi i riteve fetare të fesë myslimane. Në pjesën më të madhe të kohës është “e zhveshur”, për shkak të specifikës së punës si balerinë profesioniste pranë TKOB-së, ndërsa në muajin e Ramazanit Isida agjëron. Po, po, mos u habisni! Isida joshëse e me trupin perfekt që të gjithë shohim në “Instagram”, 30 ditë u dedikohet riteve fetare, pa asnjë ndryshim nga besniket e kësaj feje ndër vite. E mbrujtur prej traditës familjare, Isida mendon se përjetimi është personal dhe ajo ka zgjedhur ta bëjë në këtë formë. “E ku i dihet, mbase një ditë edhe mund të mbulohem, por për momentin kam zgjedhur të agjëroj duke mos hequr dorë nga puna”, – shprehet ajo në deklaratën e saj. “Unë ndihem mirë dhe, deri në momentin që kjo gjë mua s’më pengon në cilësinë e punës, dua të vazhdoj ta bëj”, – nënvizon Isida, pa hequr nga supet çantën e saj të baletit.
Sony NRG
Ka lexuar kaq shumë për Kuranin dhe fenë islame, saqë pa frikë, Sony NRG, djaloshi që bënte hip-hop teksa ishte pjesë e grupit “The Dreams”, tanimë mund të quhet një nga ithtarët e kësaj feje. E gjen çdo të premte pranë xhamisë së Rrugës së Kavajës ose të Urës së Tabakëve për të falur xhumanë, por kjo s’është e vetmja ditë kur ai tregon respektin ndaj Allahut. DR. Zakir Naik, një nga filozofët e fesë islame nga India, është guida e mbarsur me informacione, për të cilin ai deklaron edhe publikisht se është nga të preferuarit e tij. Mund ta themi se ka hequr dorë nga muzika, – të paktën ka disa vite që nuk ka publikuar asnjë këngë, – por nga palestra ama nuk ka hequr dorë, dhe kjo duket nga format trupore që Sony nuk heziton t’i publikojë. Ka menduar ta përfaqësojë islamin në ide, qëndrime, koncepte, dhe jo duke ndryshuar “look”-un e tij. Aktualisht ai moderon një emision në radion “NRG”.
*Marrë nga numri i katërt i Revistës “WHO”.
Discussion about this post