Sulagna Panigrahi është aktorja që luan rolin e Sakshit, në serialin shumë të ndjekur “Bidai” në televizionin “Klan”. Sakshi, një personazh shumë intrigues dhe aspak i zakontë, është gjithashtu edhe personazhi më i urryer për momentin nga të gjithë shikuesit. Seriali ka pësuar ndryshime të mëdha që pas vdekjes së dy protagonistëve kryesorë Ranvir dhe Sadna, por episodet në vijim premtojnë të jenë po aq të bukur dhe interesantë. Këtë e konfirmon edhe vetë aktorja e cila në një intervistë të sjellë nga gazeta “Paloma” tregon se shumë nga ndryshimet do të vijnë prej saj. “Gjithmonë kam dashur të punoj me regjisorin Rajan Shahi ngaqë më pëlqenin shumë punët e tij dhe kisha shumë respekt për të. Personazhi i Sakshit është shumë interesant, me disa faceta të ndryshme dhe shumë i thellë. Kam një personazh kryesor që do t’i ndryshojë shumë gjërat për serialin. E kam shijuar shumë këtë eksperiencë. Është një ndjesi e mrekullueshme të jesh pjesë e grupit të punës në “Bidai”. Në fakt e vërteta është se nuk jam ndjerë asnjëherë sikur isha e reja apo e sapoardhura në grup. Atmosfera në sheshxhirim është shumë miqësore. Jam ndjerë sikur kisha kohë që punoja në këtë serial”, ka thënë aktorja që luan rolin e Sakshit.