Na ndajnë edhe pak orë nga finalja e madhe e këtij edicioni të “Big Brother”, ndërkohë që edhe pse të mbërthyer nga ankthi i fitores, qëndrimi i banorëve brenda shtëpisë gjatë kësaj jave ka qenë pak a shumë i pandryshueshëm. Në tre muaj tri çiftet më të forta ia kanë dalë të prekin finalen, me ambicien për të fituar çekun prej 100 milionë lekë që do t’u dorëzohet sot fituesve gjatë spektaklit që moderohet nga Arbana Osmani.

Sa i takon përditshmërisë së tyre, çiftet rivale Lupçe-Katerina dhe Olsi-Fiorentina preferuan ta kalonin kohën duke luajtur volejboll në oborr, ndërsa Fotini-Danjel i janë përshtatur marrëdhënies burrë-grua duke preferuar të kalojnë më shumë kohë duke gatuar në kuzhinë. Nuk kanë munguar konfliktet mes tyre, deri aty sa Danjeli i kërkoi që Fotinia të hiqte unazën e martesës, ndërkohë që Fiorentina është ndier e neglizhuar nga partneri i saj Olsi, dhe për këtë arsye nuk i ka kursyer zënkat.
Këto dy çifte janë parë si rivalët kryesorë, në mes të të cilëve janë çifti Katerina-Lupçe, që shpesh kanë shërbyer si katalizatorë të marrëdhënies së tri çifteve brenda në shtëpi. Po si arritën këto tri çifte t’ia dalin, duke u rikthyer në një retrospektivë kur para tre muajsh ata hynë në “Big Brother 9”? E nisim me çiftin romantik Katerina-Lupçe, ajo 20 vjeçe dhe ai 22 vjeç. Katerina dhe Lupçe janë çift që vijnë nga Pusteci i Korçës, edhe pse jetojnë në Tiranë. Lupçe është një djalë shumë i hedhur dhe shumë gazmor.
Katerina është më e ndrojtur dhe Lupç- ja për të është gjithçka. Pak vite më parë, Lupçe pati një histori me shoqen më të mirë të Katerinës, por ai moment tashmë kaluar dhe ata mendojnë se ka ardhur koha të sfidojnë veten, me praninë e tyre në “Big Brother”. Ata e shohin njëri-tjetrin si partnerë jete dhe me paratë e fitores kanë plan të sigurojnë të ardhme më të mirë. Të dytët janë Fiorentina dhe Olsi, ajo 28 vjeçe dhe ai 27 vjeç. Ata u bënë partnerë në audicione për të përfaqësuar çiftin “çmenduria dhe pasioni”.
Dy persona nga Tirana shumë aktivë dhe me sens humori të lartë, mund të themi se kanë kaluar shumë zënka e sakrifica në lojën e tyre. Fiorentina është tërhequr shumë nga pamja fizike e Olsit dhe batutat e tij, aq sa mund të themi se u marros pas tij. Por bashkëjetesa nuk ishte e thjeshtë, pasi shpesh u përball me neglizhimet, shpërfilljet dhe lojërat e shumta të djalit çapkën.
Ajo është një vajzë shumë e çiltër dhe i pëlqen shumë të qeshë, ndërkohë që Olsi ka një dashuri të madhe për futbollin, edhe pse nuk arriti të vazhdonte karrierën e tij me klubin e Tiranës. Ata mendojnë se kanë bërë zgjedhjen e duhur dhe se mund të jenë çifti fitues i “Big Brother”, por nuk kanë lënë të nënkuptohet asgjë nëse ata do të vazhdojnë të jenë çift pas lojës, apo secili do të vazhdojë rrugën e tij. Çifti i tretë është Danjeli nga Tropoja dhe Fotinia nga Gjirokastra, ai 26 vjeç dhe ajo 23 vjeçe.
Të dy kanë ardhur nga histori të trishta në çështjet e zemrës, pasi Danjeli i kishte dhënë fund një historie të gjatë gjashtëvjeçare, ndërsa Fotinia kishte humbur partnerin gjatë një aksidenti. Gjithsesi duket se pas shiut doli dielli për të dy, pasi jo vetëm njohën njëri-tjetrit, por edhe u martuan brenda lojës.
Nuk mungoi skepticizmi dhe deklaratat e ishbanorëve se kjo martesë ishte pjesë e një skenari dhe u bë thjesht për lojë, e që shumë gjasa ka që ata do të shkurorëzohen pasi të dalin nga shtëpia. Gjithsesi kjo mbetet për t’u parë. Ndërkohë në rrjetet sociale fansat kanë nisur të shpallin çiftin fitues të zemrës, edhe pse gara më e fortë është mes dy çifteve Olsi-Fiorentina dhe Danjel-Fotini.
Premtimi, çifti që fiton ndan para edhe te të tjerët
Nuk dihet sa do të mbahet ky premtim nga 3 çiftet finaliste të “Big Brother”, por gjesti do të ishte shumë human. Tri çiftet finaliste kanë bërë një premtim, se kush fiton do t’u japë dy çifteve të tjera një shumë prej 1 milion lekësh të vjetër. Teksa luajnë me letra në oborr banorët rikujtojnë këtë premtim. Ajo që e hap këtë temë është Fiorentina, e cila thotë mos harroni bastin, kush do të fitojë. Danjeli shprehet se këtë gjë e kishte planifikuar para se të vihej basti, duke sqaruar gjithnjë se do t’i jepte nga 500 mijë lekë të vjetër çdo finalisti.
Sherri i femrave në pragfinale
Shtëpia e “Big Brother” nuk ka qetësi një ditë para finales… Edhe pse na ndajnë pak orë nga nata finale, çështja e gatimit dhe punëve të shtëpisë vijon të mbetet një temë debati mes banorëve. Një ditë më parë, Fiorentina u ankua se Fotinia nuk gatoi drekën, por ajo e shleu duke bërë darkën. Ndërsa sot në mëngjes Fiorentina e kritikon Fotininë se e ka harxhuar të gjithë vajin në darkë dhe sipas saj, tanimë nuk kanë se me çfarë të gatuajnë vezët për mëngjes./Panorama







