Një video e shkurtër e publikuar nga Pink mjaftoi për të shuar një valë spekulimesh që sugjeronin fundin e martesës së saj me bashkëshortin, ish-pilotin e motocross-it Carey Hart. Artistja 46-vjeçare reagoi me ironi ndaj lajmeve që flisnin për një ndarje pas dy dekadash lidhjeje. Në videon e publikuar, ajo shprehet:
“U informova që qenkan ndarë nga burri im. Nuk e dija. Faleminderit që ma treguat. A doni t’ua thoni edhe fëmijëve tanë? Ata janë 14 dhe 9 vjeç dhe gjithashtu nuk dinë asgjë.”
Raportimet, të mbështetura në burime anonime, sugjeronin një distancim pas më shumë se 20 vitesh histori të përbashkët. Por Pink jo vetëm i mohoi, por kritikoi hapur fokusin e mediave tek dramat personale:
“Doni të flisni për arritjet e mia apo vetëm për ‘fundin’ tim të supozuar? Këto janë lajme të rreme, nuk janë të vërteta. Ju dua të gjithëve,” deklaroi ajo, duke e kthyer reagimin në një mesazh më të gjerë për presionin që fama ushtron mbi jetën private.
Në intervista të mëparshme, këngëtarja ka folur hapur për kompleksitetin e një martese afatgjatë:
“Marrëdhëniet afatgjata nuk janë të lehta. Duhet të punosh me veten, sepse nuk mund të ndryshosh tjetrin”, është shprehur ajo. Sekreti, sipas saj, mbetet ruajtja e individualitetit:
“Ne jemi shumë të pavarur dhe ndoshta kjo është arsyeja pse kemi qëndruar bashkë kaq gjatë. Nuk kemi nevojë për njëri-tjetrin. Ne zgjedhim njëri-tjetrin.”
Historia e Pink dhe Hart është bërë shpesh shembull i një dashurie që evoluon. Vetë Hart ka reflektuar mbi këtë rrugëtim, duke thënë:
“Po rindërtojmë gjithçka. Ndonjëherë duhet të bësh disa hapa pas për të ecur përpara.”









