Në një format ku çdo lëvizje analizohet dhe çdo heshtje komentohet, Selin Bollati zgjodhi të mos fshihej më pas buzëqeshjeve diplomatike. Edhe pse akoma nuk janë çift zyrtarisht, balerina u shfaq e veshur “matchy-matchy” me DJ Gimbo-n dhe përballë pyetjeve të drejtpërdrejta, ajo pranoi publikisht atë që publiku kishte kohë që e nuhaste: “Po, unë e pëlqej”. Një fjali e thjeshtë, por me peshë, që e zhvendosi menjëherë vëmendjen nga thashethemet tek ndjenjat e deklaruara.
Selin sqaroi se afrimiteti mes tyre nuk është një impuls momental, por rezultat i një njohjeje më të thellë. “Jam lidhur më shumë me Gimbon kur kam kuptuar çfarë karakteri ka, dhe çfarë qëndrimi ka në lidhje me mua,” u shpreh ajo, duke lënë të kuptohet se përtej lojës, ekziston një raport i ndërtuar mbi respekt dhe mirëkuptim.
“Nëse këtu brenda shtëpisë do të më vijë një person që realisht do e pëlqej, nuk jam nga ato njerëz që kam frikë t’i shpreh ndjenjat… me Gimbon, çfarë kam ndjerë, e kam shprehur,” tha Selin, duke shtuar me një ton më të lehtë: “Po, unë e pëlqej Gimbon si djalë…”. Një formulim që lë hapësirë për interpretim, por jo për mohim.
A është ky fillimi i një historie që do të evoluojë përtej mureve të shtëpisë, apo thjesht një kapitull i bukur në një lojë të madhe emocionesh?









