Heidi Baci, tashmë moderatorja e re e “Big Brother Fan Club,” që nis më 5 janar në Top Channel, ka folur së fundmi për vendimin e saj për të lënë pas eksperiencën në “Goca dhe Gra.” E ftuar në emisionin “Wake Up,” ajo ndau emocionet dhe mendimet për këtë hap të ri në karrierën e saj.
Kur u pyet për ndryshimin midis dy formateve, Heidi tha:
“Janë dy eksperienca të ndryshme. ‘Goca & Gra’ të ndihmon të zhvillosh mendimin kritik, je si opinioniste. Kurse moderimi është diçka tjetër. Shpresoj të mos jem ‘polic trafiku’, por do të më mësojë puna.”
Ajo rrëfeu gjithashtu se largimi nga “Goca dhe Gra” nuk ishte një vendim i lehtë. Kur u pyet se kush e ndjeu më shumë mungesën e saj, Heidi u përgjigj:
“Xhilda u mërzit më shumë, por dhe Rudina. E ruaj shoqërinë dhe takohem më shpesh me Xhildën. Na bashkon mosha, e dua fort dhe ka treguar se është një vajzë shumë besnike.”
Duke iu përgjigjur kritikave për rikthimin e saj në “Fan Club” pas largimit nga paneli i mëparshëm, Heidi u shpreh me sinqeritet:
“Çelësi i suksesit është të kuptojmë realitetin tonë. Kur nuk je gati, dëmton veten tënde dhe panelin. Kisha nevojë të shkëputesha dhe të kuptoja ku qëndroja. ‘BBV’ është eksperiencë e vështirë dhe mendoj se është e guximshme të zgjedhësh veten. Përndryshe dëmton punën, nuk jep maksimumin. Dhe mora momentin tim, kisha nevojë të rrija dhe me familjen. Dhe kur më erdhi kjo mundësi dhe në një rol tjetër, jam e lumtur sepse jam shumë energjike tani dhe shumë e karikuar. Mezi po pres.”
Heidi ka ruajtur gjithashtu marrëdhënie të mira me disa ish-banorë të “Big Brother.” Ajo tregoi:
“Po, me Sarën dhe Bardhin, janë shumë të mirë. Bardhi është çun flori. Jam shumë e lumtur për ta sepse kanë pasur një vit të rëndë. Nea është një bebushe fantastike, është një ndjesi shumë pozitive në shtëpinë e tyre.”
Me një energji të re dhe pritshmëri të larta, Heidi Baci është e gatshme për sfidën e re në “Big Brother Fan Club.”