Në rrjet po qarkullon imazhi që askush nuk priste të shihte kaq shpejt: Sean “Diddy” Combs i veshur me uniformën e burgut dhe pamje të lodhur, teksa bën një ecje të qetë në oborrin e FCI Fort Dix, New Jersey. Ky është debutimi i tij publik pas transferimit në institucionin federal, ku do të vuajë pjesën e mbetur të dënimit prej 50 muajsh për krime seksuale federale.
Në foto, reperi 55-vjeçar shfaqet me xhaketë blu të errët, kapelë dhe mjekër të bardhë të plotë, i fiksuar duke shikuar larg.
Ndërkohë, jeta e tij e re nuk ka asgjë të përbashkët me luksin e dikurshëm. Combs është vendosur në një njësi dormitor, ndan hapësirën me të burgosur të tjerë dhe ndjek një regjim të thjeshtë ushqimor. Mëngjesi nis në orën 06:00 me fruta, tërshërë të nxehtë, bukë me tërshërë, kafe e qumësht. Dreka përfshin “fajita pule, oriz, fasule të zezë, misër të plotë dhe një pije frutash”, ndërsa darka në 16:00 është mish viçi me “pure patatesh, perime të përziera me salcë, bukë thelb të plotë dhe margarinë”.
Ky realitet i ri vjen pas një periudhe ku, në Metropolitan Detention Center në Brooklyn, Combs madje organizoi dhe një kurs sipërmarrjeje të titulluar “Free Game with Diddy” që zgjati gjashtë javë.
Ai u dënua muajin e kaluar në Southern District të New York për dy akuza për transport për prostitucion, ndërsa u lirua nga akuzat më të rënda për trafikim seksual dhe rrjet kriminal që mund t’i kishin sjellë burgim të përjetshëm.
Rrjetet sociale janë ndezur, komentet po vërshojnë dhe disa fansa ende nuk e besojnë realitetin e ri të një prej figurave më të fuqishme të industrisë së muzikës.
Mbetet për t’u parë çfarë do të ndodhë më tej me Diddy dhe a do të kemi një rikthim të tij pas përfundimit të dënimit. Por për momentin, imazhi i tij pas hekurave po flet më shumë se çdo deklaratë.









