Ndodhi e frikshme për Eleonora Boi-n, partneren e basketbollistit të njohur italian Danilo Gallinari: teksa po shijonte pushimet në Porto Riko, ajo u sulmua nga një peshkaqen. Incidenti ndodhi në plazhin e njohur Isla Verde, ku Boi, që është në pritje të ëmbël, u plagos në pjesën e kofshës.
Sipas raportimeve nga mediat ndërkombëtare, ajo ndodhej pranë Resortit Carolina kur u përball me sulmin. Fatmirësisht, gjendja e saj është stabile dhe ajo u dërgua menjëherë në Spitalin Universitar të Porto Rikos për trajtim.
Ekspertja e mjedisit, Nilda Jimenez, shpjegoi se “bëhet fjalë për një kafshim nga një peshkaqen i llojit ‘tiburon gata’”, i njohur ndryshe si peshkaqeni infermier. Kjo specie preferon ujërat e cekëta dhe aktualisht ndodhet në periudhë çiftëzimi, duke rritur kontaktet me njerëzit.
Komisioneri i policisë lokale, Ruben Moyeno, theksoi ndërhyrjen e menjëhershme të shërbimeve të emergjencës: “Forcat e rendit reaguan menjëherë, duke i ofruar viktimës ndihmën e parë në vendngjarje”. Ai shtoi një thirrje të drejtpërdrejtë për pushuesit: “Kushdo që sheh lëvizje të dyshimta ose prani të kafshëve detare si peshkaqenë, duhet të njoftojë menjëherë autoritetet përkatëse”.
Ndërkohë, autoritetet po mbajnë nën vëzhgim zonën përreth dhe u bëjnë apel qytetarëve për kujdes të shtuar, sidomos në këtë periudhë të vitit kur rreziku i sulmeve të tilla është më i lartë.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në rrjet, ndërsa siguria në plazhet turistike të Porto Rikos është kthyer në qendër të vëmendjes.








