Rrjetet sociale kanë shpërthyer ditët e fundit me teori dhe diskutime rreth Dolce-s, banorja e “Big Brother VIP Kosova” që është bërë pjesë e një eksperience unike: një javë qëndrimi në “Grande Fratello” si pjesë e një shkëmbimi mes dy formateve.
Fillimisht, banorët e BBVK mbetën pa fjalë kur produksioni u njoftoi vetëm se Dolce ishte larguar për “çështje familjare”, pa dhënë asnjë detaj të mëtejshëm. Edi, personi me të cilin Dolce kishte krijuar një romancë brenda shtëpisë, reagoi i pari, i habitur dhe i shqetësuar nga mungesa e informacionit.
Por dje gjithçka u sqarua. Banorëve iu shfaqën pamjet e hyrjes së Dolce-s në “Grande Fratello” dhe reagimet e publikut italian ndaj saj. Në video dukej qartë se një prej djemve të shtëpisë italiane e shikonte me interes, gjë që ndezi menjëherë një valë xhelozie tek Edi. Ai madje komentoi se shpresonte që Dolce të mos krijonte afrimitet me askënd atje, sepse “dikush po ja lunte” në momentin që ajo hyri në shtëpinë italiane.
Ky reagim i tij, i shoqëruar me zhurmën e rrjetit, krijoi terrenin ideal për shpërndarjen e disa videove të edituara. Në to, dukej sikur Dolce shkëmben puthje me një konkurrent të “Grande Fratello”-s. Klipet u shpërndanë me shpejtësi, duke krijuar konfuzion dhe reagime të ashpra nga disa ndjekës.
Megjithatë, shumë shpejt u sqarua se pamjet nuk ishin aspak të vërteta. Ato ishin krijime me inteligjencë artificiale, të cilat nuk pasqyronin realitetin, gjë që solli edhe ndarjen e audiencës: disa ranë pre e montazhit, ndërsa të tjerë e kuptuan menjëherë manipulimin.
Dolce ndërkohë vijon eksperiencën e saj në Itali, teksa publiku pret të shohë reagimin e saj kur të rikthehet në shtëpinë e BBVK.









