Ai që dukej si mirazh i largët dhe imagjinatë e shfrenuar u bë realitet.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i shpalli luftë Ukrainës.
Ndërkohë, që Këshilli i Sigurimit pranë OKB-së po zhvillonte mbledhjen urgjente të kërkuar, e gjithë vëmendja botërore kishte “ngrirë” nga Kremlin-i.
Gjatë një fjalimi të paparalajmëruar, udhëheqësi rus deklaroi shpalljen e një operacioni special ushtarak.
“Rusia nuk mund të ndihet e sigurt me kërcënimin nga Ukraina. Nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të përdorim mjetet që do të shpallim”, do të theksonte kreu i shtetit rus.

Sipas tij, qëllimi prapa këtij vendimi është “çmilitarizimi i Ukrainës” dhe “ndëshkimi i nazistëve dhe kriminelëve”.
Një thirrje ai e pati edhe për ata të cilët, sipas tij, do përpiqen ta pengojnë.
Ata, shtoi Putin, do të marrin një përgjigje ushtarake.
“Ne jemi gati për çdo gjë”, ishte deklarata e fortë e udhëheqësit rus.
Ukraina gjendet prej orëve të para të mëngjesit nën sulmin ajror të forcave ruse.
Fill pas fjalimit të presidentit rus Vladimir Putin, i cili shpalli luftë ndaj shtetit lindor, filluan shkëmbimet mes mbrojtjes ajrore ukrainase dhe atyre ruse.
Mbrojtja ajrore e Ukrainës ka rrëzuar tre helikopterë të pushtuesve rusë pranë aeroportit Gostomel. Lajmi u bë i ditur nga mediat lokale.
Ndërkohë, gjatë orëve të kaluara janë sulmuar dhe rrëzuar nga forcat ukrainase edhe dy helikopterë të tjerë rusë./revistawho.com









