Në një nismë që po bën bujë në të gjithë Europën, Danimarka ka shpallur planet për të ndaluar përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët nën moshën 15 vjeç. Ligji, i prezantuar më 7 nëntor, konsiderohet si një nga masat më të forta në Bashkimin Europian për të mbrojtur shëndetin mendor dhe sigurinë e të rinjve online.
Ministrja e Çështjeve Dixhitale, Caroline Stage, shpjegoi se statistikat janë alarmante: “94% e fëmijëve nën 13 vjeç janë aktivë në të paktën një platformë sociale, si Snapchat, YouTube, Instagram apo TikTok,” ndërsa më shumë se gjysma e fëmijëve nën 10 vjeç kanë tashmë profile online.
Sipas Stage, kjo nismë synon të ulë ekspozimin e fëmijëve ndaj përmbajtjeve të dëmshme, bullizmit kibernetik dhe rreziqeve të tjera që fshihen pas ekranit. “Koha që kalojnë online, dhuna, vetëdëmtimi që shohin çdo ditë — janë një rrezik i madh për fëmijët tanë,” u shpreh ajo, duke akuzuar kompanitë teknologjike për mungesë përgjegjësie. “Kanë shuma absurde parash, por nuk janë të gatshëm të investojnë në sigurinë e fëmijëve tanë.”
Edhe Ministria e Dixhitalizimit e përforcoi këtë mesazh, duke deklaruar se “fëmijët po humbasin gjumin, paqen dhe përqendrimin, ndërsa ndihen nën presion nga marrëdhëniet digjitale ku prania e të rriturve mungon.”
Megjithatë, mbetet e paqartë si do të zbatohet ky ndalim në praktikë, duke qenë se shumica e platformave kanë tashmë kufizime për moshat nën 13 vjeç. Danimarka po shqyrton përdorimin e sistemit kombëtar të identifikimit dixhital për të vërtetuar moshën e përdoruesve — një ide që mund të shndërrohet në aplikacion verifikimi.
“Nuk mund t’i detyrojmë gjigantët e teknologjisë të përdorin aplikacionin tonë,” tha Stage, “por mund t’i detyrojmë të bëjnë verifikim të rregullt moshe. Nëse nuk e bëjnë, do të ndëshkohen nga Komisioni Europian me gjoba deri në 6% të të ardhurave globale.”
Ligji gjithashtu parashikon një përjashtim të mundshëm për 13- dhe 14-vjeçarët, të cilët do të mund të përdorin rrjete sociale vetëm me miratimin e prindërve, pas një vlerësimi të posaçëm.
“U kemi dhënë gjigantëve të teknologjisë shumë mundësi për të reaguar,”përfundoi Stage. “Nuk e bënë, ndaj tani do ta marrim ne timonin në dorë për të siguruar që e ardhmja e fëmijëve tanë të jetë e sigurt.”
Me këtë ligj, Danimarka pozicionohet si një nga vendet e para që guxon të vërë kufij të qartë mes fëmijërisë dhe botës digjitale — një hap që mund të nxisë debat të gjerë në mbarë Europën.








