Kampi “Rinia vlerëson” ka çelur siparin për të dytin vit radhazi. Për disa ditë ishte i hapur njoftimi për t’u bërë pjesë e konferencës së të rinjve. Nga 59 Këshillat Vendorë Rinorë, rreth 140 të rinjë u bënë pjesë e kampit “Rinia vlerëson” për të ndarë përvoja, ide kreative, për të qenë zëri i brezit të tyre dhe brezave të ardhshëm. E pranishme në aktivitetin që nisi më 4 korrik 2023 ishte edhe ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi e cila u shpreh entuziaste teksa dëgjonte të rinjtë në habitatin e tyre të mendimit kritik dhe ideve kreative.
“Vjet zhvilluam kampin ‘Rinia Vendos’, ku të rinjtë e 35 bashkive na u bashkuan për të vendosur për të ardhmen e tyre, për të vendosur mbi Strategjinë Kombëtare të Rinisë, ndërsa këtë vit ‘Rinia Vlerëson’, ku të gjithë së bashku vlerësuam për çka vendosëm vjet. U mblodhëm me rreth 140 të rinj, pjesë e 59 Këshillave Vendorë Rinorë, me ekipin e Rinisë, Roberto de Benardi nga UNICEF Albania, Eljona Elmazi nga World Vision Albania, Alqi Kushi nga Agjencia Kombëtare e Rinisë, Benard Zeneli, ekspert i jashtëm për SKR29 dhe diskutuam për SKR29, masat e ndërmarra dhe impaktin e tyre në qytetet respektive të të rinjve”.Shumë e lumtur që të rinj nga e gjithë Shqipëria gëzojnë mendim kritik, ide brilante dhe janë gjithmonë aty, gati për të ngritur zërin për bashkëmoshatarët e tyre dhe brezat e ardhshëm. Për më tepër, ndanë me shumë dëshirë eksperiencat e tyre si anëtarë të KVR-ve, duke marrë dhe ide të reja për t’i implementuar në qytetet e tyre. Në përfundim të sesioneve dhe bisedimeve, të rinjtë plotësuan pyetësorin për vlerësimin e jashtëm të SKR29, i cili na ndihmoi për të kuptuar më shumë rreth zbatimit të suksesshëm të strategjisë në nivel kapilar”, ka shkruar ministrja Muzhaqi krahas pamjeve nga aktiviteti.
Një gjë është e sigurt, të rinjtë janë rrënja, pema, dhe frutat e shoqërisë.