Moderatorja e njohur Roza Lati, prej vitesh figurë kryesore në ekranin shqiptar me emisionin “Why Not?” në RTV Ora, ka qëndruar larg mediave kohët e fundit. Në një bisedë të sinqertë me ndjekësit në rrjetet sociale, ajo zbuloi arsyet që e shtynë të largohej nga televizioni, duke prekur disa nga momentet më të vështira të jetës së saj personale dhe profesionale.
Lati pranoi se ishte thellësisht e zhgënjyer nga mënyra si funksiononte televizioni ku punonte, një zhgënjim që u thellua gjatë një periudhe krize brenda medias.
“E vërteta është që televizioni më është shpifur në këtë periudhë të jetës. Kur televizioni ku punoja u sulmua, shumë punonjës u larguan nga frika, dhe ne që mbetëm, përballuam gjithë barrën me mungesë stafi. Por publiku nuk duhej ta kuptonte – show must go on,” tha moderatorja.
Pas mbylljes së sezonit të fundit të “Why Not?”, Roza përjetoi një sërë fatkeqësish personale, duke përfshirë humbjen e dy qenve të saj, Petit dhe Sashës, si dhe një shtatzëni të dështuar. Një tjetër moment i rëndë për të ishte pjesëmarrja në Big Brother VIP Albania 3, ku, sipas saj, u përball me padrejtësi dhe mungesë profesionalizmi.
Megjithatë, ajo nuk e mbyll derën për rikthimin në ekran. Përkundrazi, premton se do të rikthehet më e fortë dhe me një ekip të ri profesionistësh, që ndajnë të njëjtat shqetësime për standardet në rënie të televizionit.
“S’kam mbaruar me ekranin. Do rikthehem. Dhe jo vetëm. Por me një grup profesionistësh që, si unë, janë lodhur nga mënyra si po zhvlerësohet televizioni sot,” u shpreh ajo.