Kryeministrja e Finlandës, Sanna Marin, nuk ka konsumuar lëndë narkotike. Kështu të paktën rezulton nga përgjigja e testit të drogës, të cilit ajo iu nënshtrua një javë më parë. Pas publikimit të një videoje ku ajo shfaqej duke festuar me miqtë e saj, përveç kritikave, shumë aluduan se 36-vjeçarja ishte nën efektin e lëndëve narkotike. Ajo këmbënguli që nuk kishte konsumuar drogë, por vetëm alkool dhe tha se nuk kishte bërë asgjë të paligjshme. Urina e saj u testua për përmbajtje të disa drogave, si kokaina, amfetamina, kanabis dhe opium, por rezultoi negativ për të gjitha. “Testi i drogës i bërë nga kryeministrja Sanna Marin më 19 gusht 2022, nuk tregoi praninë e asnjë droge”, thuhet në një deklaratë për media të lëshuar nga zyra e kryeministrisë.









