Këngëtari Erik Lloshi ka treguar një episod shumë të vështirë që ka përjetuar në periudhën pas humbjes së mikut të tij, Shpat Kasapit. Në një intervistë në “Më prit të dielën”, ai ka rrëfyer se disa persona kanë treguar mungesë totale empatie në një moment që për të ishte shumë delikat.
Sipas tij, menjëherë pas ndarjes nga jeta të Shpat Kasapit në moshën 40-vjeçare, ai ishte ftuar në një emision televiziv për ta kujtuar. Teksa fliste, emocionet kishin qenë të forta dhe ai kishte shpërthyer në lot, gjë të cilën e konsideron krejt njerëzore.
Por ajo që e ka prekur më shumë, sipas Lloshit, ka ndodhur pas intervistës.
“Pas emisionit kam dëgjuar komente si: ‘Sa bukur qaje’, madje më kanë ardhur edhe ftesa të tjera që ‘të qaj prapë’ për Shpatin nga një gazetar. I thashë që do e bëj kur të vdesësh ti…Gjëja më e shpifur që më ka ndodhur e që kam dëgjuar në jetën time”, ka treguar Lloshi.
Artistit i është dukur e papranueshme që dhimbja e dikujt të bëhet temë për spektakël dhe klikime. Ai është shprehur i indinjuar që një tragjedi dhe humbje personale mund të kthehen në material argëtimi apo show, pa marrë parasysh ndjenjat e njerëzve që janë prekur direkt.
Në këtë dalje publike, Lloshi ka sjellë në vëmendje edhe mënyrën se si disa media e trajtojnë dhimbjen njerëzore, duke theksuar se ka momente kur respekti dhe ndjeshmëria duhet të jenë më të rëndësishme se çdo audiencë televizive.








