Festivali i 64-t i Këngës në RTSH ka gjetur tashmë figurën që do të udhëheqë skenën këtë vit: Salsano Rrapi pritet të jetë moderatori kryesor i edicionit të ri. Krahas tij do të jetë edhe një moderatore, por identiteti i saj mbetet ende i pa konfirmuar, duke lënë vend për shumë kuriozitet.
Edicioni i sivjetëm do të mbërrijë me një frymë të re artistike, pasi drejtimin e përgjithshëm e ka marrë Elhaida Dani. Festivali do të shtrihet përgjatë katër netëve, secila me karakteristikat e veta:
Dy netët e para do t’i dedikohen konkurrimit, nata e tretë pritet të sjellë nostalgji dhe rikthim te këngët e dashura, ndërsa nata e katërt do të përmbyllet me Finalen e Madhe.
Në skenë do të ngjiten 28 artistë. Lista përfshin emra shumë të njohur të muzikës shqiptare, rikthime të rëndësishme të artistëve që kanë lënë gjurmë në skenën moderne, si edhe debutues që do të marrin për herë të parë kontakt me një prej skenave më prestigjioze të vendit, një trampolinë e vërtetë për nisjen e karrierave të reja.








