Pas ndarjes nga jeta të Pippo Baudos më 16 gusht në Romë, mediat italiane kanë zbuluar një detaj që ka habitur publikun: një pjesë e madhe e pasurisë së ikonës së televizionit nuk i ka shkuar vetëm fëmijëve të tij, por edhe sekretares besnike, Dina Minna.
Për më shumë se tre dekada, 54-vjeçarja ka qenë gjithmonë pranë prezantuesit legjendar, duke u përshkruar shpesh si “engjëlli mbrojtës” i tij. Jo vetëm në skenë, por edhe në jetën private, Minna ka qenë krahu i djathtë i Baudos, gjë që duket se e ka bindur 89-vjeçarin ta shpërblente me një pjesë të konsiderueshme të trashëgimisë.
Burime italiane raportojnë se ajo ka përfituar një trashëgimi pothuajse të barabartë me dy fëmijët e prezantuesit të ndjerë, Alessandro dhe Tiziana. Ky vendim ka shkaktuar reagime të shumta dhe komente kontradiktore në opinionin publik italian.
Megjithatë, për ata që kanë ndjekur nga afër jetën e Pippo Baudos, ky gjest shihet si një dëshmi e mirënjohjes për një person që i qëndroi besnik deri në fund.
Pippo Baudo u nda nga jeta në moshën 89-vjeçare, duke lënë jo vetëm një pasuri materiale të madhe, por edhe një trashëgimi të paharrueshme në kulturën dhe historinë e televizionit italian.









