Mbrëmja hapëse e “Big Brother VIP Albania” nuk solli vetëm emocionet e zakonshme të një sezoni të ri, por u shndërrua në një moment reflektimi dhe trishtimi të thellë. Prime-i i parë u shoqërua me një homazh prekës për Shpat Kasapin, artistin që nuk arriti kurrë të hynte në shtëpinë më të famshme, pasi u nda tragjikisht nga jeta më 26 nëntor.
Për familjen e tij, kjo mbrëmje ishte shumë më tepër sesa një program televiziv. Ishte rikthimi i një plage ende të hapur, sidomos për bashkëshorten e tij, Selvije Jao, e cila për herë të parë ndau me publikun një detaj intim nga bisedat e fundit me Shpatin, pak para se ai të merrte vendimin për BBV.
Selvija tregon se, ndryshe nga sa mund të mendohej, shqetësimi i Shpatit nuk kishte të bënte me famën apo lojën, por me familjen dhe përgjegjësitë si baba.
“Kur Shpati mendonte të hynte në Big Brother, më pyeti: ‘Do mundesh ta përballosh mungesën time dhe të kujdesesh e vetme për Roelin, derisa unë të jem në Big?’”, shkruan ajo.
Në atë kohë, përgjigjja e saj ishte e mbushur me besim dhe mbështetje, pa e imagjinuar kurrë se çfarë do të sillte e ardhmja:
“Patjetër… do të të kem 24/7 para syve.”
Por ajo që dukej si një mungesë e përkohshme, e lidhur me ekranin dhe distancën fizike, u shndërrua në humbjen më të madhe të jetës së saj. Data 26 nëntor i ndryshoi përgjithmonë kuptimin kësaj bisede, duke e kthyer në kujtimin më të dhimbshëm.
Homazhi në Top Channel solli edhe një herë ndër mend planet, ëndrrat dhe pritshmëritë që Shpati kishte për këtë eksperiencë, të cilat mbetën përgjysmë. Selvija pranon se, thellë brenda vetes, kishte ende shpresë:
“Unë prita deri në këto momente. Prita që të hysh në Big, sikur gjithçka të ishte vetëm një vonesë e gjatë.”
Dhimbja bëhet edhe më e rëndë kur ajo flet për djalin e tyre, Roelin. Çdo ditë, thotë ajo, është një përballje e re me mungesën e Shpatit dhe boshllëkun që ai ka lënë pas.
“Roeli rritet pa dorën tënde, dhe unë mësoj çdo ditë të jetoj me një dhimbje që nuk mësohet kurrë të shuhet.”
Mesazhi i saj mbyllet me një fjali të thjeshtë, por shkatërruese në ndjenjë:
“Më mungon më shumë sesa fjalët mund ta mbajnë.”









