Panxhari është një perime e nëntokës shumë e çmuar për shëndetin e njeriut.
Ajo e ushqen organizmin së brendshmi me shumë vitamina dhe minerale.
Kjo pasuri vlerash e bën panxharin të domosdoshëm edhe për shëndetin e lëkurës.
Në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni se si të shfrytëzoni mirësinë e panxharit për shëndetin e lëkurës dhe bukurinë e jashtme.
Maska Me Panxhar Për Shëndetin e Lëkurës
Panxhari është shumë i pasur me antioksidantë, të cilët jo vetëm që luftojnë radikalet e lira por edhe parandalojnë plakjen e parakohshme dhe shfaqjen e rrudhave.
Lëngu i Panxharit i Tretur në Ujë të Ngrohtë
Për këtë kurë ju nevojiten:
5-6 lugë çaji me lëng panxhari
Ujë të ngrohtë,
Lajeni fytyrën me ujë të ngrohtë dhe lëreni të thahet natyralisht.
Lyejeni pambukun me lëng panxhari dhe më pas vendoseni në fytyrë duke shmangur zonën e syve dhe atë përreth gojës.
Lëreni lëngun të qëndrojë në fytyrë për disa minuta dhe më pas aplikoni një shtresë tjetër.
Shtresa e dytë do të sigurojë një mbulim më cilësor të fytyrës me lëngun mirëbërës të panxharit.
Shtresa e dytë duhet të qëndrojë në lëkurë për 15-20 minuta.
Gjatë kësaj kohe nuk duhet ta prekni lëkurën.
Më pas merrni një peshqir të pastër dhe lageni me ujë të ngrohtë.
Peshqirin duhet ta përdorni për heqjen e lëngut të panxharit nga lëkura.
Ky trajtim duhet përdorur dy herë në muaj.
Panxhar, Kos dhe Lëng Limoni
Për këtë trajtim ju nevojiten:
2 lugë çaji me lëng panxhari
1 lugë çaji me kos,
1 lugë çaji me lëng limoni jeshil
Përziejini të gjithë përbërësit në një enë qelqi dhe shtoni pak miell të bardhë sa të formohet një masë jo shumë e lëngshme.
Më pas, maskën aplikojeni në lëkurë dhe mbajeni për 15 minuta.
Shpëlajeni me ujë të ngrohtë dhe thajeni lehtë me peshqir.
Kjo maskë duhet përdorur 5-7 herë në muaj për një lëkurë pa të meta.
Panxhari jo vetëm që do ta ushqejë lëkurën por do i japë asaj shkëlqim dhe shëndet./AgroWeb.org