Meghan Markle ka kujtuar Krishtlindjet e saj të para me familjen mbretërore, përmes dokumentarit në “Netflix” “Harry & Meghan”.
Vetëm disa javë pasi ajo dhe princ Harry njoftuan fejesën e tyre në nëntor të vitit 2017, dukesha e ardhshme e Sussex theu traditën mbretërore. Familja mbretërore zakonisht i kalon Krishtlindjet në Sandringham, megjithatë ka rregulla strikte për listën e të ftuarve. Historikisht, ftesat për të marrë pjesë në festimet familjare të Krishtlindjeve kanë qenë të kufizuara për anëtarët e familjes.
Megjithatë, Meghan Markle mori pjesë. Duke kujtuar ngjarjen në fjalë, rrëfeu se ishte ulur pranë gjyshit të Harry-t, princit Philip. “Në darkë, isha ulur pranë gjyshit të tij, princ Philip. Mendova se ishte i mrekullueshëm. Më kujtohet aq qartë Krishtlindjet e para, kur thirra mamanë time dhe i thashë: “O Zot, kjo është e mrekullueshme… Është njësoj si një familje e madhe, siç kam dashur gjithmonë”, ka thënë ajo.








