Gjatë një interviste të dhënë në emisionin “Robi plaket kur don vetë”, Bardhi vendosi të flasë hapur për përvojën e tij në edicionin e tretë të Big Brother VIP Albania. Pa zbukurime dhe pa pretendime dramatike, ai tregoi se jeta brenda shtëpisë më të ndjekur në Shqipëri nuk ka qenë aspak një shëtitje në park.
“Shtatë ditët e para ishin më të vështirat. Tre ditë rresht kam kërkuar telefonin,” u shpreh ai, duke nënvizuar vështirësinë që ndjeu në fillim. Ai shtoi me sinqeritet: “Nuk është për çdokënd. Unë jam kënaqur, por jo në atë nivel që ta quaj eksperienca më e mirë e jetës.”
Ai ndau edhe një pjesë më pak të dukshme të këtij eksperimenti televiziv, atë të tensioneve të padukshme që krijohen mes banorëve: “Je me njerëz që nuk i njeh, dhe ndonjëherë çdo minutë dikush mundohet të kapet pas teje që loja të bëhet më interesante.”
Megjithëse përvoja nuk rezultoi “dream come true”, për Bardhin ajo solli diçka shumë më të rëndësishme: dashurinë e jetës së tij. Pikërisht në atë shtëpi ai u njoh me Sara Gjordenin. Sot, ata janë të martuar dhe kanë një vajzë, Nean, e cila erdhi në jetë në fund të vitit të kaluar.