E njëjta ngjyrë flokësh e onde të mëdha që kur u shfaq për hërë të parë si nje Romy Schneider me siluetë e poza divash, shfaqje të panjohura në Shqipëri. Mbeti e njëjta Margaritë e bukur me nishanin mbi ballë e sytë në formë bajamesh edhe kur shqiptarët e panë t’u maturohej para syve në filma e teatër, të luante role vajzash e grash të bukura, role fshataresh e role mamash. E po aq elegante dhe e pamoshë ngeli edhe kur filluan t’i takonin rolet e gjysheve. E njëjta Margaritë si e qëndisur, me pamjen e pandryshueshme, pa shtuar kurrë asnjë lajle-lule, luks aktoresh të kohës sonë. 87- vjeç mbush sot zonja e kinemasë dhe teatrit. Po Margaritave nuk iu numerohen as vitet as petalet, se të ngatërrojnë e të bëjnë lëmsh.

Rrugëtimi i Margaritës si aktore nisi shumë herët në Teatrin Kombëtar, për t’u pasuar në vitet e ardhshme nga një sërë rolesh e personazhesh që e shoqëruan në projekte kinematografike dhe teatër.
Emri i saj definohet njëherazi jo vetëm nga talenti dhe puna e palodhur, por dhe tiparet tërheqëse në fytyrë që e kanë dalluar që në një moshë të herët si një figurë shumë të veçantë e të dashur për ata që e ndiqnin me fanatizëm në çdo projekt të aktores e syve kritikë të asaj kohe që nuk munguan asnjëherë.
Asgjë nuk ndryshoi tek Margarita. Me kalimin e viteve, u zbardhën flokët, por asnjëherë nuk u zbardh eleganca dhe klasi i saj. Një aktore që mbeti përherë e bukur jo vetëm për shkak të tipareve, me të cilat e krahasonin shpesh me personazhet e njohur të ‘Hollywood’, por edhe sjelljes që i dha hijeshinë e njëjtë edhe kur u bë grua, gjyshe, pa ndryshuar asgjë.

Ndër vite, Margaritës nuk iu desh asnjëherë të vishej ndryshe, të rëndonte një tipar apo të shtonte një aksesor për të marrë atë që gjithmonë e ka pasur që prej daljeve të saj të para, vëmendjen e sytë e ngulmuar pas bukurisë e elegancës së përkthyer gjithmonë me mjeshtri edhe në sjellje dhe artikulim.
Vërtetë që në vitet ’60-’70 nuk kishtë ‘hollywood’, por në festivalin e parë të këngës, në 1962 Xhepa shkëlqeu teksa drejtonte këtë eveniment të përvitshëm.

Ka krijuar mbi 100 role në teatër, midis të cilëve mund të përmendim: Majlindën tek “Majlinda” (Xh. Broja), Dafina tek “Lumi i vdekur” (dramatizim nga K. Velça i romanit me të njëjtin titull të Jakov Xoxës), Filja tek “Cuca e maleve” (Loni Papa), Zonja Mëmë tek “Kush e solli Doruntinën” (dramatizim nga Edmond Budina e Pirro Mani i romanit me të njëjtin titull të Ismail Kadaresë), Nëna “Përballë vetes” (Ruzhdi Pulaha) etj. Ka qenë njësoj e suksesshme në rolet e dramaturgjisë botërore, si Ofelia tek “Hamleti”, Vajza e dytë tek “Mbreti Lir”, Dado tek “Romeo e Xhulieta”, Mbretëresha Margaret tek “Rikardi i III”, të Shekspirit./revistawho.com








